Kulturë

“I am free” me gjykimet e paragjykimet midis botës femërore

pas

Pas një mungese gati dydekadëshe, rikthimi i piktores Valentina Elshani në skenën artistike të Prishtinës me ekspozitën e saj të re në kafe-galerinë “Hani i Dy Robertëve” përbën një ngjarje të veçantë edhe për vetë evolucionin e saj artistik. Kjo hapësirë, ku Elshani kishte filluar të ekspozonte dikur, kthehet në një pikë simbolike të reflektimit dhe transformimit krijues të artistes.

Janë imazhe grash. Kryesisht portrete jorealiste. E gjithë ekspozita “I am free” e Valentina Elshanit nuk është thjesht paraqitje pikturash, por një thellim në esencën e të qenit grua. Prek dimensione të ndryshme, prej simbolit të forcës, dhembshurisë dhe kontradiktave të qenësishme njerëzore. Simbol i forcës është edhe vetë rikthimi i piktores me ekspozitë personale pas një kohe jo aq të shkurtër. Figura e gruas mbetet qendra gravituese, e mbushur me emocione të ngërthyera midis lirisë dhe kufizimit.  Aty nuk mungon as individualiteti e kolektiviteti, as brishtësia e rezistenca.

Pas një mungese gati dydekadëshe, rikthimi i piktores Elshani në skenën artistike të Prishtinës me ekspozitën e saj të re në kafe-galerinë “Hani i Dy Robertëve” përbën një ngjarje të veçantë edhe për vetë evolucionin e saj artistik. Kjo hapësirë, ku Elshani kishte filluar të ekspozonte dikur, kthehet në një pikë simbolike të reflektimit dhe transformimit krijues të artistes.

Rikthimi i Elshanit nuk përbën thjesht një vazhdimësi të një tradite artistike, por një përpjekje për të krijuar ura midis dy botëve: asaj abstrakte, ku ndjesitë shpërfaqen në mënyrë të lirë, dhe asaj realiste, ku përshfaqet një lidhje më e afërt me botën e përditshme. Përmes këtij balancimi të hollë, artistja arrin të ruajë autenticitetin e saj, ndërsa eksploron thellësisht kuptimin e ekzistencës njerëzore dhe të dimensionit femëror në art.

“Ka një kohë të gjatë që nuk kam punuar, për një arsye shumë të fortë ngase djali im vuan nga autizmi. Ai tani është 16 vjeç dhe është në hapa të sigurt për t’u pavarësuar. Erdhi koha që edhe unë t’i rikthehem artit tim, të cilin e kam mbjellë në mua që në vegjëli. Gjatë studimeve kam marrë nga krijimtaria e të gjithëve, pjesë që i ka shërbyer artit tim”, ka thënë Valentina Elshani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

Elshani, studente e klasës së Xhevdet Xhafës, ka theksuar se përveç pikturës pas luftës ka provuar rryma të reja të artit, instalacionet e performancat, duke prekur të gjitha sferat që si person e pengonin. Ishte munduar përmes një instalacioni artistik ta shprehë mungesën e tualeteve publike.

“Gjykimi e paragjykimi vjen sidomos nga gjinia femërore dhe shpesh e them, ato ua mbushin veshët meshkujve dhe pastaj kthehet bumerang. Kështu që përmes këtyre pikturave, ciklit të ri, kam kaluar në një zhanër krejt tjetër”, tha Elshani.

Në vështrimin e tij mbi ekspozitën, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi  se  në jetën e artistes kishin ndodhur ca kthesa dhe ftesa për ekspozitë i dha guximin e ballafaqimit të ri me sfidat e jetës dhe energjisë krijuese.

“E gjeti menjëherë pikënisjen të çlirimit nga ankthi. Tina na shkruante: ‘Është lehtësim i madh kur flasim për gjërat që i kemi mbajtur të ndrydhura...Dhe vetë nga natyra jam që dua t’i bëj njerëzit të lumtur. Dua të shpërndaj vetëm pozitivitet’”, ka shkruar Maliqi në katalogun e ekspozitës. 

Në pikturën “Keep going on” ajo përçon mesazhin se nuk duhet ndalur, pavarësisht vështirësive që njeriu kalon në jetë. Duhet vazhduar dhe ecur përpara.

“Deshëm ta bëjmë për 35-vjetorin një ekspozitë të punimeve të atyre që kanë ekspozuar, disa të cilët mundeshim t’i kontaktojmë, e thirrëm edhe Tinën, ajo tha: ‘Së shpejti do të vij në Kosovë’. U takuam me të, por nuk kishte ndonjë punë konkretë po pritej së shpejti t’ia fillonte” ka thënë Shkëlzen Maliqi në hapje të ekspozitës.

Ka sqaruar se ajo menjëherë filloi të punonte dhe çdo javë dërgonte punimet. Ka thënë se shihet si një zhvillim prej asaj fazës që ka qenë më abstrakte, më dekorative në punime me më shumë përmbajtje e që duken të thjeshta.

“Por janë si vizatime, si njëfarë revolte edhe një përgjigje për pengesat që i ka pasur në jetë, për t’i shprehur si artiste dhe përvojën e saj të çlirimit e tregoi shumë bukur si ka ardhur deri te kjo ekspozitë”, ka thënë ai.

“Time for me” është një pikturë më një mesazh që lë të nënkuptohet se ia dedikon vetes se tashmë ka ardhur koha e saj dhe dëshiron t’i rikthehet përsëri punës së artit. Dominon e kaltra dhe për dallim nga punimet e tjera, surrealja çon më shumë krye.

Valentina Elshani ka thënë se veprat janë një punë e cila është akumuluar ndër vite.  Më 2024 do t’i përvishej prapë profesionit. Ka treguar se me goxha gëzim ka nisur të punojë me idenë që të transmetoj edhe emocionin personal, përjetimet gjatë viteve, jo vetëm të saj, por edhe të shoqërisë.

Elashni ka theksuar se e veçanta është durimi, çelësi i të gjithave.

“Mos shpërtheni në format më të këqija të mundshme për ta lënduar tjetrin, analizojeni njëherë situatën, qetësohuni me veten, flini një natë, e të nesërmen mundeni edhe të vazhdoni. Këto piktura janë gati pothuajse në ëndrra, në gjumë, por është duke qeshur, e lumtur, pa brenga”, ka thënë ajo.

Piktura e punuar me akril në pëlhurë “Tranformation” përçon mesazhin se ajo është transformuar në rrafshin profesional që ka kaluar nga format i pikturave pak a shume abstrakte në atë të ekspresionizmit. Përmes kësaj vepre ajo dërgon mesazhin personal te publiku, duke theksuar problemet familjare që e kane sfiduar gjatë kësaj periudhe sa ishte pasive në art.

“Padyshim, para 20 vjetësh kisha ekspozitë personale, ekspozita kolektive kam pasur ndërkohë, mirëpo në atë kohë kam qenë më e re, thjesht kam shprehur çka më ka brengosur. Edhe në atë kohë, pse një femër duhet të maskohet, duhet të grimohet, shminkohet, të lulëzohet si siluetë e luleve, të palltove, të kapelave, e zbukurimeve të tepërta vetëm për t’u pranuar nga shoqëria, ose thjesht nga familja, nga partneri apo edhe institucioni”, ka thënë Elshani që jeton në Gjermani.

Ajo ka theksuar më tutje se tani i jep një formë tjetër, tash e shpërfaq edhe mimikën, edhe emocionin e individit. Po ashtu, dëshiron ta transmetojë edhe një mesazh pozitiv të dukshëm duke i lënë mundësinë secilit që t’i japë kuptimin që mendon se e ka.

Kurse kritiku Shkëlzen Maliqi ka thënë se arti i saj ka pasur disa faza si ajo e kohës së studimeve kur veprat e saj qenë të fokusuara në portretin e gruas me disa piktura abstrakte.

“Ka vazhduar me stilin e vjetër, por tash ka futur disa elemente të reja, këto piktura që po i shihni dhe në fokus kanë gruan që lidhen me biografinë e saj dhe përjetimet që i ka pasur. Më vjen mirë që në këtë hapësirë të re, ekspozita e parë e këtij viti është kjo e Valentinës, është një lloj statisfaksioni. E ka ruajtur atë thjeshtësinë e saj, minimalizmin, por, po provon ta gjejë veten në një art pak më ekspresiv që flet për fatin e gruas”, ka thënë Maliqi.

Piktorja Magbule Xhemaili ka thënë  se bëhet fjalë për vepra më shumë shtresa, me shumë përkushtim.

“Tash këtë rikthim pas 20 vjetëve për herë të parë që po e shoh, është rikthyer shumë fuqishëm, me forma më ekspresive të pikturës ku po dallohen edhe vijat, por, sa i përket motivit akoma dominon motivi i gruas, mirëpo tash në një formë pak më ndryshe ku e paraqet më shumë jetën reale. Pikturat e mëhershme kanë pasur elemente të abstraktes dhe konkrete me figura të grave. Kurse tash janë më shumë ekspresive, po dominon vizatimi, janë më të fuqishme në kontrast”, ka thënë Xhemaili. Ekspozita është njëfarë homazhi për të kaluarën e njëkohësisht nëpërmjet tablove jep porosi për të ardhmen. Brenda një koncepti bashkon gjykime e paragjykime, njëkohësisht bën thirrje për ndaljen e tyre.