Kisha që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, në sytë e saj i duket vend ideal për një objekt koncertal modest. I bën fort përshtypje duke e parë nga distanca.
Pa e ditur historinë famëkeqe të këtij objekti më shumë politik sesa fetar, pianistja, derisa e paramendon atë si një sallë koncertale, pyet nëse është kishë katolike apo ortodokse.
Kur merr vesh se është ortodokse, pa u menduar dy herë jep një konstatim të prerë: “Është e pamundur të jetë sallë koncertale”, thotë pianistja ruse Violetta Egorova. Hapësirat e Fakultetit të Artit ku ajo ka mbajtur punëtori me studentët e muzikës janë më shumë se modeste në secilin aspekt. Egorova, një virtuoze qysh kur ishte në moshë shumë të re, ka studiuar në konservatorumin “Pyotr Ilyich Tchaikovsky” në Moskë.
Ky institucion i hapur në vitin 1866, pos që mban emrin e njërit prej kompozitorëve më me emër në Rusi, njihet si alamet shkolle e muzikës. Egorova ka parë një entuziazëm të madh te studentët e muzikës në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Disa herë përsërit se shteti duhet të investojë në edukimin e artistëve. E gjendur për herë të parë në Kosovë si njëra prej artisteve që ka interpretuar në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “Chopin Piano Fest”, Egorova është befasuar me një fakt ende pa ia mësyrë shtetit ballkanik.
“Kam dëgjuar më herët për Kosovën disa të dhëna të përgjithshme. Vonë kam marrë vesh se Kosova nuk ka një ambasadë në Rusi dhe, të them të drejtën, kjo ishte një befasi e madhe për mua. Tash di më shumë për këtë situatë”, thotë ajo.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)