Kulturë

Petrit Halilaj ngjyros ëndrrat e thirrjet për liri në Arabinë Saudite

Petrit Halilaj ngjyros ëndrrat e thirrjet për liri në Arabinë Saudite

“E kam zgjedhur specifikisht këtë vepër për shkak edhe të veçantisë politike që ka. Kjo vepër është eksperiencë personale e luftës në Kosovë. Por, komunikon shumë mirë dhe është në frymën e luftës për ekzistencë gjithandej botës”, ka thënë Halilaj pas hapjes së edicionit të tretë të Bienales ku po marrin pjesë mbi 70 artistë të njohur ndërkombëtarë

Në formate të mëdha vizatimet e Petrit Halilajt kur qe veç 13 vjeç – e që punoheshin si terapi shëruese për tmerrin që kishte përjetuar – prej së premtes janë përballë vizitorëve të Bienales së Artit Bashkëkohor të Diriyah në Arabinë Saudite. Vepra e Halilajt, “Very volcanic over this green feather” është sa njerëzore, po ashtu edhe me kuptim të fortë politik. Është ndalur në shtetin e Arabisë në kohën kur vendi me krejt censurën që ka, po përpëlitet drejt një lirie më të madhe

Vizatimet e një fëmije që kishte lënë prapa zjarrin dhe krismat e armëve, tashmë kanë shkuar edhe në një pjesë tjetër të globit, në Gadishullin Arabik. Ndërthuren kujtime të vendbanimit të tij të djegur, zogj, pyje, qiej e shumë ëndrra. Mbi të gjitha ëndrra për liri. Në formate të mëdha vizatimet e Petrit Halilajt kur qe veç 13 vjeç – e që punoheshin si terapi shëruese për tmerrin që kishte përjetuar – prej së premtes janë përballë vizitorëve të Bienales së Artit Bashkëkohor të Diriyah në Arabinë Saudite.

Vepra e Halilajt,  “Very volcanic over this green feather” është sa njerëzore, po ashtu edhe me kuptim të fortë politik. Është ndalur në shtetin e Arabisë në kohën kur vendi me krejt censurën që ka, po përpëlitet drejt një lirie më të madhe. E po ashtu në kohën kur ajo pjesë e globit, po përballet me krejt atë që ka ngjarë në Gaza, ku mijëra njerëz kanë vdekur si pasojë e konfliktit midis Hamasit e Izraelit. 

“E kam zgjedhur specifikisht këtë vepër për shkak edhe të veçantisë politike që ka. Kjo vepër është eksperiencë personale e luftës në Kosovë. Por, komunikon shumë mirë dhe është në frymën e luftës për ekzistencë gjithandej botës”, ka thënë Halilaj pas hapjes së edicionit të tretë të Bienales ku po marrin pjesë mbi 70 artistë të njohur ndërkombëtarë. Qyteti që gjendet në perëndim të Riadit është bërë nikoqir i shprehjeve të forta artistike.

Me temën “Në interlude dhe tranzicione” Bienalja e Artit Bashkëkohor në Diriyah 2026 e sheh botën si një shumësi lëvizjesh kolektive. Sipas konceptit kuratorial të sivjetshëm, titulli i Bienales buron nga një shprehje që i referohet cikleve të ngritjes së kampeve dhe udhëtimeve mes komuniteteve nomade në Gadishullin Arabik  duke evokuar lidhjen dhe vazhdimësinë brenda një gjendjeje ndryshimi të pandërprerë. 

“Bienalja propozon ta rimendojë botën në lëvizje intensive, përmes procesioneve që ndërthurin njerëzit në rryma planetare të shumëllojshme, shpirtërore dhe teknologjike”, shkruhet në konceptin e kuratorëve Maan Abu Taleb, May Makki, Kabelo Malatsie dhe Lantian Xie. 

Çështjet shpirtërore janë ato që marrin frymë fort në veprat e Petrit Haliljat që është artisti konceptual shqiptar më i njohuri në botë. 

“Dinjiteti që e gjej në vizatim ku shprehem me peizazhe, qiell e zogj është diçka që e gjen çdo qenie humane edhe nëse je në një vend krejt të zymtë siç janë kampet e refugjatëve, në diktatura, në shoqëri nën censurë. Njeriu e kërkon atë hapësirë kudo që është”, ka thënë ai. Sipas tij, bëhet fjalë për një vepër që sjell së bashku ëndrrat dhe një projekt që fjet për historitë e papërfunduara. Ka treguar në ditën e hapjes së atë pasuese numri i vizitorëve qe shumë i lartë. 

“Ishte shumë interesante me i pa reagimet. Ky edicion është duke shtyrë disa limite në kompleksitetin politik siç është Arabia Saudite. Ka kualitet fantastik në këtë edicion”, ka thënë ai. Pjesëmarrjen e ka përshkruar si diçka shumë interesante.

“Shumë interesant ta sjell këtu këtë vepër për shkak të luftës dhe gjenocidit në Gaza. Njerëzit po e lidhin shumë atë që po ndodh atje me veprën time të luftës kur isha në kampe”, ka shpjeguar ai. Halilaj më 1999 ishte refugjat në Shqipëri pasi familja e tij sikurse rreth një milion shqiptarë të Kosovës, ishte deportuar nga policia e ushtria e Serbisë. Vizatimet e Halilajt si adoleshent kanë bërë bujë edhe në kampe. Traumave të tij u jepte ngjyrë në kartonë letrash të shkëputur kryesisht nga pakot e ndihmave.

Ato asokohe i kishte prezantuar edhe para personaliteteve botërore përfshirë, Kofi Annan asokohe sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E më pas, imazhet i ka shëtitur në disa vende të botës në formate të ndryshme. 

“Mënyra se si po reagojnë publiku kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë në asnjë vend të botës. Ka njerëz nga vende të ndryshme edhe nga Palestina. Ideja e identitetit e migrimit po e sjell një ndjesi shumë të madhe shpirtërore”, ka thënë ai. Ka përmendur se e di që në vendin ku po qëndron shumë gjëra janë të censuruara. 

“Por kjo shoqëri po ecën drejt lirisë. Po ecën përpara, jo prapa. Limitet janë të qarta, por në drejtimin që po e shtyjnë njerëzit e artit duket se po ecet drejtë lirisë. Sado hapa të vogël që janë është një ecje drejtë lirisë”, ka thënë ai.

“Very volcanic over this green feather” (Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër) ka një histori interesante. Në tetor të vitit 2021 qe hapur në galerinë me nam “Tate St Ives” në St Ives të Cornëallit në Mbretërinë e Bashkuar. Halilaj i lindur në Runik të Skenderajt kishte bërë bujë asokohe. Do të merrte vëmendjen e mediave botërore. “Financial Times” kishte shkruar “Very volcanic over this green feather” është aludim te konfuzioni emocional i fshehur nga peizazhi përrallor dhe i ndritshëm që artisti fillimisht shfaq para publikut.

“Brenda ekspozitës së përkohshme, Halilaj na fton që të eksplorojmë një pyll të dendur me fragmente nga vizatimet e adoleshencës së tij, të zmadhuara, printuara dhe të varura nga tavani. Në hyrje të jep pamjen e një peizazhi ekzotik dhe tërheqës, bashkë me kafshët dhe zogjtë – një pëllumb, disa papagaj dhe një pallua. Ndjeke rrugën drejt fantazisë së tij, në çfarëdo mënyrë dhe kthehu prapa.

Derisa kthehesh hapave të njëjtë, vend zë errësira e luftës – shtresë pas shtresë dalin fragmentet, shtëpia e djegur, eksplodimi i bombave, ushtarët serbë me thika e armë dhe varre masive”, shkruante “Financial Times”. Aty po ashtu shkruhej se nuk bëhet fjalë për përshkrime të drejtpërdrejta të asaj që ai ka parë dhe Halilaj ka shpjeguar se vizatimet janë kombinim i imazheve nga mediat, imagjinatës së tij dhe asaj që ai me të vërtet ka parë.

Tash Halilaj po i tregon edhe botës arabe atë që ka parë e përjetuar. Atje po flet edhe për ëndrrat e fëmijërisë dhe ato të ditëve të sotme. Për ëndrrat që në bazë kanë lirinë.