“Një operë në tejkohësi” do të ishte përkthimi i lirë i titullit të ekspozitës së Petrit Halilajt, në të famshmin “Hamburger Bahnhof” në Berlin. Opera e tij “Syrigana”, që theu kohët në Syriganë të Skenderajt, në njërin prej institucioneve më të njohura të artit bashkëkohor, përkthehet si ekspozitë e artit pamor. Aty Halilaj ngrit një Kosovë tok me rrëfimet për luftën, shenjat e saj, mitet, trashëgiminë e çka jo tjetër. Është një thirrje kundër censurës e për lirinë, s’i mbyll sytë përballë luftës në Palestinë
Berlini tash e shumë vjet është shtëpia e tij e dytë. Në kuptimin e kohës që kalon, mund të jetë edhe e para. Por pa e zënë asnjëherë vendin e shtëpisë së rrënjëve, asaj në Runik të Skenderajt. Në rastin e Petrit Halilajt, vendlindja ka shumë porosi për shtëpinë e tij aktuale. Aso porosish që megjithëse në gjuhë poetike, janë të prera: gjithçka fillon me censurimin e kulturës dhe lirisë së shprehjes.
Halilaj – tashmë krijuesi shqiptar më me nam në botë sa i përket artit bashkëkohor – rrëfimet i ka shumështresore. E tillë vjen edhe e ekspozita e tij, “Një operë në tejkohësi” në galerinë kombëtare të artit bashkëkohor, “Hamburger Bahnhof”. Me titullin në anglisht “An Opera Out of Time”, ekspozita është versioni muzeal i operës “Syrigana”, që kishte premierën në fund të qershorit të sivjetmë, në Syriganë të Skenderajt.
Kontrapunkt mohimit të lirisë së shprehjes
Institucioni i rëndësishëm i artit bashkëkohor në Berlin njeh rrëfime të shumta. Ndërtesa e stilit gotik për shumë dekada prej fundit të shekullit 19-të ka shërbyer si stacion treni. Mbante emrin që ka edhe tash, pasi prej aty udhëtohej për një qytet tjetër të madh gjerman, Hamburg. Ndërtesa u ka bërë strehë shumë udhëtarëve, rrëfimeve, dëshmive të depërtimeve e çka jo tjetër. Prej këtij muaji deri në fund të majit është strehë e rrëfimeve dhe mesazheve nga Kosova. Shenjat e luftës së para një çerekshekulli në shtetin ballkanik janë aty. Asaj lufte i parapriu shtypja e madhe e shqiptarëve. Filli ishte censura e mohimi i lirisë së shprehjes. Politikat qeveritare në Gjermaninë e sotme shpërfaqin një tkurrje të madhe të buxhetit publik që i dedikohet kulturës. E situata midis Izraelit dhe Palestinës ka bërë që shumë institucione të bëjnë ndalesa sa i përket shprehjes artistike gjoja për të qenë politikisht korrekt. Halilaj i lindur në Runik më 1986 s’mund të qëndrojë i heshtur përballë kësaj situate. Historinë e ëndrrat e bashkëmoshatarëve të tij që kanë përjetuar luftën bashkë me aspiratat e gjeneratave të reja nga Kosova e krejt Ballkani, i ka çuar deri në qiejt e New Yorkut nëpërmjet ekspozitës “Abetare” në tarracën e Muzeut Metropolitan vitin e kaluar.
Tash me një tjetër ekspozetë i është kthyer shtëpisë së tij të dytë, Berlinit. Këtë paraqitje e ka menduar shumë. Ndërlidh vendlindjen e tij me Berlinin. Opera “Syrigana”, siç mban emrin fshati fqinj i vendlindjes së Halilajt, është mbajtur në ambient të hapur. Banorët lokalë kanë njëfarë besëtytnie se Adami e Eva kanë shëtitur botën derisa kanë zbritur në Runik, kanë gjetur njerëz e civilizim dhe janë martuar në shkrepat e Syriganës. Dashuria midis dhelprës dhe gjelit që vijnë si personazhe në operë përtej rrëfimeve ka edhe simbolikë të pajtimit. Imazhet e këtyre personazheve janë edhe në ekspozitën në Berlin. Në këtë rast opera është baza e asaj ekspozite. Copëzat e Runikut janë po ashtu aty. Blloqet e betonit, fragmentet e tullave e të tjegullave të Shtëpisë së Kulturës në Runik zënë vend po ashtu. I ka ruajtur prej 2018-s. Në shikim të parë mund të duken si mbeturina inerte. Por rrëfimi prapa tyre është i vjetër e domethënës. Institucionet shtetërore të Kosovës bashkë me fondacionin “Hajde” të themeluar nga Halilaj janë në punë e sipër për të restauruar shtëpinë e Kulturës në Runik. U mbyll në fillim të viteve ’90 nga regjimi i Serbisë. Shqiptarët u dëbuan nga puna u përjashtuan nga institucionet dhe trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Shtëpia e Kulturës pësoi në luftë me 10 mijë viktima civile në vitet 1998-1999, solli një nismë ku fillimisht u mohua liria e shprehjes. Mbetjet e Shtëpisë së Kulturës në ekspozitë estetikisht duken si të shkëputura nga një mur i instaluar brenda “Hamburger Bahnhof”.
“Është vepra monumentale e vetmja që nuk është në shitje”, thotë Halilaj derisa përshkruan ekspozitën e hapur në ditën e 11-të këtij muaji. Tregon se pas ekspozitës fragmentet do të kthehen në Kosovë e do të hyjnë në punë për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës. Historia e tyre do të pasurohet. Janë copëza Kosove që i çojnë porosi Gjermanisë.
“Për mua është shumë e rëndësishme që ato t’i sjellë në një shtet ku kulturës po i shkurtohen fondet dhe ku për shkak të gjenocidit në Palestinë e Izrael institucionet i kanë ashpërsuar e censuruar kushtet për shumë artistë, sidomos për ata që vijnë nga Lindja e Mesme e Palestina”, thotë Halilaj i cili është artist me bazë në Berlin prej vitit 2008.

Arti si armë për një tjetër luftë
Halilaj e di mirë se çfarë është censura. Më 1999 si adoleshent u bë refugjat kampesh në Shqipëri. Asokohe nëpër kartonë pakosh e çka jo tjetër derdhte mbamendjen e tmerrit kur paraqiste vendlindjen e djegur. Prej atëherë sikur u betua që arti të jetë arma e tij për një tjetër luftë: atë për tregimin e asaj që ka ndodhur bashkë me porosinë për paqe.
“Ato mbeturina kanë kuptim shumë të madh pasi dihet se gjithçka fillon me censurimin e kulturës dhe lirisë së shprehjes”, thotë Halilaj. Në këtë rast shton edhe diçka.
“Ne artistët jemi këtu të rikujtojmë se liria dhe mbështetja për kulturën janë esenciale e jo luks. Nëse humbet një komunitet artistik është shumë e vështirë që të ribëhet”, thotë ai.
Ekspozita prek shumëçka. Është improvizuar një lloj skenë e operës. Vjen edhe si homazh për Shtëpinë e Kulturës në Runik, por i ka edhe shenjat e “Syriganës” ku prapa perdeve është qielli e shenjat e perëndimit të diellit.
Kuratorja e operës dhe e ekspozitës, Catherinë Nichols, në tekstin e saj kuratrial të botuar në katalogun e ekspozitës, shkruan se ajo që në mendjen e Petrit Halilajt nisi si një skenografi, shumë shpejt u shndërrua në diçka shumë më ambicioze duke u bërë një operë në Syriganë me komisionim të Filharmonisë së Kosovës.
“Brenda pak ditësh Petriti kuptoi se vepra që dëshironte të krijonte për ekspozitën e tij personale në ‘Hamburger Bahnhof’ do të ishte versioni muzeal i asaj opere. Jo një version i destinuar për skenën e operës Garnier, as për Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë që është shtëpia e Filharmonisë së Kosovës. Përkundrazi, do të ishte një operë që do të zhvillohej në natyrë, në peizazhin e Syriganës – aty ku lindi edhe historia e saj – e lirë nga kufizimet shoqërore, hapësinore dhe estetike të një shtëpie tradicionale opere”, shkruan Nichols.
Personazhet e vjetra të Halilajt me shpendë e flutura janë aty. Edhe njëfarë kasolle e thuprave po ashtu. Gjithçka lidhet me vendlindjen e tij dhe pasurinë arkeologjike parahistorike që ka ai regjion. Metaforat janë të shumta. Tregohet se si janë shembur civilizimet dhe rizbulimi i tyre shërben si frymëzim për ditë më të mira. Krejt veprat kanë ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën. Opera “Syrigana” i bashkon krejt rrëfimet.
Në katalogun e ekspozitës, ku zënë vend edhe vepra të Halilajt në vende të ndryshme të botës, Hana Limani, shkruan se e rimenduar si një histori dashurie mes dy personazheve, Dhelprës dhe Gjelit, miti që Halilaj ka përdorur në operë shërben edhe si pika fillestare që e shtyn përpara ngjarjen e Syriganës.
“Në këtë rrëfim plot humor e ironi, pas rënies (në tokë v.j.), Dhelpra dhe Gjeli, të vendosur për të gjetur një vend ku të vendosen, mbërrijnë në Syriganë, ku priten ngrohtësisht nga vendasit që menjëherë nisin të planifikojnë dasmën e tyre”, shkruan Limani. Një festë e madhe edhe me këngë të vjetra dasmash të interpretuara me dajre qe edhe festa e hapjes së ekspozitës në Berlin. Dukej si një dasmë Kosove në metropolin që kryqëzon kultura të ndryshme. Prej shtatorit atje ka bërë strehë edhe një rrëfim Kosove që nis që nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Përtej rrëfimit është një porosi nga vendi ku kundërmimi i zjarrit të luftës mund të ndihet ende në shumë zona. Porosia e artistit që ka përjetuar tmerrin si adoleshent. E atij që bashkon ndjesitë e vendlindjes dhe ia dërgon shtëpisë së dytë me qëllimin që të parandalojë që edhe atë t’ia përfshijë zjarri.
