Ministria e Kulturës ka hequr dorë nga sigurimi i 5 milionë eurove për t’i ndihmuar organizatat kulturore e sportive gjatë pandemisë. Mjetet që ishin paraparë qysh në muajin mars, në kuadër të pakos emergjente, kanë mbetur veç në nivel diskutimesh, raporton KOHA.
Tash Ministria e Kulturës do të shikojë ndonjë mundësi të re për të mbështetur komunitetin artistik. Ministrja Vlora Dumoshi, të hënën, një ditë pas konferencës së Grupit të artistëve të pavarur, e ka konfirmuar se u është kërkuar që të bëhet rishikim i buxhetit.
Grupi i artistëve, hulumtuesve, kuratorëve dhe punëtorëve të pavarur në skenën e artit dhe kulturës ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet për fondin emergjent të kulturës që nuk është finalizuar.
Sipas Grupit të artistëve, që ka mbajtur një konferencë për media të dielën në Prishtinë, rrethanat e krijuara nga pandemia kanë ndikuar shumë në skenën artistike.
Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar themelimin e një grupi punues që do t’i përcaktonte kriteret e ndarjes së mjeteve të fondit emergjent. Por nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Institucionit më të lartë të kulturës në vend, qysh në mars, i ishte kërkuar që nëpërmjet ridestinimit të buxhetit të mbushte arkën e fondit emergjent.
Artistët kanë paralajmëruar se në koordinim me organizatat kulturore do të ndërmarrin edhe hapa të tjerë për të kërkuar përgjegjësi institucionale. Konferenca është mbajtur një muaj pasi ata kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët sa i përket fondit emergjent.