Kulturë

Kultura e goditur nga pandemia merr 461 mijë euro, zhgënjehen artistët

Fillimisht në mars e më pas edhe në qershor sportit, kulturës e rinisë iu premtuan nga 5 milionë euro si ndihmë për shkak të pandemisë. Por deri të hënën e kësaj jave, gjithçka ishte në nivel muhabetesh. Por as në fund të shtatorit

Qeveria nuk ka mundur t’u dalë zot premtimeve e planifikimeve. Janë ndarë vetëm 2.5 milionë euro. Prej tyre vetëm 461 mijë euro janë për kulturën. Pjesa tjetër është destinuar për sportin dhe rininë. Për disa nga përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore, vendimi i Qeverisë është veprim “sa për t’iu hedhur hi syve artistëve”.

Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës ende nuk ka një “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Qeveria të hënën ka ndarë 87 milionë euro nga Fondi emergjent i paraparë me Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për buxhetin e këtij viti. Por ekzekutivi nuk ka mundur ende ta bindë Kuvendin për të miratuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Për kulturë do ta gjejmë mënyrën si të ndihmohen artistët. Do të ulemi dhe ta shikojmë këtë bashkë me komunitetin artistik. Do të mblidhemi ne si MKRS dhe skena e pavarur kulturore”, ka thënë ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Sipas saj, pas shpenzimit të 2.5 milionë eurove, Qeveria “do të ndajë edhe 2.5 të tjera”.

Por nga pikëpamja e skenës së pavarur kulturore, Qeveria nuk ka vepruar siç duhet.

Florent Mehmeti, i cili menaxhon teatrin “Oda”, ka thënë se në mars janë premtuar pesë milionë për Ministrinë e Kulturës e shtatë muaj më vonë ndahen 2.5 milionë, dhe vetëm 461 mijë euro për kulturën.

“Prej marsit shuma prej pesë milionësh është rritur shumë herë si nevojë. Na është ndaluar puna. Pas shtatë muajsh pesëmilionëshi zvogëlohet dhe për kulturën është aq shumë e vogël, vetëm sa për të hedhur hi syve”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, veprimi i Qeverisë është sa për të thënë se po bëjnë diçka.