Dështimi i miratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në lexim të parë në Kuvend ka shtyrë edhe ndihmën e premtuar ndaj komunitetit artistik. Kësisoj, Ministrisë së Kulturës është duke iu zvarritur edhe premtimi i dytë se artistët, sportistët dhe rinia do të ndihmohen me 5 milionë euro shkaku i pandemisë. Një tentim tjetër për ta kaluar këtë projektligj që në Qeveri është miratuar qysh në qershor, është paralajmëruar për sot (e enjte) në seancën plenare që do të hapë punimet e institucionit legjislativ pas pushimeve.
Në anën tjetër, prej marsit komuniteti artistik është duke pritur ndihmën e shtetit. Kriza ka prekur edhe stafin e rregullt të organizatave kulturore. Janë detyruar që të mos vazhdojnë kontrata me disa punonjës. Në Ministrinë e Kulturës vazhdimisht është folur për punë konkrete sa i përket ndihmës së komunitetit artistik. Por ende nuk është finalizuar asgjë. Kërkesat e artistëve vazhdojnë të ngelin të parealizuara. Qysh në pranverë nga Qeveria që udhëhiqej nga kryeministri Albin Kurti qenë premtuar 5 milionët emergjentë, prej të cilit buxhet do të përfitonte edhe kultura. Asokohe edhe ministrja aktuale e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se janë marrë hapat e duhur që rinia, sporti e kultura të ndihmohen me pesë milion euro nga Pakoja emergjente.
Ish-përbërja e Qeverisë synonte që shkurtimi i buxhetit të investimeve kapitale dhe i mallrave dhe shpenzimeve të mbushte arkën e kësaj pakoje. Një gjë e tillë nuk u bë, pasi përmes mocionit të mosbesimit në fund të marsit u rrëzua ish-përbërja qeveritare. Qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ministria e Kulturës pret që të marrë pesë milion euro pas miratimit të këtij projektligji. Madje, MKRS-ja ka nisur procedurat që do të përcaktojnë shpenzimin e këtyre mjeteve.
Për këtë, sipas zëvendësministrit të Kulturës, Engelbert Zefaj, i është dhënë një propozim Ministrisë së Financave. “Jemi në pritje, ende nuk kemi një përgjigje zyrtare. Por besoj shpejt do ta marrim përgjigjen”, ka thënë ai të mërkurën. Por edhe nëse MKRS-ja do të merrte përgjigje pozitive, pa u miratuar në parim e pastaj edhe në lexim të dytë në Kuvend, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike mbetet vetëm një synim i cili nuk sjell asgjë konkrete. Madje edhe pas miratimit, sigurimi i mjeteve do të varet nga kreditë e huamarrjet. Zëvendësministri Zefaj ka thënë se ata janë duke i prirë procesit pasi duan të jenë të gatshëm pas miratimit të Projektligjit. “Të gjitha ministritë që janë të përfshira në Pakon e rimëkëmbjes po bëhen gati për veprim menjëherë pas miratimit”, ka thënë ai. Në qershor, ministrja Dumoshi kishte përsëritur premtimin e pesë milionëve.