Kulturë

Repriza e dështimeve dhe premiera me skandale

Fundi i 2019-s dha një kumt që shërbeu si një lloj paralajmërimi se si do të ecnin punët në kulturë për vitin pasues. Partitë politike që po negocionin për një “Qeveri të shpresës”, asokohe hatri i pazarit për pushtet, e kishin marrë si të mirëqenë shkrirjen e Ministrisë së Kulturës në një tjetër ministri.

E pas kësaj, pikërisht ata që deklarohen se “kultura është vetë identiteti i vendit”, e kishin zbritur pazarin edhe më: duke e parë këtë Ministri si një karrige për ta kënaqur dikë për një grusht votash në Kuvend. Megjithëse nuk eci përpara asnjëri skenar – edhe shkaku i reagimeve – krejt këto e bënë të qartë qasjen që do ta ketë Qeveria e re në raport me kulturën. Ajo qeveri qe jetëshkurtër, por as pasuesja nuk bëri ndonjë hap. Pandemia që zyrtarisht në Kosovë erdhi në mars e zhveshi krejt politikën e shtetit sa i përket kulturës. Një politikë që vazhdimisht ka qenë e vrugët.

Premtimet boshe

Po atë muaj u premtuan 5 milionë euro ndihmë për kulturën, rininë dhe sportin në kuadër të atij që planifikohen si “Fond emergjent”. Por ky fond nuk u jetësua kurrë. Qeveria e marsit nuk mbijetoi as dy muaj dhe erdhi ajo e qershorit. Komuniteti artistik mbeti në pritje. Dikur nisi të nxjerrë kërkesa.

Një grup artistësh në qershor kërkoi përgjegjësi për mosjetësimin e “Fondit emergjent për kulturë”. Gati tre muaj pas paralajmërimit për këtë fond, i kërkoi politikës t’i mbajë premtimet. Grupi i artistëve, hulumtuesve, kuratorëve dhe punëtorëve të pavarur në skenën e artit dhe kulturës ngulmoi për llogaridhënie nga institucionet dhe drejtuesit e tyre në lidhje me dështimin për ta implementuar dhe shpërndarë pjesën e Fondit emergjent për kulturë.

“Kuvendi i Kosovës ka treguar papërgjegjësi, duke refuzuar me paramendim urgjencën për ratifikimin e Pakos emergjente. Pushteti është i drejtuesve të institucioneve, por institucionet nuk janë pronë e drejtuesve të tyre”, kishte thënë artisti Nol Sahatqiu.

Po në qershor, Qeveria e re premtoi fiks pesë milionë euro, por kësaj radhe nga ai që u quajt “Fondi për rimëkëmbje ekonomike”. Shtatë muaj pas ardhjes së pandemisë në Kosovë e ndalimit të aktiviteteve kulturore, Ministria e Kulturës hapi konkurs për projekte individuale në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike duke llogaritur në 461 mijë euro. E më 11 dhjetor u shpallën 269 fituesit e fazës së parë. Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës kanë thënë se më 2020, kultura do të përkrahet edhe me një shumë tjetër të mjeteve dhe do të hapen konkurse për organizata kulturore në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike. E sa u përket projekteve kulturore e artistike që Ministria e Kulturës shpall konkurs çdo vit, edhe sivjet pagesat janë vonuar shumë. Ka prej tyre që nuk janë bërë as në fund të vitit.

“Reklama” me një ditë në vendpunishte

Projektet kapitale ndër vite janë pika më e dobët e secilit menaxhment të Ministrisë së Kulturës. Njëjtë ka ngjarë edhe me ministren Vlora Dumoshi në krye të MKRS-së. Gjatë gjithë vitit nuk ka mundur ta çojë përpara asnjë projekt kapital në kulturë e trashëgimi kulturore. Madje, në një rast “u punua” sa për fotografi.

Është bërë një vit qëkur është ndërprerë puna në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. E vetmja ditë kur punëtorët kanë dalë për të punuar në ndërtimin e objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës gjatë 2020-s qe ajo e 16 korrikut. Atë ditë stafi i kompanisë punëkryerëse kishte dalë që më shumë të luajë rolin e statistëve të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi. Punëtorët kishin qëndruar aty pasi vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga ministrja Vlora Dumoshi. Por, qysh prej dhjetorit të vitit të kaluar, i vetmi njeri që kryen punë në vendpunishten që gjendet në hapësirën e njohur si “Te pishat” është rojtari. “Çdo punim i investimeve kapitale ka qenë në pushim. Fola me inxhinierin që udhëheq punimet. Janë disa specifika dhe duhet të na vijë një raport. Është një pjesë e statikës dhe një tjetër ku po haset në pengesa. Punimet janë duke vazhduar. Është një kompleks me tri ndërtesa përcjellëse. Urojmë që të kryhet në afat optimal kur edhe është paraparë”, ka thënë ministrja Dumoshi më 16 korrik. Për projektin 2.4 milionësh për vitin 2021 janë paraparë 450 mijë euro.

Në anën tjetër, 2 dhjetori i 2020-s është dita kur janë mbushur fiks 11 vjet nga vënia e gurit themeltar për ndërtesën e teatrit të operës dhe baletit, “Dr. Ibrahim Rugova”. Asokohe u shpenzuan mbi një milion euro dhe shpejt u ndalën punimet. Në vitin 2019, Ministria e Kulturës ka hapur konkurs ndërkombëtar për projekt të ri për këtë ndërtesë me idenë që ta ndërtojë pikërisht atje ku kishte nisur, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë. Tri projektet konkurruese kanë ngelur në sirtar pasi po më 2019, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është në finalizim të procedurave që bash aty të zërë vend një kampus i ri universitar.

“Jemi në drejtime të ndryshme, sepse Ministria ka shpallur konkurs për dukjen e teatrit e ne jemi në fazën e fundit të kalimit të Planit rregullativ për Universitetin e Prishtinës në atë pjesë. Kështu që na mbetet t’i ftojmë të gjitha palët në takim dhe të shohim për zgjidhjen më të mirë”, kishte thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas takimit me ministren Dumoshi më 5 mars të 2020-s.

Ministria e Kulturës më 2007 kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e objektit të Muzeut të artit bashkëkohor. Prej atëherë institucioni më i lartë kulturor në vend çdo vit ndan buxhet duke e renditur këtë si projekt kapital. Por, s’është bërë asnjë hap. Hapësira ku ishte planifikuar të ndërtohej është zënë me Fakultetin e Edukimit, midis kishës ortodokse dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Sa i përket infrastrukturës kulturore, Komuna e Prishtinës ka bërë nja hap administrativ. Një konkurs ndërkombëtar synon që ndërtesën e ish-“Gërmisë” – të ndërtuar më 1972 sipas projektit të arkitektes Liljana Rashevski – ta adaptojë për një sallë koncertale dhe një tjetër për jazz. Sipas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, “salla koncertale do të jetë nikoqire e komunitetit të artistëve vendorë e ndërkombëtarë dhe do të pasurojë e do të përmirësojë cilësinë e jetës kulturore të Prishtinës”. Konkursi është hapur në nëntor, dy vjet pasi që debatohet për këtë projekt, dhe thirrja është hapur një vit pasi u humb mundësia e shfrytëzimit të 11.4 milionë eurove të BE-së pikërisht për këtë projekt.

Dallaveret institucionale me letra

Puna nuk ka shkuar aspak mirë as në trashëgimi kulturore. Në fillim të vitit, institucioni përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e ka dëmtuar atë. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka manipuluar me dokumente, duke nxjerrë vendime të ndryshme me të njëjtin numër protokolli që t’i hapë rrugë ndërtimit të një objekti afaristo-banesor afër Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë. I njëjti institucion, pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore i ka huazuar eksponate Fakultetit Filozofik. Pas raportimit të KOHËS, eksponatet janë kthyer.

Arkeologët gjatë vitit 2020 kanë dalë në terren veç kur u është mbushur mendja. Nuk është punuar aspak në asnjë lokalitet arkeologjik me arsyetimin se nuk mund të shfrytëzohet buxheti. Në këtë aspekt mendohet se për vitin 2021 është bërë një përparim pasi me Projektligjin për buxhet institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore kanë kode të veçanta buxhetore. Kjo është bërë me iniciativë direkte të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi. IAK-ja nuk ia ka dalë as t’i mbledhë gjetjet e rastësishme. Madje, as t’i shfrytëzojë 450 eurot e ndara nga Komuna e Kamenicës për të marrë një pitos atje.

Restaurimet shkatërruese

Tre vjet pas ndërprerjes së punës e në mot të vështirë, në dhjetor ka rinisur restaurimi i shtëpisë kryesore të Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Edhe ky proces është kritikuar si ndërhyrje joprofesionale pasi po përdor çimento e hekur. Lista e dështimeve në kulturë e trashëgimi kulturore është shumë më e gjatë.

Premtimet e viteve më parë të Ministrisë së Kulturës për rritje buxheti të Qendrës Kinematografike e futën këtë institucion në një rrugë të vështirë. QKK-ja gjatë viteve 2018 dhe 2019 lidhi kontrata duke u futur në obligime për të paktën 1.2 milionë euro që nuk i mori asnjëherë. Pos filmit, punët mirë nuk kanë shkuar as në muzikë. Politika qe ajo që çau muret e “Trojës” që u ngritën tri dekada më parë.

Në qershor u ndanë rrugët e katërshes së njohur të rock-grupit. “I erdh fundi edhe këtij muhabeti...”, ishte titulli i njoftimit të afishuar në faqen e rock-grupit “Troja”, kur u bë me dije se “muret e ‘Trojës’ janë përçarë” dhe se grupi po e mbyll kapitullin e vet. Politika u përmend tërthorazi. Përderisa në njoftim aludohej në pjesëmarrjen e vokalistit Bujar Berisha në koncertin e organizuar nga Vetëvendosje, vetë ai e shtjelloi në një tjetër kontekst. Tha se nuk mund të jetë neutral, sikurse as fryma e “Trojës” s’ka qenë e tillë.

Shtatoret e turpit

Pak para fundit të vitit, më 28 nëntor, Prizreni prodhoi një skandal që bëri jehonë jo vetëm në Kosovë. Shtatorja e Adem Jasharit u punua nga një berber. Pas reagimeve u hoq. Kurse ajo e Skënderbeut u kritikua ashpër. Mbeti që të vlerësohet nga një komision.

Shteti nuk ia ka dalë që të punojë as në projektet që i ka renditur si prioritet. Viti rrumbullakohet me shumë probleme. E gjasat që gjërat të shkojnë më mirë janë të vogla. Bash siç ka thënë dramaturgu i shquar.

“Me gjasë do të vazhdojmë të shohim më shumë asfalt, më shumë buxhet që ndahet për projekte multi-milionëshe ‘kombëtare’ si projekti i ‘Operës…’ legjendare të Ministrisë së Kulturës apo si ajo mbështetja e premtuar multimilionëshe e BE-së për sallën kulturore multifunksionale dhe ngjashëm”, kishte thënë Jeton Neziraj më 22 dhjetor, ditën kur u bë e ditur se Bashkimi Evropian nuk do ta përkrahë më programin “Kultura për ndryshim” nëpërmjet të cilit financonte ngjarje kulturore.