Kulturë

Ministria e Kulturës hap thirrjen për mbështetje nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike

Tetë muaj pasi vendi po përballet me pandeminë, Ministria e Kulturës ka hapur thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore–artistike për individ nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike. Sipas thirrjes së hapur të mërkurën, do të mbështeten projektet me karakter profesional, promovues, stimulues, tradicional, inovativ, kreativ, kritik, dhe projektet me politikën e diversitetit kulturor. Sipas thirrjes që do të qëndrojë e hapur për dy javë, projektet që mund të përfitojnë nga Fondi emergjent mund të jenë në fushat e artizanaleve, vallëzimit, dizajnit, muzikës, teatrit e arteve tradicionale.

“Individët, në përputhje me këtë ftesë publike, mund të aplikojnë me projektet e tyre për promovimin e kulturës, në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, shkrim”, shkruhet në thirrje. Projektet individuale do të përkrahen deri në 5 mijë euro.

Historia e mjeteve për këtë thirrje zë fill qysh në fillim të pandemisë. Fillimisht në mars e më pas edhe në qershor sportit, kulturës e rinisë iu premtuan nga 5 milionë euro si ndihmë për shkak të pandemisë. Por deri në fund të shtatorit gjithçka ishte në nivel muhabetesh. Por as në fund të shtatorit Qeveria nuk ka mundur t’u dalë zot premtimeve e planifikimeve. Janë ndarë vetëm 2.5 milionë euro. Prej tyre vetëm 461 mijë euro janë për kulturën. Pjesa tjetër është destinuar për sportin dhe rininë. Për disa nga përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore, vendimi i Qeverisë është veprim “sa për t’iu hedhur hi syve artistëve”. Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës deri javën e kaluar nuk ka pasur “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Qeveria nuk ka mundur ende ta bindë Kuvendin për të miratuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.