Kulturë

Artistët presin vlerësim të drejtë për 1.7 milionët e “ringjalljes”

Konkursi i hapur muajin e kaluar nga Ministria e Kulturës ofronte mundësi që projektet të dorëzohen deri në ditën e 3-të të shtatorit. Janë rreth 500 projekte që kanë aplikuar. Por, institucioni më i lartë kulturor në vend ka vendosur që projektet të mund të dorëzohen deri më 10 shtator. Pjesëtarë të komunitetit artistik kërkojnë të bëhen dallime midis atyre që veprimtarinë kulturore e kanë primare me ata që e kanë dytësore. Mbi të gjitha, presin vlerësim të drejtë teksa rikujtojnë shembujt nga e kaluara

Ministria e Kulturës u ka dhënë afat edhe një javë atyre që synojnë të realizojnë projekte nëpërmjet thirrjes publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve të organizatave dhe individëve në kuadër të Pakos për ringjallje ekonomike.

Janë 1 milion e 710 mijë euro që janë vënë në dispozicion të projekteve kulturore, artistike dhe atyre të trashëgimisë kulturore. Konkursi i hapur muajin e kaluar ofronte mundësi që projektet të dorëzohen deri në ditën e 3-të të shtatorit. Janë rreth 500 projekte që kanë aplikuar. Por, institucioni më i lartë kulturor në vend ka vendosur që projektet të mund të dorëzohen deri më 10 shtator. Kjo mundësi është parë si akt pozitiv.

Më 11 gusht të këtij viti, Qeveria kishte ndarë 5 milionë euro për Ministrinë e Kulturës në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike. Me 2.5 milionë do të ndihmohet kultura dhe trashëgimia kulturore. Prej tyre për kulturë dhe trashëgimi kulturore për thirrje publike për OJQ dhe individë janë paraparë 1 milion e 710 mijë euro. Për blerje të veprave artistike 247 mijë euro. Për mbështetje të teatrove të qyteteve 225 mijë euro, kurse për mbështetje të bibliotekave komunale 108 mijë euro dhe për mbështetjen e muzeve komunalë 210 mijë euro.

Nëpërmjet thirrjes publike, MKRS-ja synon të përkrahë projekte që promovojnë kulturën dhe trashëgiminë kulturore si komponentë për ngritje të vetëdijes dhe edukimit të gjeneratave të reja në Kosovë. Sipas thirrjes, do të mbështeten aktivitetet e edukimit kulturor joformal dhe zhvillimi i kuadrove profesionale, pastaj zhvillimi i hulumtimit dhe dokumentimit në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes botimit, blerjes e përkthimit. Përfshihen edhe projektet e ngjarjeve tradicionale, programet vjetore, sektori inovativ dhe digjital kulturor e fondi i mobilitetit për fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Mbështetja e projekteve të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore që zhvillohen në hapësira publike, integrimi dhe promovimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore për zhvillim të turizmit dhe ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, po ashtu janë pjesë e listës.

Individët mund të mbështeten me shumë deri në 25 mijë euro, kurse organizata deri në 70 mijë euro.

Por komuniteti artistik shpreson që Ministria e Kulturës të ketë kujdes se si do të shpërndahen mjetet e Pakos për ringjallje ekonomike. Disa prej organizatave gjatë vitit të kaluar janë detyruar që ta shkurtojnë stafin e rregullt. Një prej tyre ishte edhe teatri “Oda”.

Regjisori Florent Mehmeti, i cili menaxhon me këtë Teatër, ka thënë se nuk është e lehtë që të administrohet Pakoja për ringjallje ekonomike. Sipas tij, barrën më të madhe do ta kenë anëtarët e komisioneve vlerësuese. Ka thënë se disa individë dhe organizata kulturën e kanë si punë të dytë, kurse një pjesë merret vetëm me kulturë dhe art. Sipas tij, duhet bërë dallimi.

“Është në rregull që dikush nuk e ka kulturën punë primare, por dytësore. Por në fokus ishte dashur të jenë ata që gjatë gjithë kohën merren me art e kulturë dhe kanë program të strukturuar vjetor. Sidomos tek arti skenik, pasi këto organizata janë prekur edhe nga masat gjatë gjithë kohës. Ne për shembull kemi larguar njerëz nga puna. Ne nuk kemi resurse shumë të mëdha”, ka thënë ai. Sipas tij, një shumë e caktuar mjetesh dallon shumë nëse jepet për aktivitet kulturore ku angazhohen një numër i madh njerëzish dhe për një tjetër që mund të realizohet nga një staf i vogël.

Ka thënë se me anë të thirrjes, MKRS-ja e ka zgjeruar goxha konkursin.

“Mund të jetë një thirrje që do të ketë më shumë kualitet, por varet shumë nga përzgjedhja. Mendoj se duhet të jenë disa kritere për aplikuesin se çfarë aktivitete bën, sa janë aktivë. Me atë që jemi mësuar deri tash sa u përket politikave kulturore, gjithçka është e mirëseardhur”, ka thënë ai.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me Qendrën “Multimedia” ka thënë se ajo që bie në sy në pakon e aplikimit është që, një pjesë e dokumenteve, shpallja dhe dokumenti që përcakton kriteret, janë të elaboruara dhe të punuara ne mënyrë shumë profesionale.

“Për mësysh, kisha me thënë”, ka thënë ai. Ndërkohë, sipas tij, disa dokumente të tjera, duke përfshirë formularët për projekt-propozim dhe buxhet, “janë mozomokeq të punuar keq dhe të pakuptueshëm”.

“Këto dy dokumente janë pjesë e pakos se aplikimeve tash e sa vite. Kjo dëshmon që, aty në Ministri ka një përpjekje për ta ndërruar qasjen për të mirë, megjithatë, presioni i kohës me gjasë nuk u ka dhënë kohë që t’i freskojnë e profesionalizojnë të gjitha dokumentet. Dhe prandaj, frika ime është që edhe procesi në vazhdim, i përzgjedhjes së projekteve, ka me ndodhë për nguti”, ka thënë ai. Ka uruar që ta ketë gabim. “Por herën e parë këtu në këtë fazë u bënë gabimet dhe rrëshqitën në skandal. Shpresoj e uroj që kësaj here kanë me qenë profesional, të paanshëm dhe të saktë. E di, po kërkoj shumë, nga një administratë e lodhur dhe me zyrtarë jo fort kompetentë”, ka thënë ai.

Ndryshe, historia e mjeteve për ndihmë në sektorin e kulturës zë fill qysh në fillim të pandemisë gjatë vitit të kaluar. Fillimisht në mars, e më pas edhe në qershor, sportit, kulturës e rinisë iu premtuan nga 5 milionë euro si ndihmë për shkak të pandemisë. Por, deri në fund të shtatorit gjithçka ishte në nivel muhabetesh. Madje as në këtë limit kohor Qeveria nuk kishte arritur t’u dalë zot premtimeve e planifikimeve. Ishin ndarë vetëm 2.5 milionë euro. Prej tyre vetëm 461 mijë euro ishin për kulturën. Pjesa tjetër qe destinuar për sportin dhe rininë. Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës nuk kishte një “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Në nëntor të vitit të kaluar u hap konkursi për projekte individuale. MKRS-ja në fund të vitit kishte përkrahur edhe 269 projekte.

Por, ky institucion kishte shfrytëzuar edhe buxhetin e trashëgimisë kulturore, duke i përkrahur këto projekte me 594 mijë euro. Thirrja e asokohshme ishte vetëm për individë. Por, del që hesapet ishin bërë pa i pasur krejt mjetet në “kuletë”. Ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se me 300 mijë euro do të kryheshin obligimet e konkursit të kaluar dhe po ashtu edhe detyrimet që dalin nga ankesat e bëra nga individë që kishin konkurruar asokohe.