Jo pak premtime i janë bërë komunitetit artistik prej pranverës së këtij viti, e tek muajin e kaluar Ministria e Kulturës hapi thirrjen publike për financimin e projekteve kulturore-artistike për individë nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike, për të cilën ka lënë në dispozicion 461 mijë euro. Janë 650 veta që ia kanë mësyrë të marrin mbështetje, e kërkesa e tyre “peshon” 4.5 milionë euro. Për artistët, ky dallim dëshmon goditjen që ka pësuar fusha e kulturës gjatë pandemisë
Në disproporcion janë kërkesat dhe buxheti që ka vënë në dispozicion Ministria e Kulturës për përkrahjen e projekteve kulturore e artistike për individë me mjetet nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike. Në thirrjen e hapur, në fillim të nëntorit, kanë aplikuar mbi 650 individë. Nëpërmjet këtyre projekteve janë kërkuar 4.5 milionë euro e institucioni më i lartë kulturor në vend për këtë thirrje publike ka në dispozicion vetëm 461 mijë euro.
Për artistët kjo tregon se sa e ka prekur pandemia komunitetin artistik e kulturor.
Në Ministrinë e Kulturës, të martën, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Vetëm është bërë i ditur numri i aplikuesve dhe shuma e kërkuar. MKRS-ja synon që rezultatet të dalin brenda javës. Pagesat mund të ekzekutohen vetëm deri më 24 dhjetor pasi atë ditë mbyllet viti fiskal.
Jo pak premtime i qenë bërë komunitetit artistik qysh në pranverë. U përmendën 5 milionë euro në emër të “Fondit Emergjent” e u bënë paralajmërime për grupe punuese në emër të shpërndarjes së tyre, ani pse mjetet nuk ishin kurrkah. Tek në shtator, MKRS-ja mori 2.5 milionë euro nga Programi për Rimëkëmbje Ekonomike bazuar në Ligjin për rishikimin e buxhetit, prej të cilave as gjysmë milioni s’u lanë për kulturë. Prej atëherë, MKRS-ja nuk foli më për pako emergjente, ani pse edhe mjeteve të tanishme u referohet në këtë formë. Qysh tash, llogarit edhe në 2.5 milionë të tjera në fillim të vitit që vjen kur do të hapë thirrjen për organizata kulturore.
Kërkesa e artistëve që peshon 4.5 milionë euro, dhe buxheti larg më i vogël i MKRS-së për këtë qëllim, sipas artistit Dardan Zhegrova tregon se sa shumë është dëmtuar skena e kulturës gjatë pandemisë.
“Sa shumë janë të dëmtuar punëtorët në art, e sidomos artistët e pavarur të cilëve iu është pamundësuar të krijojnë marrëdhënie pune që do të sillnin të hyra në këtë vit”, ka thënë ai. Sipas Zhegrovës, të dhënat e konkursit nxjerrin në pah edhe nevojën për të krijuar një sistem progresiv, që arti dhe kultura të mos rrezikohen dhe puna e artistëve të njihet nga institucionet. “Pra, hapi i parë për MKRS-në është të shpërndajë fondin emergjent tek artistët e pavarur me 2.5 milionë në fazën e dytë dhe të fillojë reformimin e politikave të kulturës në mënyrë që ta rimëkëmbë skenën”, ka thënë ai.
Sociologia Blerta Ismaili, e cila është punëtore e artit, ka thënë se të dhënat ilustrojnë gjendjen tepër të rëndë dhe mungesën e përkrahjes institucionale ndaj krijuesve të pavarur që janë ndër grupet më të prekura të shoqërisë gjatë pandemisë.
“Rezultati i veprimit të MKRS-së për fondin e quajtur emergjent tregon pikërisht se politikat e institucioneve publike nuk janë përpiluar duke iu referuar gjendjes faktike të sektorit të kulturës në Kosovë”, ka thënë ajo. Sipas Ismailit, MKRS-ja, apo cilido institucion tjetër publik, nuk kanë kryer asnjë kërkim në terren në mënyrë që politikat të arrijnë t’i përgjigjen efektivisht nevojave të skenës së pavarur të kulturës të krijuara nga pandemia.
“Kjo mungesë e të dhënave empirike për sektorin e kulturës ekziston edhe para pandemisë, dhe ka pamundësuar vazhdimisht veprimin institucional adekuat karshi kontekstit lokal”, ka thënë ajo. Sipas saj, Grupi i Punëtorëve të Artit, “PART” konsideron që thirrja publike nuk është intervenim emergjent meqë kushtëzon përkrahjen për mirëqenie sociale me prodhime të reja.
“Në muajin tetor ne kemi dërguar shkresë në MKRS, ku ndër të tjera kemi kërkuar hartimin e një rregulloreje provizionale, e cila do të mundësonte ndarjen e këtij fondi në përgjigje ndaj krizës aktuale dhe pa kushtëzime, për të cilën vazhdojmë të jemi të hapur për bashkëpunim”, ka thënë artisja e grupit, e cili reagoi edhe në kohën kur u harruan 5 milionët e emergjencës.
Hulumtuesja Donjetë Murati ka thënë se artistët janë dalluar nga pjesa tjetër e shoqërisë sa i përket ndihmës së shtetit.
Sipas saj, përderisa të tjerëve u është dhënë ndihmë konkrete, me artistët nuk ka ngjarë kësisoj.
“Kjo thirrje ka qenë si një thirrje vjetore për projekte. Ne si grup do të vazhdojmë të punojmë në drejtim që edhe punëtorët e artit të trajtohen si komunitet i prekur rëndë nga pandemia”, ka thënë ajo.
Sipas thirrjes që ka qenë e hapur për dy javë, projektet që mund të përfitojnë nga Fondi i Rimëkëmbjes mund të jenë në fushat e artizanaleve, vallëzimit, dizajnit, muzikës, teatrit e arteve tradicionale.
“Individët, në përputhje me këtë ftesë publike, mund të aplikojnë me projektet e tyre për promovimin e kulturës, në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuale, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, shkrim”, shkruhet në thirrje. Projektet individuale do të përkrahen deri në 5 mijë euro.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës vazhdimisht janë kritikuar për qasjen e tyre ndaj komunitetit artistik gjatë pandemisë. Prej 13 marsit kur zyrtarisht koronavirusi është shfaqur në Kosovë, artistët e pavarur nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti pas telasheve që u ka shkaktuar pandemia. Kur në shtator, prej 2.5 milionëve të MKRS-së nga Fondi i Rimëkëmbjes, vetëm 461 mijë euro u lanë për kulturë, për disa nga përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore, vendimi i Qeverisë u cilësua si veprim “sa për t’iu hedhur hi syve artistëve”.
“Prej marsit shuma prej 5 milionësh është rritur shumë herë si nevojë. Na është ndaluar puna. Pas shtatë muajsh pesë milionëshi zvogëlohet dhe për kulturën është aq shumë e vogël vetëm sa për të hedhur hi syve”, kishte thënë Florent Mehmeti, i cili menaxhon me teatrin “Oda”. Kishte shuar se Qeveria duhet ta kuptojë se nuk mund ta nënçmojë komunitetin kulturor.
“Në kuptimin moral dhe politik nuk ecën kështu. Në parim janë pak dhe ideja për t’i shpërndarë mjetet në shumë vende, nuk do të ishte e mençur”, kishte thënë ai, teksa kishte përmendur faktin se edhe për subvencionet e sivjetshme në kuadër të projekteve kulturore deri vonë nuk janë nënshkruar kontratat.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me qendrën “Multimedia”, kishte thënë se 461 mijë euro, më shumë sesa ndonjë pako ndihmash për skenën kulturore, tingëllon si pako vitrash.
“Kjo është shumë qesharake dhe impakti i saj pritet të jetë veçse qesharak. Nga 5 milionët e premtuar, tani po duan të ndajnë më pak sesa gjysmë milioni dhe kjo vërtet s’ka kuptim. Propozoj që këtë shumë t’ia japin ndonjë kompanie që shtron asfalt dhe thjesht, mos të tallen me kulturën kështu”, kishte ironizuar ai.