Fustane me vija subtile të një trupi femëror me lëvizje e pantonima janë bërë bashkë për të dhënë një mesazh tejkohor. Me një realizëm të theksuar në dhjetë piktura, figura e femrës merr shpesh edhe asocime surreale. Me mëtimin për t’i bërë artistikisht bashkë tri kohë, artistja e re nga Gjakova, Argenita Fetahu, ka shpërfaqur disa nga punimet e saj artistike në ekspozitën e titulluar “Përtej”, që u hap të mërkurën mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në kryeqytet. Për piktoren e diplomuar në Akademinë e Arteve Figurative, e “përtejshmja” është ajo çfarë pret nga publiku artdashës.
“E kam quajtur kështu se vërtet kam dashur që gjithçka të shihet përtej asaj që duket në pamje të parë. Me këto vepra përpiqem ta prezantoj veten dhe emocionet që ndiej”, ka thënë Fetahu për “Kohën”. “E kam përzier abstrakten me realen, për arsye se doja të bëja diçka më shumë”.
Vargut të pikturave i ishte shtuar edhe diçka e veçantë. Artistja e re kishte vënë edhe një fustan të kuq të nënës së saj.
“Fustani i kuq është përcjellë në tre breza. Fillimisht erdhi nga gjyshja e Argenitës, e më pas te nëna e saj e në fund tek Argenita. Kjo do të thotë se nuk është vetëm e sotmja që i jep kuptim kohës moderne, por edhe e kaluara ka qenë brenda saj”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Naser Shatrolli. Ka vlerësuar se Fetahu është artiste me iluzione, imagjinatë dhe disiplinë në mbarështrimin e punëve të saj artistike.
“Argenita ka një qasje të veçantë në portretimin e femrës ku në njëfarë mënyrë ajo e portreton vetveten pas perdeve”, ka thënë Shatrolli.
Në katalogun e ekspozitës, “Përtej” përshkruhet si ekspozitë me mesazhin për emancipimin, integrimin, barazinë dhe përjetimet e gruas/Salih Mehmeti.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)