Në rrjete sociale është komandante, në skenë zë i fuqishëm e në pandemi, vullnetare. Derisa bota po përballej me fluksin e madh të rasteve me COVID-19 dhe kudo ndihej panik e frikë, sopranoja Arta Jashari rrezatonte shpresë.
Media të shumta botërore, duke përfshirë edhe “Washington Post”, patën gjatë majit në kryetituj humanizmin që jehonte nga Kosova. Sharmin dhe elegancën e skenës, Jashari i zëvendësoi me mantelin e bardhë, maskën e dorëzat.
Ajo u përkujdes për gjendjen shëndetësore të babait të saj, drejtuesit të Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, si dhe fqinjëve e madje edhe të të panjohurve që hospitalizoheshin në Klinikën e Pulmologjisë. Për këtë ajo s’pati shkollim, por një zemër të vyer dhe qëllim të mirë. Zëri i saj jehoi edhe përtej humanizmit.