Me skenar dhe regji të amerikanes Jennifer Reeder, filmi “Perpetrator” do të nisë rrugëtimin në një prej festivaleve më të njohura në botë, “Berlinale”. Ky është edhe një sukses i kinematografes nga Kosova, Sevdije Kastrati, e cila është drejtoreshë e fotografisë në këtë projekt kinematografik. Me skenar dhe regji të amerikanes Jennifer Reeder, “Perpetrator” ndjek Jonnyn, që luhet nga McKirnan, një vajzë adoleshente impulsive që jeton në një qytet ku gratë e reja vazhdojnë të zhduken
Filmi amerikan “Perpetrator” i xhiruar nga kinematografja kosovare Sevdije Kastrati do ta ketë premierën botërore në edicionin e 73-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”. Xhirimet e filmit janë kryer në Chicago me Kastratin si drejtoreshë të fotografisë.
Me skenar dhe regji të amerikanes Jennifer Reeder, “Perpetrator” ndjek Jonnyn, që luhet nga McKirnan, një vajzë adoleshente impulsive që jeton në një qytet ku gratë e reja vazhdojnë të zhduken. Filmi rreth fuqisë që ajo është e detyruar të zhbllokojë për të mbijetuar.
Ndërkohë, nga ekipi i filmit janë shprehur për media se filmi është “frymëzuar nga përvoja e përbashkët e brezave të grave” duke e vlerësuar edhe si eksplorim i kaosit rinor. Kastrati ka thënë në një përgjigje për KOHËN se premiera në Berlin është arritje e madhe, veçanërisht kur kemi të bëjmë me filma amerikanë që vjen si vlerësim i tyre nga Evropa. Ajo është shprehur se producentët e filmit Gregory Chambet nga “WTFilms” dhe Derek Bishe nga “Divide/Conquer” kanë qenë mbështetës të saj gjatë tërë kohës.
“Filmi është xhiruar në Chicago për 20 ditë, gjatë periudhës mars-prill 2022. Bashkëpunimi me regjisoren, produksionin dhe të gjitha departamentet ka qenë shumë i mirë. Kemi xhiruar në borë e shi, në temperatura të ulëta, por ka qenë energjia e mirë në sheshxhirim që e ka bërë çdo gjë më lehtë të përballueshme”, ka thënë Kastrati.
Përveç Kiah McKirnan, në “Perpetrator” luajnë edhe Christopher Lowell Melanie Liburd, Ireon Roach dhe Alicia Silverstone.
Ky është filmi i dytë i regjisores Reeder që shfaqet në “Berlinale” pas “Knives and Skin” të vitit 2019. “Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi me regjisoren Jeenifer Reeder pasi vizioni dhe lidershipi i saj kanë qenë udhëzim i duhur për gjithë produksionin”, është shprehur kinematografja Sevdie Kastrati më tej, derisa ka thënë se ka krijuar lidhje të fortë me Reeden që në bashkëpunimin e parë me të.
Festivali i Filmit mbahet prej 16 deri më 26 shkurt të vitit të ardhshëm. Kinematografja Kastrati ka xhiruar edhe filmat kosovarë që kanë depërtuar në kinematografinë ndërkombëtare si “Zana”, “Vera andrron detin”, “Martesa” e “Nëntor i ftohtë”, që gjatë rrugëtimit të tyre janë shpërblyer me çmime të ndryshme nëpër festivale ndërkombëtare, si në Festivalin e Sundance, “AFI Fest”, në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe në “ZagrebDox”.
Producenti Gregory Chambet kishte thënë se ideja për zhvillimin e filmit ishte ecja nëpër gjurmët e referencave të fuqishme të horrorit të femrave si “Cat People, “Carrie” dhe “Jennifer’s Body”. “Në ‘Perpetrator’ gjithçka u bashkua në mënyrë perfekte: zëri unik i Jennifer-it, një performancë e jashtëzakonshme nga Kiah, një kthesë e mrekullueshme dhe befasuese nga Alicia, imazhe frymëzuese nga drejtuesja jonë e fotografisë Sevdije Kastrati dhe shumë më tepër. Ne mblodhëm një ekip ëndrrash partnerësh me njohuritë e forta të “Divide/Conquer”, të cilët kanë punuar në filma të shumtë dhe talentet e paketimit të ‘30West’”, ka thënë producenti Chambet për media.
Së fundmi, kompania e famshme e distribucionit ka marrë të drejtat për filmin “Perpetrator”. “Shudder është shtëpia perfekte për përrallën tonë të guximshme, të përgjakshme dhe misterioze adoleshente dhe ne mezi presim ta ndajmë filmin edhe me shpërndarësit ndërkombëtarë”, është shprehur Chambet më tej.
“Berlinale” sivjet sjell yjet e mëdhenj të kinemasë ndërkombëtare në Berlin duke shoqëruar kineastët e të gjitha disiplinave në rrugët e tyre drejt qendrës së vëmendjes dhe duke mbështet karriera, projekte, ëndrra e vizione. Festivali është shtytës i rëndësishëm i inovacionit dhe faktor i rëndësishëm ekonomik ndërkombëtar. Programi i larmishëm, i pavarur dhe i guximshëm sjell çdo vit rreth 400 filma të të gjitha zhanreve dhe formateve që shfaqen në seksione të ndryshme dhe prezantime speciale të “Berlinales”.
Ai u krijua për publikun e kryeqytetit gjerman në vitin 1951, në fillim të Luftës së Ftohtë, për t’u vlerësuar si “dollap i botës së lirë”. E formuar nga periudha e trazuar e pasluftës dhe situata unike e një qyteti të ndarë, “Berlinale” është zhvilluar në një vend shkëmbimi ndërkulturor dhe një platformë për eksplorimin kritik kinematografik të çështjeve sociale. Deri më sot ai konsiderohet më politik nga të gjitha festivalet kryesore të filmit.
“Filmi është xhiruar në Chicago për 20 ditë gjatë periudhës mars-prill 2022. Bashkëpunimi me regjisoren, produksionin dhe të gjitha departamentet ka qenë shumë i mirë. Kemi xhiruar në borë e shi, në temperatura të ulëta, por ka qenë energjia e mirë në sheshxhirim që e ka bërë çdo gjë më lehtë të përballueshme”, ka thënë Kastrati.