Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Përçahet grupi Troja

Rock-grupi i njohur kosovar, Troja, është përçarë. Në një njoftim në Facebook, Troja ka thënë se “po e mbyll kapitullin e saj”.

Në njoftimin për ndarje, Troja ka bërë të ditur se ky grup asnjëherë nuk ka kënduar në “ahengje” të organizuara nga politika. Njoftimi vjen pak ditë pasi vokalisti i grupit, Bujar Berisha, performoi në koncertin për 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“I erdh fundi edhe këtij muhabeti... TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme. Pas gati 30 viteve TROJA e mbyllë kapitullin e saj. Muret e TROJËS janë përçarë. Përkundër që politika është munduar me u identifiku me neve, Troja asnjëherë nuk ka kënduar në ‘ahengje’ të organizuara nga ata. TROJA i ka mbijetua shumë sistemeve që nga para lufta po edhe nga pas lufta, e gjithë kjo duke iu falënderuar juve që na keni dëgjuar dhe përkrahur. Kurrë, TROJA nuk ka qenë personale vetëm e njërit apo tjetrit anëtar, e as më pak pronë private, por e gjithë juve që na keni motivuar për të krijuar diçka më ndryshe”, thuhet në njoftimin e grupit.

Grupi i njohur për hitet “Amaneti i Clown-it” e “Mbretnesha Kohë” ka thënë se “e dimë që disa kanë me u mundu me keqpërdorë emrin TROJA, edhe këngët e TROJËS - dhe ju dëshirojmë fat!”

“Disa kanë me këndu dhe kanë me u paraqitë si ‘TROJA’ po ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë të cilin ky bend e ka paraqitur me dekada”, ka vazhduar grupi i njohur.

Edhe “Marigona” vulos “Përjetësisht” kapitullin 35-vjeçar Kulturë 5 d. më parë “Marigona” vulos “Përjetësisht” kapitullin 35-vjeçar

Në reagimin e grupit theksohet se çdo aktivitet që mbahet në emër të grupit, e që më herët s’është lajmëruar në faqen zyrtare, “është keqpërdorim dhe abuzim i emrit të grupit dhe vlerave artistike të tij”.

Troja ishte themeluar më 1991.