Lejet për ndërtime afër liqenit të Badovcit do të duhej të aprovoheshin edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Kësisoj, Inspektorati i trashëgimisë kulturore ka paralajmëruar Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, se nëse aprovojnë leje ndërtimi pa aprovimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore do të bënin shkelje ligjore.
Inspektorati i Trashëgimisë kulturore është interesuar për planet për ndërtimin e një lagjeje afër këtij liqeni, pasi arkeologët kanë thënë se bëhet fjalë për një lokalitet arkeologjik. Tashmë është bërë gati një muaj prej kur një grup i madh qytetarësh janë shprehur kundër planeve për ndërtimin e një lagjeje në zonën e mbrojtur të liqenit.
Inspektorati i trashëgimisë kulturore, në ditën e 29-të të muajit të kaluar, i është drejtuar me një shkresë zyrtare kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku.
Inspektorati ka njoftuar këto institucione se, edhe pse zyrtarisht nuk ka informacione të sakta lidhur me parcelat kadastrale ku planifikohet ndërtimi, ky organ, nga komunikimi që ka pasur me Institutin Arkeologjik të Kosovës, është njoftuar se ajo zonë është një lokalitet arkeologjik parahistorik.
“Ky lokalitet arkeologjik gjendet pikërisht aty ku gjendet muri mbrojtës i digës së Badovcit dhe përreth tij ka pasur gjetje të artefakteve të ndryshme herë pas here, që lë të nënkuptohet se ky vendbanim ka shtrirje më të gjerë”, shkruhet në shkresën e cila i është dërguar edhe drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)