Kulturë

Paul McCartney në autoportret me 154 këngë

Do të jetë “një autobiografi” e Paul McCartneyt si “asnjëherë më parë”. Ish-anëtari i “Beatles” do të publikojë “The Lyrics”, një zhytje e thellë në jetën e tij bazuar në bisedat që ka pasur me poetin Paul Muldoon. “The Lyrics”, me dy vëllime në mbi 900 faqe, “një autoportret në 154 këngë”, do të lansohet më 2 nëntor. Do të jetë “më shumë një kaleidoskop sesa një rrjedhje kronologjike” e jetës së McCartneyt, ka paralajmëruar botuesi Allen Lane, dhe do t’i përfshijë kompozimet e hershme në djalëri – ai shkroi këngën e tij të parë kur ishte 14 vjeç – deri te katalogu për “Beatles”, te “Wings”, solo-albumi, për të arritur te jeta e tanishme. Libri do t’i mbulojë “rrethanat në të cilat ato janë shkruar, njerëzit dhe vendet që u bënë si inspirim, dhe çfarë McCartney mendonte atëherë e çfarë mendon tash”.

McCartney ka thënë: “Më shpesh sesa që mund të jem në dijeni, më kanë pyetur nëse mund ta shkruaj një autobiografi, por asnjëherë nuk ka qenë koha e duhur. E vetmja gjë që ia kam dalë të bëj, si në shtëpi ashtu edhe gjatë rrugës, ishte të shkruaja këngë të reja”.

“Disa njerëz, kur arrijnë një moshë të caktuar, kanë dëshirë që të shohin ditarin që të rikujtojnë ngjarje të përditshme nga e kaluara, por unë nuk kam fletore të tilla. Ajo që kam janë këngët e mia, me qindra, e që kam kuptuar se i shërbejnë më shumë këtij qëllimi. Dhe këto këngë mbulojnë gjithë jetën time”.

Muldoon, poeti irlandez, fitues i çmimit “Pulitzer”, është redaktor i librit, që bazohet në bisedat që ai i ka pasur me McCartneyn. “Pauli dhe unë jemi takuar vazhdimisht për pesë vjet dhe kemi kaluar 2-3 vjet duke biseduar për prapavijat e qindra-dhjetëra këngëve”, ka thënë Muldoon.

“Në një mënyrë të çuditshme imitonte sesionet e pasdites që kishte pasur me John Lennonin kur shkruanin për ‘Beatles’. Ne ishim të vendosur që të mos largoheshim nga dhoma pa pasur diçka interesante”.

Muldoon ka thënë se ishte i “ngecur përsëri dhe përsëri nga ajo që mund të quhet natyrshmëri ‘prej dijetari’ e Paul McCartneyt gjatë procesit.

“Ai ishte njëri nga njerëzit me të gjallë e të pamposhtur që unë njoh, por mënyra e përgjithshme e sjelljes së tij nuk duhet të nënkuptojë diçka tjetër përveç faktit se ai është një mendimtar i thellë. Do të mrekullohen nga libri që do ta vërë në pah këtë anë të tij. Ai do të dalë nga ky libër si një figurë letrare me rëndësi”, ka thënë Muldoon. Të dhënat e brendshme për procesin e tij artistik janë një konfirmim i asaj që ai kishte supozuar: që Paul McCartneu është një figurë me rëndësi letrare, që tërheq dhe zgjeron traditën e gjatë të poezisë në Angli.

Vëllimet do të përfshijnë edhe materiale nga arkivi personal i McCartney, si drafte të papublikuara më parë, letra dhe fotografi. “Ne kemi mësuar në imtësi për këtë njeri, për procesin kreativ dhe punën me meloditë, si dhe momentet inspiruese”, ka thënë botuesi.

McCartney ka thënë se shpreson që ajo që ka shkruar t’u tregojë njerëzve diçka për këngët dhe jetën e tij, një anë që s’është shfaqur më herët.

“Jam përpjekur të tregoj se çfarë ndodh me muzikën dhe çfarë nënkupton ajo për mua – shpresoj po ashtu edhe se çfarë ajo nënkupton për të tjerët”, ka thënë ai.

Librat e mëparshëm të McCartney përfshirë “Blackbird Singing”, një koleksion të teksteve dhe poemave që mbulojnë periudhën 1965-99; “High in the Clouds”, një libër për fëmijë i shkruar me Philip Ardagh, dhe libri me fotografi “Hey Grandude!”, bazuar në lidhjen e tij me nipër e mbesa, me ilustrime nga Kathryn Dust.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Alberina Haxhijaj