Kulturë

Panairi i rikthyer bashkë me rinjohjen e vlerave të librit

Me nevojën e njohjes së vlerave të librit, vazhdimësinë e botimeve edhe në kohën pandemike dhe eksplorimin nëpërmjet tyre në çfarëdo kohe, të martën i është prerë shiriti edicionit të 22-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë. Mungesa gati trevjeçare e ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë ka bërë që motoja të qëndrojë midis periudhës pandemike dhe rikthimit me dy mijë tituj të rinj nga mbi 100 botues: “Përderisa maska mbronte trupin, libri mbronte mendjen”

Në secilin prej shtandeve, librat nga fusha e zhanre të ndryshme qëndrojnë të palosur skaj më skaj. Stacionimi në secilin prej tyre sjell dimensione të ndryshme të të lexuarit dhe dijes. Diku stili i pavdekshëm i romantikëve, dromca poezish, botimet e autorëve vendas dhe preokupimet krijuese të tyre, e diku bestsellerët e që kryesisht tematizojnë problematika dhe udhëzime psikologjike mbi jetën, veprat për fëmijë e plot zgjedhje të tjera, has lexuesi me një shëtitje disaminutëshe pasi ngjit shkallët për në platenë e Pallatit të Rinisë, për të vazhduar nga hapësira e jashtme tek ajo e brendshme. Interesimi është si gjithnjë i lartë, mirëpo kësaj radhe lexuesit e pushtuan kryeqytetin kosovar më me përkushtim për shkak të mungesës së Panairit Ndërkombëtar të Librit.

Mungesa trevjeçare e ngjarjes më të madhe të librit ka bërë që motoja të qëndrojë midis periudhës pandemike dhe rikthimit me dy mijë tituj të rinj: “Përderisa maska mbronte trupin, libri mbronte mendjen”. Në rrugëtimin e shtruar ndaj libërdashësve janë edhe Botimet KOHA, që sjell ekskluzivisht 32 tituj të rinj.

“...sepse lexuesi ishte gjithmonë aty”

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 22-të ka thënë se pandemia qe moment kthese për të reflektuar për vlerën e librit.

“Izolimi dhe distanca na larguan fizikisht dhe kjo na bën të kuptojmë sa i rëndësishëm është raporti, sa i rëndësishëm është tjetri, e që s’është domosdoshmërisht njëri”, ka thënë ai, duke aluduar që tjetri mund të jetë edhe thesari që fshihet në kopertinat e një libri.

Image
Mbi 100 shtëpi botuese kanë zënë vend në hapësirat e brendshme dhe në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve (Foto: Alban Bujari)

Ai ka thënë se ky edicion sjell vepra që nga “Epi i Gilgameshit” si libri i parë e deri te veprat e botuara së fundmi, të cilat së bashku janë rikapitullim i temave, interesave me të cilat preokupohen mosha të ndryshme.

“Përderisa maska mbronte trupin, libri mbronte mendjen”, ka thënë ai, duke shtuar se të nisur nga ky fakt është krijuar edhe motoja e sivjetme. “Botuesit gjetën forma alternative që shkrimtarët të arrijnë te lexuesit kur panairet munguan, bibliotekat qenë të mbyllura, sepse lexuesi ishte gjithmonë aty”, ka thënë ai.

Sipas tij, libri ka qenë shoqërues dhe portë e dritare për të kuptuar e mësuar.

“Pallati i Rinisë shndërrohet në Pallatin e dijes për shkak që përmes librit tubohen mendjet e ndritura”, ka thënë Zeneli.

Premtimet për reforma në dobi të librit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka premtuar për gjetje të një forme të re të mbështetjes së librit dhe të botimit.

“Jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kalojë në një nivel tjetër. Ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, reformë të thellë ligjore, ku bëjnë pjesë edhe veprimtaria botuese, edhe libri, nxitja e lexueshmërisë e përkthimi”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se pjesë e ekipit punues është edhe vetë komuniteti i librit, duke përmendur Shoqatën e Botuesve të Kosovës. Ka premtuar se kjo reformë do të promovojë librin dhe leximin në përgjithësi.

“Duhet të pranoj se komuniteti i botuesve është mjaft mirë i angazhuar dhe kjo ngjarje e ka marrë një lloj epiteti të ngjarjes së rëndësishme kulturore”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, e ka cilësuar Panairin Ndërkombëtar të Librit si ngjarje të rëndësishme të kulturës. Ka shtuar se për të s’është veç pikëtakim i autorëve me lexuesit me ndërmjetësim të librit.

“Te libri kam përjetuar gjithmonë magjinë e tij, është dritare e jashtëzakonshme që na jep mundësinë për me pa e kuptu botën”, ka thënë Zogaj.

Të pakonkurrent e ka vlerësuar librin edhe në kohën e pushtimit teknologjik, teksa e ka cilësuar si formë fantastike të komunikimit.

“Organizatorët po e mbajnë librin afër qytetarëve, studentëve, nxënësve dhe lexuesve”, ka thënë Zogaj.

Image
Botimet KOHA në Panairin Ndërkombëtar të Librit vijnë me 32 tituj të rinj, që janë botuar midis dy panaireve. Përtej kësaj, shtandi i KOHËS do të ofrojë 140 tituj dhe ata vijnë me zbritje deri në 80 për qind (Foto: Alban Bujari)

“Lexuesi është sovran që mbizotëron librat”

“Dhembja e rrënojave” është një nga librat që i janë përkthyer në shqip autorit francez, Claude Arnaud. Ai lexuesit të tij shqiptar i foli pikërisht në ceremoninë e hapjes, ndërkaq përmes veprës do të flasë menjëherë pas promovimit në ditën e dytë të Panairit.

“Ju botoni shumë libra dhe lexoni. Kjo më siguron dhe më gëzon. Aktualisht në Francë shteti e ndihmon shumë botimin. Te ne ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Zhvillohen kurse të perfeksionimit të shkrimit, por unë besoj se do të ishte më mirë të ofroheshin kurse të leximit, sepse është art i llojit të vet”, ka thënë Arnaud.

Ai ka thënë se shpreson që ky Panair të jetë zbulues i autorëve të rinj dhe shkrimtarëve, të cilët e “hipnotizojnë” lexuesin me eksplorimin e kulturave, kohëve e epokave të reja.

“Lexuesi është sovran që mbizotëron mbi librat, faraoni i të gjithë ne autorëve dhe ne vetë jemi thjesht shkrues”, ka thënë.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ka vlerësuar se ai që u bën ballë së shkuarës komuniste të Shqipërisë e përjetimeve të luftës në Kosovë si një “dritë që i shoqëroi dy vendet drejt çlirimit shpirtëror” ishte pikërisht libri.

“E shkuara jonë tregon se libri jo veç ka ndihmuar në përsosjen e qenies dhe ndërgjegjes njerëzore, por edhe në krijimin e zonave të paqes, në agresione politike e historike duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave dhe nxitur reflektime drejt horizonteve të reja”, ka thënë ajo.

Bardhyli ka cituar Naim Frashërin me thënien “Pa dituri nuk ka bukuri”, për të vazhduar edhe me thënien e Kadaresë “Ka stinë në jetën e popujve kur letërsia duhet të ndërhyjë, të thyejë zakonin e të qenit e pavarur dhe të përzihet në punët e kombit dhe se tani kombi shqiptar ka nevojë për letërsi”.

“Pyetja që bëjmë teksa i afrohemi Panairit të librit është se për çfarë shërben libri? Cili është roli i letërsisë? Forca për t’u përballur me këto sfida gjendet pikërisht te një dritë e vazhdueshme që ka ardhur dhe do të vijë gjithmonë nga ajo që ne e duam dhe e ka përsosur botën njerëzore e që është libri”, ka thënë ajo.

Shpërfillja, krimi më i madh ndaj librit

Shkrimtari Agim Vinca ka vlerësuar se Panairi Ndërkombëtar i Librit po hap dyert që s’ka mundur t’i mbyllë asnjë epidemi, pushtim e pushtues.

“Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat ndër shekuj, i ka mposhtur ato dhe ka ardhur edhe më e gjallë e më e bukur sikurse edhe gjuha që shkruhet”, ka thënë Vinca.

Libri shkruhet në vetmi, por, sipas tij, nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, e që janë lexuesit.

“Dikur në këtë vend ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja është krim edhe më i madh. Kur vlerën e një libri e shpërfill një person, pëson kultura e tij, kur këtë e bën një shoqëri vihet ardhmëria e saj”, përfundoi Vinca.

Botimet KOHA në Panairin Ndërkombëtar të Librit vijnë me 32 tituj të rinj, që janë botuar midis dy panaireve. Përtej kësaj, shtandi i KOHËS do të ofrojë 140 tituj dhe ata vijnë me zbritje deri në 80 për qind.

Listës së titujve të rinj i prin “Humbja” e Mark Pashkut, laureat i shpërblimit për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi” për vitin 2021. Rrëfim unik në vetën e parë është “Veç edhe sot” nga Eroll Shporta, një rrëfim mbi betejën e fituar ndaj varësisë nga droga.

“Stina e pestë” e Majlinda Bregasit sjell rrëfimin e Sofias, e cila ndjek gjurmët e një baroni austro-hungarez të fillimshekullit XX, që i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit. Diplomaci, spiunazh, zbulime shkencore, rebelim e dashuri mbushin jetën e baronit Franz Nopcsa në Shqipëri.

Historia e sipërmarrëses së suksesshme, por shpirtërisht të shkatërruar zë vend te “Dallga e dytë” e autores Mimoza Veliu, ku kryepersonazhi Julia kthehet pas shumë vjetësh në ishujt Maldive për t’u përballur me të kaluarën e saj. Krejt këto vepra bashkë me “Rahela” të Agim Sopit, “Kronika kosovare” të Stephane Vanderveken, “I mbeturi në Beograd” të Ibrahim Kadriut, “Rrëfime për Kosovën 2” të Fatmir Lamës, “Nënë më fol për ëndërrimtarët” të Shkumbin Gashit, “Funeralin e pafundmë” të Visar Zhitit e shumë tituj të tjerë nga 100 autorë, lexuesit do t’i gjejnë te shtandi i Botimeve KOHA.

Panairi i Librit si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat Panairi, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e mbi të gjitha lexues. Ajo që në përgjithësi e bën të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e më tej, si dhe organizimi i ngjarjeve të ndryshme kulturore.

Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike, pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Viteve të fundit Panairi kishte rreth 40 mijë vizitorë për çdo edicion.