Në shikim të parë pikturat e Manushaqe Ibrahimit dhe ato të Yll Avdiut kanë kontraste të theksuara, por vëzhgimi i tyre është një proces në të cilin zbuten dallimet, identifikohen të përbashkëtat. Rezultati është dekodimi i një dialogu me gjuhë të koduar. Ekspozita “Pambuk” është një lloj ironie me përmbajtjen e ekspozitës, e cila jo lehtë shkrin qasjet e stileve të artistëve. Është bashkëjetesë artistike merr frymë te guximi i artit
“Pambuk” është bashkëdyzimi i dy botëkuptimeve artistike krejt të ndryshme: realizëm në një anë e abstraksion në tjetrën. Bardhezi e shpërthim ngjyrash është kontrasti tjetër. Por mesazhet që vijnë nga gjuha e koduar është forma e komunikimit midis artit të Yll Avdiut e të Manushaqe Ibrahimit. Në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve” veprat e tyre zbërthejnë temat e identitetit të butë e të brishtë, bash sikurse pambuku që i emërton.
Kontrasti është madhor midis veprave. Siç ngjan jo shpesh, ekspozita personale në hapësirat e kafe-galerisë ndahet midis dy artistëve. Ndonëse qëndrojnë pranë e përballë njëra-tjetrës, aq është edhe distanca midis tyre. Dy artistë takohen në të njëjtën hapësirë, por vijnë nga botë krejtësisht të ndryshme estetike dhe konceptuale.
Ngjan se veprat e tyre nuk kërkojnë pajtim. Përkundrazi. Qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si dy zëra që flasin gjuhë të ndryshme me dialog të tensionuar, por domethënës. Formë komunikimi është gjuha e koduar nga të dyja anët, e që është pika që i përbashkon. Kontrasti nuk është pengesë, por thelb i kësaj ekspozite.
“Pambuk” nuk kërkon harmoni, por i bën ftesë publikut të pranojë kontrastin edhe si burim mendimi e edhe si përjetim estetik.
“Still, becoming” e artistit Avdiu është me figura mistike. Njashtu edhe printet me titull “Manus” e “Erës” kanë plot mistere përbrenda vizatimeve maksimaliste të tij. Ato të një vajze me flokë të theksuar të ngritur, sjellin në mendje pikturën e stilit barok “Medusa” të Caravaggios.
Artisti Yll Avdiu ka thënë se ka rrjedhshmëri dhe kronologji në veprat e tij. Ka thënë se ekspozita e përbashkët vjen si bashkëveprim i stileve të tij dhe të artistes.
“Janë vepra të punuara përgjatë viteve, jo vetëm prej tyre që janë realizuar vetëm këto javët e fundit. Përmes kësaj ekspozite kemi dashur të tregojmë një bashkëveprim të stileve që i kemi, por gjithashtu edhe të tematikave që i trajtojmë. Këto janë punime të realizuara prej vitit 2022 ku sipas stilit që përdori është surreal, pak maksimalist. Përmes stilit tim mundohem të jem sa më maksimal dhe të tregoj sa më shumë detaje. Ka edhe mesazhe të fshehta në punimet e mia”, është shprehur Avdiu.
Disa prej veprave të të dy artistëve janë ekspozuara edhe paraprakisht ndërsa të tjerat publiku ka pasur rastin t’i sodisë për të parën herë të enjten mbrëma në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve”.

Avdiu ka theksuar dallimet midis veprave të tij dhe të Ibrahimit.
“Bashkëpunimi midis veprave të mia dhe të Manushaqes është pak interesant, sepse është vërtet kontrast tepër i madh, sepse ajo i ka krejt piktura, unë i kam krejt vizatime. Manushaqja i ka krejt me ngjyra, unë i kam krejt bardhezi. Ajo shumë më abstrakte, unë krejt të detajuara dhe pak më realistike. Bashkëveprimi që e kemi gjetur është ndoshta ky kontrasti shumë i madh, që sado që janë ndryshe munden prapëseprapë të komunikojnë me njëra-tjetrën, pavarësisht sa dallojnë”, ka thënë ai.
Tri prej tetë vepra të artistit janë printe e të tjerat janë të punuara me rapidograf dhe ky është stili e praktika që artisti i ri është duke e zhvilluar. Është e para ekspozitë me këtë kuantitet veprash të tij.
Unike janë edhe mënyrat se si janë emërtuar. “The mountain is the same” e “Still sane, still insane” janë dy prej veprave me shumë ngjyra të artistes Manushaqe Ibrahimi me mesazhe të koduara në vepër me gjuhën personale të saj. Aty janë mesazhet me alfabetin që veç Ibrahimi e kupton. Në veprën “Sink it, drown it” ato zhyten e fundosen në retë e ngjyrave. Janë edhe poetike dhe “Tell me a tale, tell me a lie” ngjan e tillë.
Për artisten, kjo seri veprash është shumë personale.
“Ka filluar si seri kur i kam përfunduar studimet në bachelor. Është një seri që për mua është, të mos them shumë private, sepse disa punë janë ekspozuar edhe më herët, por si fëmijë gjithmonë kam qenë shumë introverte dhe nuk kam dashur të kem kontakt me njerëz, ose kam dashur por nuk kam gjetur mënyrën si ta bëj. Piktura është një medium që më ka ndihmuar që ato gjëra që kam dashur t’i them, i kam pikturuar. Prandaj, mund të shihet një alfabet që e pata bërë shumë e vogël. Është alfabet që di ta lexoj dhe ta shkruaj veç unë, por tërë kohën është duke ndryshuar”, është shprehur ajo.
Sipas saj, pjesa më emocionuese e ekspozitës është kur publiku mundohet të deshifrojë mesazhet. Ka bërë me dije se disa prej veprave janë ripikturuar si rrjedhojë e një lloj nevoje për të dalë nga zona e rehatisë.
“Janë piktura të punuara me vaj. Disa prej tyre janë të ripikturuara që ndoshta i kam punuar në vitet 2020, por ndoshta një krizë ekzistenciale se pse jam duke i bërë këto piktura ose çfarë ndikimi kanë në shoqërinë tonë dhe veç i kam ripikturuar. Për mua ka qenë jo e rehatshme, sepse janë ngjyra me të cilat më herët nuk kam pikturuar me to. Prandaj në fillim mund të shihen dy vepra me ngjyra të kuqe dhe janë shumë ndryshe prej tyre. Kjo ka qenë mënyra se si kam pikturuar më herët. Në atë periudhë e pata gjetur një metodë që për mua ka qenë e parehatshme, por mua më pëlqente të jem pjesë e kësaj parehatie”, është shprehur artistja Manushaqe Ibrahimi.
Në ekspozitë, dy prej veprave të saj janë shumë më të hershme dhe dallojnë shumë nga pjesa tjetër e punëve të saj të ekspozuara. Si një lloj ndërveprimi i praktikës së vjetër me të renë.
Piktura është shumë personale për të, andaj ajo ka treguar se çdo vepër nis me alfabetin e saj dhe merr formë në bazë të mesazheve të hedhura aty.
“Çdo pikturë e nis me alfabet, mandej piktura merr formë në bazë të asaj çfarë kam shkruar në alfabet. Është një proces shumë intuitiv, por në përgjithësi piktura është njëfarë mediumi më privat për shkak që unë reagoj kurdo që shoh diçka”, ka treguar ajo.
Në tekstin kuratorial nga Diona Kusari, shkruhet se shprehjet artistike bashkëbisedojnë në hapësirë rreth likuiditetit të identitetit dhe se të dy artistët punojnë në mënyrë ciklike e shumështresore.
Kusari ka thënë se tema qendrore është tek identiteti.
“Trajton identitetin si praktikë personale e të bërit kuptim në rastin e Manushaqes ndërsa në rastin e Yllit, mënyra sesi i japim kuptim identitetit është studim i njerëzve tjerë. E përbashkët tek të dy artistët është që punojnë më njëfarë gjuhe të koduar me simbole”, ka thënë ajo. Veprat kërkojnë vëzhgues aktiv për t’i zbërthyer kodet. “Njëfarë tendence për të dashur të kuptohen, por edhe për t’u tërhequr këtij kuptimi dhe asaj sesi e shohin të tjerët veprën”, është shprehur ajo.
Ka thënë se shikimi artistik i artistes Ibrahimi hyn nga brenda, ndërsa ai i artistit Avdiu është nga jashtë.
“Manushaqja e ka një shikim që hyn nga brenda, mundohet t’i japë kuptim eksperiencës së saj dhe dalin disa figura të panjohura për publikun. Janë me gojë të hapur, duan t’i flasin publikut por mbyllen dhe tërhiqen ndërsa Ylli e ka shikimin nga jashtë. E studion tjetrin, merret me figura që kanë pasur rol në krijimin e tij artistik dhe njëkohësisht vepra e tij shfaq disa simbole arkitipale dhe të vetëdijes kolektive e po ashtu edhe simbole personale”, ka thënë Kusari duke bërë me dije se të dy artistët e kanë bashkëkuruar ekspozitën ndërsa ajo është autore e tekstit kuratorial.
Publiku ka qenë i shumtë në hapjen e ekspozitës. Gazetarja ukrainase Lyudmilla Makey ka thënë se në këto kohëra të trazuara është me rëndësi t’i ofrohet publikut diçka e ndritshme dhe hyjnore.
“Më pëlqejnë këto vepra, teknikat se si janë punuar, frymëzimi i tyre. Natyrisht, çdo vepër është origjinale, me filozofi të thellë e ngjyra të ndezura. Në këto kohë, çfarë është e rëndësishme është të ketë diçka të bukur dhe hyjnore në jetët tona”, është shprehur ajo.
“Pambuk” është një lloj ironie me përmbajtjen e ekspozitës e cila jo lehtë shkrin e zbut kontrastet e stileve të artistëve. Por është bashkëjetesë artistike që fiton forcën e guximit të artit për të qenë i ndryshëm.