Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Paja e nuseve të katër komuniteteve të Prizrenit – traditë e bashkëjetesë

Komponentë karakteristikë të veshjeve tradicionale në rajonin e Prizrenit, si dhe dantellat janë prezantuar në kuadër të ekspozitës dyditore ”Paja e nuses - Qejzi i vajzës së katër komuniteteve”, që synon ruajtjen e artizanaleve dhe prezantimin e tyre te gjeneratat e reja

Artizanalet e Prizrenit po kalojnë ditë të vështira si pasojë e zhvillimeve të kohës. Një gjë e tillë po ndikon edhe në ndryshimin e traditave, zakoneve e dokeve të caktuara.

Përpjekjet për ruajtjen e tyre po bëhen edhe me hulumtime dhe prezantime nga njohëset e fushës. Kësisoj në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren është hapur ekspozita dyditore e titulluar “Paja e nuses – Qejzi i vajzës së katër komuniteteve”. Ky projekt synon kontributin në ruajtjen e artizanaleve me qëllim të mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore në qytetin e vjetër.

Lidhur me këtë ekspozitë është theksuar se Prizreni ka veshje të ndryshme etnike, dhe se bashkëjetesa me vete ka sjellë edhe veshje dhe modele që tregojnë ngjashmëritë tradicionale, por që ndryshojnë në linjat e veshjeve dhe në ndërveprimin e simboleve.

Disa komponentë karakteristikë të veshjeve tradicionale në rajonin e Prizrenit, si dhe dantellat janë prezantuar në galerinë e Hamamit.

Autorja e ekspozitës, Zejxhan Celina, ka thënë se interesimi për artizanalet po zbehet dhe se ky është një kontribut që të mos harrohen traditat e Prizrenit.

“Jemi munduar që me pak fjalë dhe më tepër detaje të tregojmë që zanatet tona të mos harrohen, që në Prizren jetojnë dhe i respektojmë katër komunitete, mu për këtë sonte është edhe ‘Paja e nuses së katër komuniteteve’. Vajzat janë veshur me rroba dasmash, që vishen një ditë para dasmës. Për çejzin kam hulumtuar shumë, edhe pas bisedave me gratë e katër komuniteteve kemi ardhur në përfundim që çejzi është çejz, në cilindo komunitet është i njëjtë. Ajo që ndryshon, është vetëm veshja tradicionale”, ka thënë Celina.

{gallery}

Bashkëjetesa me vete ka sjellë edhe veshje dhe modele që tregojnë ngjashmëritë tradicionale, por që ndryshojnë në linjat e veshjeve dhe në ndërveprimin e simboleve


Ngjashëm është shprehur edhe Shpresa Makasqi, artizane, që ka theksuar se historia e vjetër e Prizrenit me vete bart një mori traditash e dokesh, që është me rëndësi të prezantohen edhe te gjeneratat e reja.

“Dita-ditës gjeneratat e reja po i humbasin vazhdimisht këto tradita, po i marrin traditat e shteteve të huaja, vendeve të tjera dhe një pas tjetrit po humbin, dhe të rejat nuk po e dinë se si dikur i kemi palosur pajat e nusërisë ose gjërat e tjera që i kemi dhe dita-ditës po i humbasim. Është mëkat, sepse janë tradita shumë të mira dhe të vjetra të qytetit tonë”, ka deklaruar ajo.

Në të njëjtën kohë është drejtuar thirrja që të ketë më shumë hulumtime dhe ekspozita të kësaj natyre.

“Një porosi e imja, që më tepër të kemi ekspozita të këtij lloji, që pakëz të përkujtojmë të rinjtë, të shohin se çka është punuar përpara, si është punuar edhe e gjithë kjo”, ka pohuar Celina.

Kjo ekspozitë është përkrahur nga Komuna e Prizrenit.

Artikuj të ngjashëm