Pas aftësimit dymujor në kursin e organizuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit, Dijedona Elezi ka realizuar projektin “Kultura n’dru”. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, autorja Elezi ka bërë të ditur se prezantimi i ansamblit të monumenteve historike të Prizrenit nëpërmjet veprave në teknikën e djegies në dru prezantohet me qëllim të ruajtjes së një artizanati të moçëm
Asetet e trashëgimisë kulturore të Prizrenit janë prezantuar në punimet e realizuara në teknikën e djegies në dru në ekspozitën e hapur në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës. Këto 35 punime me pirografi janë realizuar nga artistja Dijedona Elezi, si pjesë e përpjekjeve të saj për ta ruajtur këtë artizanat, por edhe për të promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër.
Pas aftësimit dymujor në kursin e organizuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit, Elezi ka realizuar projektin “Kultura n’dru” gjatë pesë muajve të shkuar falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, autorja Elezi ka bërë të ditur se prezantimi i ansamblit të monumenteve historike të Prizrenit nëpërmjet veprave në teknikën e djegies në dru prezantohet me qëllim të ruajtjes së një artizanati të moçëm.
“Pse kam vendosur të paraqes pirografinë ‘Kultura n’dru’? Prizreni është qytet kulturor që posedon shumë lloje të artizanateve, por po ashtu edhe djegia në dru është një artizanat i kohërave të vjetra. Përmes këtij projekti qëllimi ka qenë promovimi i këtij artizanati dhe punimet që punohen në dru si kultura e vjetër e qytetit të Prizrenit”, ka thënë ajo.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se nismat e tilla artistike që promovojnë vlerat e qytetit, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e artizanateve të vjetra, do të kenë mbështetjen e autoriteteve komunale.
“Sigurisht që është kënaqësi e veçantë që në emër të kryetarit të Komunës, z. Shaqir Totaj, ta përshëndes këtë aktivitet dhe në të njëjtën kohë në emër të Komunës së Prizrenit zotohemi që projektet e tilla, aktivitetet e tilla, ngjarjet e tilla dhe nismat e tilla do ta kenë mbështetjen e fuqishme të Komunës së Prizrenit, kryetarit të Komunës dhe të gjithë aktorëve të tjerë, të cilët janë të përfshirë në realizimin e këtyre projekteve”, ka thënë Gashi teksa ka falënderuar edhe financuesit e projektit, MKRS-në dhe Komunën e Prizrenit si bashkëpunëtore e këtij projekti në realizimin e implementimin e këtij aktiviteti.
“Është gjithmonë kënaqësi kur të rinjtë kanë nisma të tilla, kanë projekte të tilla dhe sigurisht se ato do ta gjejnë mbështetjen e Komunës në mandatin qeverisës aktual”, ka deklaruar Gashi.
{gallery}
Ekspozita e cila prezanton ansamblin e monumenteve historike të Prizrenit nëpërmjet veprave në teknikën e djegies në dru prezantohet me qëllim të ruajtjes së një artizanati të moçëm
Ndërsa Elezi ka pohuar se edhe në të ardhmen do të realizojë projekte të ngjashme që kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e artizanateve, posaçërisht atyre që kanë traditë të kamotshme e të shquar në Prizren. Ajo ka uruar që më përkrahjen e “institucioneve të ndryshme në Kosovë të realizohen punime me tema të ndryshme, që të arrijmë të mbrojmë kulturën e artizanateve”.
Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me organizatat nga Turqia, ka realizuar kurse të aftësimit në artizanate të ndryshme, si pirografi, rrobaqepësi, reliev në letër, dizajnim i stolive e qëndisje me fjongo. Në verën e vitit të shkuar janë certifikuar mbi 200 gra pjesëmarrëse në kurset artizanale të mbajtura gjatë viteve 2020 dhe 2021.