Regjisori Samir Karahoda është në përgatitje për të aplikuar për “Oscar” e në pritje të lajmit se mund të jetë në mesin e pesë filmave më të mirë evropianë. Gjithë kjo gjersa “Pa Vend” ka nisur të marrë pjesë e do të udhëtojë nëpër 20 festivale në gati po aq shtete, vetëm gjatë tetorit e nëntorit, sa janë konfirmuar deri më tash. “Jemi në pritje te rezultateve nga Akademia Evropiane e Filmit, ku në fund të muajit tetor do të kuptojmë se a do të jemi të nominuar në mesin e pesë filmave më të mirë evropianë...Në të njëjtën kohë jemi në përgatitje për të aplikuar edhe për ‘Oscars’ pasi që me çmimin e fituar në Toronto kemi fituar të drejtën që të aplikojmë”, ka thënë Karahoda për KOHËN
Stambolli është destinacioni i radhës i filmit “Pa Vend” nën regji të Samir Karahodës. Është veç një nga pikëndalesat gjatë këtyre dy muajve të bujshëm për ekipin e filmit. Në fund të këtij muaji do të bëhet e ditur nëse është në mesin e pesë filmave më të mirë evropianë. E ekipi është duke punuar për të aplikuar për “Oscar”. Egjipti, Greqia, Franca e Rusia janë pikëndalesa të tjera. Karahoda ka thënë se filmit 15-minutësh i është konfirmuar pjesëmarrja në 20 festivale, përkatësisht do të ketë shfaqje në 19 shtete të ndryshme të botës gjatë tetorit e nëntorit.
Në Stamboll rrëfimi për pingpongistët e Prizrenit që nuk dorëzohen, edhe me gjithë sfidat, do të shfaqet në kuadër të edicionit të 9-të të “Boğaziçi Film Festivali”, që do të mbahet prej 23 deri më 30 tetor.
“Secili festival i ka vlerat e veta, edhe Festivali i Filmit të Bosforit është një festival i njohur sidomos në Stamboll, ku ka prezencë të madhe të audiencës. Muaji tetor është jashtëzakonisht i ngjeshur sa i përket udhëtimit të filmit. Me sa kam informata, filmi do të jetë në 8 festivale këtë muaj, ku ka filluar në Rejkjavik, këtë javë filmi shfaqet në Qipro, javën tjetër në Egjipt, Greqi, Francë, Rusi e kështu me radhë”, ka thënë Karahoda.
Mes festivaleve është edicioni i 43-të i Festivalit Mediteran të Filmit “Cinemed”, ku është pjesë e garës kryesore. Festivali do të mbahet prej 15 deri më 23 tetor në Montpellier të Francës.
Filmi për të cilin Karahoda ka shkruar edhe skenarin bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të klubit të pingpongut, të cilët pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Një gjendje si kjo i nxit dy entuziastë – Jeton Mazreku dhe Ermegan Kazazi – të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Personazhet e luajnë vetveten, sikur të ishte 15-16 vjet më herët, por situata nuk ka ndryshuar. Kjo tregon edhe nivelin se ku gjendet sporti i Kosovës, sportet e vogla në veçanti dhe si trajtohen talentet. Rrëfimi me frakturë dokumentare është po ashtu pjesë e edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Qipro, që do të mbahet prej 9 deri më 15 tetor në Limassol.
“Pa Vend” veç sa ishte edhe pjesë e edicionit të 15-të të “Reykjavik International Film Festival”, i cili u mbajt prej 1 deri më 5 tetor.
Fillimisht pas premierës që pati më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, filmi u nominua nga Festivali për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021. Premiera kombëtare u dha në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në gushtin e sivjetmë.
“Ne jemi në pritje të rezultateve nga Akademia Evropiane e Filmit, ku në fund të muajit tetor do të kuptojmë se a do të jemi të nominuar në mesin e pesë filmave më të mirë evropianë. Ceremonia do të mbahet më 11 dhjetor në Berlin”, ka treguar Karahoda.
Kështu në shtator të këtij viti, me automatizëm është kualifikuar për rrugën e mëtejme për “Oscars” dhe do të jetë në listën e titujve që do të shikohen nga anëtarët e Academy Awards për nominimet e këtij viti.
“Në të njëjtën kohë jemi në përgatitje për të aplikuar edhe për ‘Oscars’, pasi që me çmimin e fituar në Toronto kemi fituar të drejtën që të aplikojmë. Edhe këtu në fund të muajit dhjetor do të kuptojmë se a jemi në listën e ngushtë apo jo dhe pastaj fillon edhe faza e fundit që ka të bëjë me lobim dhe promovim të filmit tek anëtaret e Akademisë”, ka shtuar Karahoda, të cilin e presin lajme me rëndësi për të si regjisor, por edhe për Kosovën sa i përket kinematografisë.
Ceremonia e 94-t e çmimeve të mëdha do të mbahet më 27 mars të vitit që vjen. Kosova zyrtarisht ka kandiduar me filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit për nominim për “Oscar”, për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.
“Pa Vend” është xhiruar në formatin e quajtur akademik 1:1, një format tepër sfidues për xhiruesin, ku hapësira fotografike është mjaft e ngushtë dhe kërkon kujdes dhe planifikim mjaft të detajuar për t’i përfshirë apo vendosur elementet në kuadër. Kështu, Karahoda nuk luan shumë me kamerë. Përvoja e tij e mëhershme si fotograf vërehet në këtë projekt filmik, në të cilin Karahoda e sfidon veten si regjisor për herë të dytë.
Filmi është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës e Komuna e Prizrenit, në kooproduksion me Televizionin Kulturor ARTE dhe mbështetur me logjistikë nga “DokuFesti”.