Që filmat e Kosovës të garojnë nëpër festivalet më të mëdha të filmit nëpër botë, është bërë pothuajse e zakonshme, dhe ky vit e vulosi këtë. Por kapitulli nuk përfundon me kaq. Tash synohet kulmi, çmimi “Oscar”. E rruga drejt tij, filmit “Pa vend” tashmë i është hapur, pas triumfit në “Toronto International Film Festival”. “Është çmimi më i rëndësishëm që kam pranuar deri më sot”, ka thënë për KOHËN regjisori i këtij filmi, Samir Karahoda. “Krejt ata që kanë pasur sukses sivjet e kanë ofruar penalltinë e tash duhet të japim gol. Për këtë duhet të kemi sa më shumë njerëz dhe nëse e huqim këtë penallti, do ta humbasim lojën”, ka thënë producenti Eroll Bilibani
“Pa vend” ia ka mësyrë që të bëjë vend edhe në ceremoninë më prestigjioze të botës ku ndahen çmimet për kinematografi, atë “Oscars”. “Vizën” që filmi të jetë në listën e titujve që do të shikohen nga anëtarët e Academy Awards për nominimet e këtij viti, projektit të Kosovës ia ka dhënë Torontoja.
“Pa vend” është fituesi i Çmimit për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Në mesin e 38 filmave nga 23 shtete, filmi nën regji të Samir Karahodës ka marrë “IMDbPRO Short Cuts Award for Best Film”. Kësisoj, me automatizëm është kualifikuar për rrugën e mëtejme për “Oscars”.
“...mahnitës me pamjen, vendndodhjet dhe personazhet e tij unike”
“Jemi duke e sjellë botën te ju”, ishte mbishkrimi i “Toronto International Film Festival” në artikullin ku u bënë të ditur filmat që garonin në edicionin e sivjetmë, të 46-in me radhë, që përfundoi mbrëmjen e së shtunës, sipas orës lokale. E një copë të botës audienca e ka parë edhe nëpërmjet “Pa vend” në festivalin që sivjet u hap në ditën e nëntë të shtatorit. Në formatin hibrid shkaku i pandemisë, mbi 100 filma kanë qenë në garë në krejt kategoritë e atij që njihet si festivali më i madh në botë sa i përket audiencës. Por ky festival nuk mban vetëm primatin e shikueshmërisë. Është prej atyre që i kualifikon filmat drejt e te anëtarët e Akademisë amerikane, që propozon filma për nominim për çmimet “Oscar”. Bile, ka shumë shembuj që projektet kinematografike që kanë fituar në Toronto janë nominuar e kanë fituar çmime “Oscar”. Një gjë e tillë është theksuar edhe në shumicën e raportimeve të mediave botërore për natën finale të “Toronto International Film Festival” duke dhënë edhe disa shembuj, veçmas të dekadës së fundit.
Janë filmat si “Room”, “La La Land”, “12 Years a Slave” dhe “Nomadland” që drejt “Oscarit” janë nisur prej festivalit kanadez.
Filmi nën regji të Samir Karahodës me producent Eroll Bilibanin shkoi atje pas premierës që pati më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, ku u nominua nga Festivali për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021, dhe lajmit se ishte pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe premierës kombëtare në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në gushtin e sivjetmë. Në Toronto filmi nga juria treanëtarëshe Sudeep Sharma, Tiffany Hsiung dhe Nicole Delaney është vlerësuar si “mahnitës me pamjen, vendndodhjet dhe personazhet e tij unike që sollën në jetë një përkushtim kishotian, por të vendosur, ndaj një sporti dhe një vendi ku artikulimi është i vështirë madje edhe në raport me veten”, shkruhet në vlerësimin e jurisë. Juria, por edhe audienca e Festivalit kanë pranuar falënderimin e regjisorit kosovar nëpërmjet një videoje.
“Nuk kam fjalë për ta shpjeguar se sa i rëndësishëm është ky çmim për mua, ekipin tim dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë projekt. Çmimin ua dedikoj të atyre për të cilët është bërë filmi, të gjithë atletëve dhe talentëve të vendit tim të vogël dhe të bukur”, u është drejtuar Karahoda. Si filmi më i mirë i shkurtër kanadez është shpërblyer “Angakusajaujuq – The Shaman’s Apprentice” nën regji të Zacharias Kunuk. Çmimin e publikut, që është kryesori, e ka fituar “Belfast” nën regji të Kenneth Branagh.
Qysh kur ishte bërë i ditur lajmi se rrëfimi për sportistët prizrenas do të jetë pjesë e garës zyrtare në TIFF, drejtoresha ekzekutive e Festivalit, Joana Vicente, kishte thënë se janë shumë krenarë për kalibrin e filmave dhe larminë e tregimeve që do të prezantojnë këtë vit.
“Është kaq e jashtëzakonshme të jesh në gjendje t'i ndash këta filma në kinema me pjesëmarrësit e Festivalit. Dhe ndërsa bota po shkon përfundimisht drejt një shkalle normaliteti, shumë nga kolegët tanë të industrisë dhe të mediave mund të mos jenë në gjendje të udhëtojnë përtej kufijve ndërkombëtarë”, kishte thënë ajo.
E masat shkaku i pandemisë kanë bërë që regjisori të mos mund të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Karahoda: “Ky sukses do të vazhdojë ta mbajë ritmin e promovimit të kinematografisë sonë”
Regjisori Samir Karahoda ka thënë se nga Torontoja u ka ardhur një alamet çmimi.
“Është çmimi më i rëndësishëm që kam pranuar deri më sot”, ka thënë ai në një bisedë telefonike për KOHËN. Të dielën ai ka qenë në Paris. Ka treguar se pos që vjen nga një festival prestigjioz e jashtëzakonisht i rëndësishëm, ka edhe një tjetër rendësi.
“Ta hap rrugën edhe për konkurrim për çmimin e Akademisë Amerikane”, ka thënë ai. Derisa ka folur për çmimin, ka thënë se përtej suksesit personal, ky triumf do të vazhdojë ta mbajë ritmin e promovimit të kinematografisë kosovare ku ky vit ishte më i miri i historisë së filmit të shtetit. Sa i përket historisë së filmit në Kosovë, Karahoda ka bërë shumë.
Në vitin 2019 me filmin dokumentar “Në mes” kishte bërë që Kosova për herë të parë të jetë në garë zyrtare për “Ariun e Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Karahoda nëpërmjet rrëfimit prej 14 minutash sillte para ekranit historinë e kosovarëve të cilët jetojnë në mërgim, por lidhjen shpirtërore me shtetin më të ri të Evropës e kanë në rend të parë. Për këtë edhe e kishte titulluar filmin “Në mes”.
Bilibani: “Moment i rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës”
Eroll Bilibani i cili është producent i dy filmave të suksesshëm të Karahodës, ka thënë se çmimi nga Torontoja i ka gëzuar pa masë pasi që nuk prisnin që të marrin trofeun kryesor. E ka përmendur faktin që bëhet fjalë për festivalin më të madh në botë sa i përket audiencës.
“Ky çmim është goxha njëfarë prestigji për secilin filmbërës. Tani filmi me siguri ka me marrë një rrugëtim më interesant në krejt Amerikën Veriore”, ka thënë Bilibani. Ka thënë se deri në fund të nëntorit “Pa vend” do të jetë në 17 festivale ndërkombëtare. Ka konfirmuar se nëpërmjet suksesit në Toronto filmi do të hyjë me automatizëm në listën e filmave të shkurtër që u jepen anëtarëve të Akademisë Amerikane për kategorinë e filmave të shkurtër.
“Është një moment i rëndësishëm në përgjithësi në kinematografinë e Kosovës. Jam në Suedi dhe kur po del jashtë Kosovës po e sheh dinamikën e filmit të Kosovës pasi i kemi zaptu krejt festivalet. Nuk ka shtet në botë momentalisht që ka pasur filma në listën e fituesve në krejt festivalet që kemi fituar ne si vend”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se e mira është që viti ende nuk ka përfunduar.
“S’ka regjisor në botë që i ka bërë dy filma dhe ka këtë sukses”
Sa u përket shpresave që “Pa vend” të nominohet për “Oscar”, ka thënë se duhet lënë kohës që ta bëjë të veten. Sipas tij, ekipi e ka kryer punën e vet kur e ka kryer filmin.
“Kemi arritur ta dërgojnë në Cannes dhe Toronto. Për ne ky ka qenë sukses. Samiri tash i ka tre bexhe të nderit: atë të Berlinales, Cannes e Torontos. S’ka regjisor në botë që i ka bërë dy filma dhe ka këtë sukses”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjithë duhet të jenë krenarë pasi janë rrëfime të vogla të Kosovës që tregojnë problemet dhe avokojnë për zgjidhje. Ka thënë se nëse shoqëria nuk i ndihmon vetes nuk mund t’iu dalin në ndihmë as donacionet e vendeve të tjera.
“Nëse punohet mirë dhe në mënyrë të sinqertë rezultati është aty. Tash ne i kemi dyert e hapura kudo. Një regjisor i njohur suedez më ftoj që të shkoj në shtëpinë e tij pasi do të dëgjojë për kinematografinë tonë. Tash topi është në anën tonë”, ka thënë ai. Ka përmendur sukseset e regjisorëve Blerta Basholli, Norika Sefa, Katrina Krasniqi, Samir Karahodës dhe disa të tjerëve që kanë bërë bujë me filmat e tyre.
“Krejt ata që kanë pasur sukses sivjet e kanë ofruar penalltinë e tash duhet të japim gol. Për këtë duhet të kemi sa më shumë njerëz dhe nëse e huqim këtë penallti, do ta humbasim lojën”, ka thënë ai.

“Zgjoi” në shkurt të këtij viti në “Sundance Film Festival” bëri histori duke u bërë filmi i parë i huaj që i fiton tri çmimet kryesore: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës.
Filmi i Luana Bajramit “Luaneshat e Kodrës” në korrik ishte dhënë premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cannes. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë, që shfaqet në ngjarjen e madhe të filmit në botë. “Luaneshat e Kodrës” nuk ishte në garën kryesore, por në atë për “Kamerën e Artë”, që ndahet për regjisorët debutues në kuadër të programeve përcjellëse të festivalit.
“Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës pas debutimit që pati në fillim të vitit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Roterdamit (IFFR), ku mori çmimin "Special Jury Award" në kategorinë “Tiger Competition”, vazhdoi me çmime si ai në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong, në kategorinë “Young cinema Competition (World)”, ku në prill mori çmimin për regjinë dhe aktoren më të mirë, e në qershor për “Aktoren më të mirë” në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia për të vazhduar edhe në Festivalin e Filmit në Sarajevë, me çmimin “Spacial Mention”, në gushtin e këtij viti.
Kurse këtë muaj Kosova ishte në Festivalin Ndërkombëtar të Kosovës në Venecie me filmin “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit. Si pjesë e garës zyrtare në kategorinë “Orizzonti”, filmi ka marrë dy çmime përcjellëse.
Më 2016 me histori lufte, më 2021 shans me këmbënguljen e talentëve
Pas filmit “Shok” që ishte histori e këtyre anëve në garë për “Oscar” më 2016, Kosova është në rrugë për një tjetër nominim: me rrëfimin që flet për këmbënguljen e talentëve drejt realizmit të ëndrrës së tyre. Rreth 7 me 15 metra është hapësira ku vepron klubi i pingpongut “Lidhja e Prizrenit”. Nuk është hapësirë e veçuar, madje as një sallë adekuate. Është veç parahyrje e sallës në qendrën sportive “Sezai Surroi”. Këtë hapësirë e konsideron të veten klubi nga ku kanë dalë një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës. Aty është xhiruar edhe një pjesë e filmit “Pa Vend”, i zhanrit docu-fiction, që përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh. “Pa vend” në 15 minuta sjell krejt peripecitë e sportistëve që pavarësisht të gjithave nuk heqin dorë nga rruga që kanë marrë. Kazazi nisi të merrej me pingpong në vitin 2004. Atëherë ishte 23-vjeçar. Qe aktiv si profesionist deri më 2018. Nuk luajti më sepse s’kishte hapësirë për stërvitje. Njësoj veproi edhe kolegu i tij, Jeton Mazreku. Por s’u dorëzuan. Përkundrazi, hapën kapitull të ri. Tavolinat e pingpongut duhej të shfrytëzoheshin ose nga ata, ose nga gjeneratat e reja. Ata zgjodhën që vetë të zmbrapseshin.
“Kam marrë pjesë nëpër turnirë, kemi pasur rezultatet të mira, por kemi mundur që të kemi rezultate ende më të mira sikur të kishin pasur një vend tonin, por përsëri jemi të kënaqur me atë që kemi arritur” kishte thënë Kazazi kur filmi ishte pjesë e garës zyrtare në Cannes. Kur “Pa vend” qe dhënë premierë vendore në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit” vetë regjisori kishte thënë se filmi është një tregim unik, që nuk mund të ndodhë në çdo vend.
“Paraqet disa shtresa apo tema, kryesisht sociale, por me fokus të veçantë luftën e heshtur të ish-lojtarëve të pingpongut, të cilët, pavarësisht sfidave të cilat i kishin, nuk u dorëzuan për ta mbajtur gjallë klubin e tyre. Në film është tema e migrimit, shpresës e mungesës së saj, diskriminimit dhe dashurisë së paparë për sportin”, ishte përshkrimi i tij. Edhe ai e kishte përmendur sensibilizimin e shoqërisë, në veçanti të institucioneve, për mungesën e hapësirave sportive dhe dëshirën e madhe të rinisë për t’i realizuar ëndrrat e tyre në një vend të pashpresë. Në rast të noiminimit, filmi do të shkonte në “Oscars” 6 vjet pasi atje u paraqit një copëz historie e luftës së fundit në Kosovë.
Rrëfimi kosovar që sprovon kufijtë miqësorë të dy fëmijëve në kohë lufte, kishte thyer kufijtë e kinematografisë botërore. “Shok” e kishte çuar zërin e Kosovës në nivelin më të lartë botëror. Si të nominuar në kategorinë “Best Live Action Short”, Academy Awards e kishte zgjedhur bashkëprodhimin midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe. Me skenar dhe regji të Jamie Donoughue e producentë Eshref Durmishin dhe Harvey Ascott, filmi “Shok” i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës kishte bërë që për pak edhe politika të kthejë sytë nga kultura. Në 21 minuta ngjarja e filmit zë vend në periudhën e luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve, Petritit (Lum Veseli) dhe Okit (Andi Bajgora) të cilët luftojnë për të mbijetuar.
“Shok” u kualifikua për garën për “Oscar” pasi fitoi në “Aspen Short Fest” të Colorados. Aty do të merrte tri çmime: “Best Drama”, “Youth Jury Prize” dhe “Audience Special Recognition”.
Automatikisht do të konsiderohej kandidat për nominim për “Oscar” pasi që Festivali i Colorados është i akredituar nga “Academy Awards”.
Nëse “Pa vend” do ta vazhdojë garën për nominim për “Oscars” do të kuptohet në fundnëntor. Ceremonia e 94-t e çmimeve të mëdha do të mbahet më 27 mars të vitit që vjen. Kosova zyrtarisht ka kandiduar filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit për nominim për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar.