Filmi për të cilin Samir Karahoda ka shkruar edhe skenarin është zgjedhur si më i miri në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Qipro. Sipas regjisorit ,“Pa Vend” deri më tani është shfaqur në tetë festivale dhe në katër prej tyre ka rrëmbyer çmime e që është një statistikë impresionuese. Vetë fakti që një çmim kryesor na vjen prej një vendi që nuk kemi marrëdhënie diplomatike, mendoj që këtë çmim e bën më special dhe njëkohësisht dërgon një porosi që në këtë vend prodhohen gjëra të mira dhe me vlera”, ka thënë Karahoda për KOHËN
“Për aftësinë e tij për të portretizuar pasionin për sportin, shpengimin e një vendi dhe të një komuniteti që dëshiron t'i japë kuptim ekzistencës së tij, përmes një tregimi të fuqishëm, rigoroz, por thelbësor dhe prekës, i cili bëhet një reflektim i thellë mbi vullnetin njerëzor”, është shkruar për filmin “Pa Vend” në regji të Samir Karahodës. Këtë vlerësim ia ka bërë juria Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Qipro kur ia ndau çmimin si filmi i mirë për edicionin e sivjetmë.
Rrëfimi me frakturë dokumentare ishte pjesë e edicionit të 11-të që u mbajt në Limassol dhe nisi më 9 tetor e përfundoi më 15 tetor.
Filmi për të cilin Karahoda ka shkruar edhe skenarin bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të klubit të pingpongut, të cilët pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Një gjendje si kjo i nxit dy entuziastë – Jeton Mazreku dhe Ermegan Kazazi – të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Personazhet e luajnë vetveten, sikur të ishte 15-16 vjet më herët, por situata nuk ka ndryshuar. Kjo tregon edhe nivelin se ku gjendet sporti i Kosovës, sportet e vogla në veçanti dhe si trajtohen talentet.
Karahoda, i cili debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes” dhe me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, e ka konsideruar festivalin në Qipro si shumë me fat.
“Mendoj që është një festival me fat për neve pasi që edhe me filmin e kaluar para dy vjetësh ishim shpërblyer me nominim për Akademinë Evropiane të Filmit. Vetë fakti që një çmim kryesor na vjen prej një vendi që nuk kemi marrëdhënie diplomatike, mendoj që këtë çmim e bën me special dhe njëkohësisht dërgon një porosi që në këtë vend prodhohen gjëra të mira dhe me vlera”, ka thënë Karahoda. Ka thënë se deri më tani janë shfaqur në tetë festivale dhe në katër prej tyre kanë rrëmbyer çmime që, sipas tij, është një statistikë impresionuese.
Fillimisht pas premierës që pati më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes filmi u nominua nga Festivali për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021. Premiera kombëtare u dha në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në gushtin e sivjetmë.
“Pa Vend” ishte fitues i Çmimit për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Kështu, në shtator të këtij viti me automatizëm është kualifikuar për rrugën e mëtejme për “Oscars” dhe do të jetë në listën e titujve që do të shikohen nga anëtarët e “Academy Awards” për nominimet e këtij viti. Mori edhe Çmimin Special të Jurisë në edicionin e 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.
Filmi 15 minutësh është xhiruar në formatin e quajtur akademik 1:1, një format tepër sfidues për xhiruesin, ku hapësira fotografike është mjaft e ngushtë dhe kërkon kujdes dhe planifikim mjaft të detajuar për t’i përfshirë apo vendosur elementet në kuadër. Kështu, Karahoda nuk luan shumë me kamerë. Përvoja e tij e mëhershme si fotograf vërehet në këtë projekt filmik në të cilin Karahoda e sfidon veten si regjisor për herë të dytë.
Filmi është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës e Komuna e Prizrenit, në kooproduksion me Televizionin Kulturor ARTE dhe mbështetur me logjistikë nga “DokuFesti”.