Bashkëkuruar nga Anyla Kabashi, ekspozita ka strehuar narrativa, kontekste dhe përvoja të jetuara nga personat “queer” në Kosovë, e pasqyrimi i tyre është vendosur në fotografitë e shkrepura gjatë ditëve ndërkombëtare për individët “queer”, të cilat i organizon qendra “CEL”. Fotografitë mbajnë në vete detaje që e zbërthejnë tregimin në thellësi. Çdo seri është e përbërë nga tri imazhe kyç, të shoqëruara pastaj nga fotografi të tjera shtesë, për ta krijuar të gjitha bashkë portretin e përditshmërisë, ritualeve personale dhe momentet e vogla të zbulimit të vetes
“Unë jam, as pse, as nuk! E tokës, e ujit, e ajrit, e zjarrit”, “Gjatë vitit të fundit, leximi dhe shkrimi më kanë ndihmuar shumë me shëndetin mendor”, “Stonewall jeton në çdo akt revolte ‘queer’” e “Identitetet “queer” nuk duhet të fshihen apo të heshtën më kurrë”, janë vetëm disa nga deklaratat e personave “queer” të shoqëruara me fotografitë që ka realizuar fotografja dhe disenjatorja Zana Begolli. Ato janë përmbledhur në një ekspozitë me titull “Nuk do të rri në heshtje”, e cila është hapur të mërkurën në hapësirat e qendrës “Barabar” në hotelin “Grand” të Prishtinës, organizuar nga Qendra për Barazi dhe Liri e Komunitetit LGBTQI+ në Kosovë (CEL).
Bashkëkuruar nga Anyla Kabashi, ekspozita ka strehuar narrativa, kontekste dhe përvoja të jetuara nga personat “queer” në Kosovë, e pasqyrimi i tyre është vendosur në fotografitë e shkrepura gjatë ditëve ndërkombëtare për individët “queer”, të cilat i organizon qendra “CEL”.
Fotografitë mbajnë në vete detaje që e zbërthejnë tregimin në thellësi. Çdo seri është e përbërë nga tri imazhe kyç, të shoqëruara pastaj nga fotografi të tjera shtesë, për ta krijuar të gjitha bashkë portretin e përditshmërisë, ritualeve personale dhe momentet e vogla të zbulimit të vetes. Disa sosh shpalosin mënyrën se si veshja dhe të shprehurit e vetes reflektojnë rritje personale, disa lundrojnë mbi dashurinë si element natyror, e disa e paraqesin “drag-un” si identitet dhe performancë. Mes tyre përfaqësohet edhe procesi i shërimit prej traumave, rimarrja e kreativitetit dhe shëndeti mendor në përgjithësi.
Në hapje të ekspozitës ka folur Fjolla Hajrizaj, e cila ka ftuar të pranishmit ta ndiejnë përmes fotografisë punën e zellshme të autores Begolli.
“Kjo ekspozitë e shënon një punë shumë të madhe, njëvjeçare, të Zanës, e cila ka sjellë përmes fotografive histori të ndryshme, të cilat besoj që do të mbahen gjatë në mend. Zanën e kemi edhe disenjatore, edhe fotografe dhe punën e saj mund ta shihni përmes fotografisë së saj ‘Grid Visuals’”, ka thënë ajo.
Një pjesë e madhe e fotografive janë bardhezi, e përmes dritës dhe hijes jehon kujtesa, ajo kujtesë që tregon se historitë “queer” kanë qenë gjithmonë të pranishme në shoqëri, edhe kur ato kanë qenë të padukshme. Në ato fotografi që s’janë bardhezi, ngjyra shërben si simbol i emocionit, kujtesës dhe pranisë.
Personat “queer” përballen me sfida të llojeve të ndryshme, gjykohen për mënyrat e të jetuarit, të daljes hapur, për mundin për ta gjetur sigurinë me çdo kusht.
Në projekt, disa persona janë përfshirë për herë të parë, duke ndarë historitë e tyre sefte, disa sosh janë rikthyer dhe kanë rrëfyer sërish. Të shumtë janë edhe ata që akoma nuk ndihen të sigurt për të folur hapur, e puna e filluar për këtë projekt qysh në fillim të vitit, sipas fotografes Zana Begolli, është kurorëzuar me këtë ekspozitë, duke vlerësuar në këtë mënyrë të gjithë personat “queer”.
“E gjithë puna që e shihni sonte është krijuar me dashuri e kujdes prej fillimit të këtij viti me qëllim që t’i vlerësojmë të gjithë personat ‘“queer”’. Përmes ndjeshmërisë së përbashkët ne i njohim përvojat tona, historinë e të tjerëve, të kaluarën, të tashmen dhe shpresat për ata që do të vijnë”, ka thënë ajo.
Projekti ka për qëllim të festojë çdo Ditë Ndërkombëtare “queer” dhe të krijojë hapësirë ku çdo identitet dëgjohet dhe duket. Këtë e ka theksuar edhe vetë autorja.
“Jam munduar ta krijoj një hapësirë të sigurt ku çdo zë dëgjohet, shihet dhe vlerësohet. Përmes krejt kësaj hapësire që ua kam dhënë njerëzve të tjerë dhe gjithë procesit të punës bashkë me plot njerëz, kam arritur që edhe unë ta ndaj një pjesë të madhe të stories sime personale, e cila është shumë emocionale dhe e rëndësishme për mua”, ka shtuar Begolli.
Ajo nuk ka bërë intervista formale me pjesëmarrësit, prej tyre ka kërkuar biseda të gjalla, personalisht apo online, që t’i dëgjojë e të bëhet në njëfarë forme zë i tyre.
“Identitetin dhe ekzistencën tonë nuk mundet askush të na ndryshojë e as të na mohojë”, ka thënë Zana Begolli, puna e së cilës përthekon dizajnin grafik, ilustrimin dhe artin konceptual e fotografinë, duke zbërthyer çështje shoqërore, si shëndetin mendor e të drejtat “queer”.
Nga organizata “CEL”, e cila prej më shumë se një dekade synon të jetë bartëse e krijimit të një shoqërie progresive, të larmishme dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, drejtori ekzekutiv i organizatës, Blert Morina, ka theksuar se qëllimi i ekspozitës është që të rritet dukshmëria e portreteve të realizuara.
“Ideja e ekspozitës ka filluar qysh në fillim të vitit, për shkak që ne shënojmë disa ditë ndërkombëtare për personat ‘“queer”’. Ideja ka qenë që të gjitha këto portrete të realizuara gjatë vitit në këto ditë ndërkombëtare për të drejtat e personave LGBTI, të finalizohen dhe ta marrin visibiletetin e duhur në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Ka treguar se pjesë e fushatave ndërkombëtare për vetëdijesim janë shumë persona dhe një pjesë e tyre janë personifikuar në imazhet e ekspozitës.
“Ajo çka mund të shohim sonte janë disa portrete të individëve të ndryshëm dhe jeta e tyre në baza ditore në ambiente të ndryshme ose me hobbyt e tyre që i zhvillojnë në Kosovë dhe kemi arritur që të paktën një pjesë të portreteve t’i ekspozojmë, sepse ka shumë më shumë persona që kanë qenë pjesë e kampanjave ndërkombëtare”, është shprehur Morina.
Kjo është hera e dytë që ekspozita çelet për publikun. Në konferencën “ERA”, të mbajtur sivjet më 24 nëntor në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë është paraqitur për herë të parë puna e Begollit.