Kur panairet e artit nëpër botë u anuluan, disa galeri në Evropën Juglindore, përfshirë edhe “LambdaLambdaLambda”, që gjendet në qendër të kryeqytetit, për tri ditë ofruan art online përmes asaj që e titulluan “Not Cancelled East x South”.
Ishte një mënyrë për të komunikuar me botën, pasi që u mungonte dukshmëria në tregjet jashtë vendeve ku veprojnë. Organizimi i projektit që përfundoi të mërkurën sipas Katharina Schendl, bashkëthemeluese e galerisë “LambdaLambdaLambda” së bashku me Isabella Ritter, ishte i thjeshtë. U kishin mjaftuar disa shkëmbime të mesazheve në mënyrë elektronike dhe disa telefonata.
Kështu ishin bërë bashkë 17 galeri dhe ishte prezantuar online puna e 18 artistëve. Galeria kosovare në këtë ngjarje prezantoi veprat e artistit Dardan Zhegrova, i cili posa është kthyer nga rezidenca e tij në “Swiss Institute” në New York. Në funksion të këtij organizimi ishte vënë në funksion ueb-faqja (www.notcancelled.art/eastsouth).
Edhe galeritë e tjera pjesëmarrëse kanë prezantuar punët e artistëve vendorë. Përveç “LambdaLambdaLambda”, në këtë projekt morën pjesë edhe galeritë “Ani Molnar”, “Kisterem” e “Trapez” të Hungarisë, “Plan B”, “Sabot”, “Ivan” e “Suprainfinit” në Rumani, “Eugster” në Serbi, “Sariev” në Bullgari, “The Breeder” në Greqi, “Öktem Aykut” në Turqi, “E.A Shared Space”, “LCQueisser”, “Nectar”, “Patara” e “WindowProject” në Gjeorgji.
Kjo pjesëmarrje e galerive solli emra të njohur në fushën e artit, por edhe artistë të rinj. Në mesin e tyre ishin artisti hungarez Zsolt Asztalos, i cili e përfaqësoi vendin e tij në Bienalen e Artit në Venecia në vitin 2013, piktori Toygun Özdemir, punët e të cilit shpeshherë janë rekomanduar nga faqe të njohura të artit si “Artnet”, pastaj artistja nga Gjeorgjia Maia Naveriani, vepra e bashkëkohore e së cilës “Future Wolves and Chicks So Far” para pesë vjetëve ishte pjesë e panairit me prestigjioz të artit, “Pulse” në New York.
Katharina Schendl nga “LambdaLambdaLambda” ka thënë për KOHËN se ideja e të bërit bashkë këto galeri nga regjioni i gjerë, lindi nga emëruesi i përbashkët i të gjitha galerive, të vepruarit në periferi të tregut të artit bashkëkohor, duke qenë të gjitha përfaqësuese me rëndësi të skenës së artit në vendin ku veprojnë në një kontekst global.