Më 8 mars 1994, forcat policore serbe gjithë hakërrim do të mësynin ngrehinën e Institutit Albanologjik. Grupe me policë civilë e aso të armatosur gjer në dhëmbë nuk kursyen as stafin akademik të Institutit, shkruan sot Koha Ditore.
Prej dhunës kishte pësuar lëndime jo të vogla në kokë, dorën e majtë e shpinë edhe Anton Çetta. Por emri i tij tashmë kishte kapërcyer atë të një studiuesi, që prej dekadash po sistemonte lëndën e pasur të folklorit shqiptar.
I dashur për të gjithë, Plaku i urtë, siç njihej ai në popull, bashkë me “Komitetin Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve” ia kishte dalë mbanë që të pajtonte mbi 900 gjaqe. Kështu ishin shpëtuar jetët e rreth katër mijë familjeve të hasmëruara në Kosovë. Të premten, ai do t’i mbushte 100 vjet.
Por, Instituti Albanologjik dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në përvjetorin e tij jubilar. Shtatorja e Çettës e derdhur në bronz qysh në tetor të 2018-s, edhe për një kohë do të qëndrojë në atelienë e skulptorit ferizajas Agon Qosa.
Por pas tre vjet mosmarrëveshjesh mes Institutit Albanologjik dhe Komunës së Prishtinës, gjërat më në fund duket se do të marrin epilog.
Edhe
Veprat e Çettës botohen pas zvarritjes pesëvjeçare, shtatorja pa vend
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar zyrtarizimin e caktimit të lokacionit te Fakulteti i Filologjisë. Siç ka raportuar gazeta, një opsion i tillë qe përmendur qysh në shkurt të vitit të kaluar.
(Shkrimin e plotë mund ta lexon sot në gazetën “Koha Ditore”)