Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar lëshimin e raketave balistike drejt një baze të përdorur nga ushtria amerikane në Jordani dhe ka sulmuar 10 anije në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Sulmet vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës. Përplasjet e fundit kanë ndërprerë një periudhë relativisht të qetë dhe kanë prekur drejtpërdrejt objektiva ushtarake, transportin detar dhe infrastrukturën energjetike.
Sipas Gardës Revolucionare Iraniane, raketat balistike u drejtuan ndaj një baze pranë Al Azras në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane, raportoi Reuters.
Edhe një zyrtar amerikan deklaroi se sulmi ishte joefektiv dhe se të gjithë trupat amerikane në bazë ishin të sigurt.
Sulmi në Jordani shënon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë të Iranit me objektivat amerikane në rajon. Teherani ka goditur më herët edhe pozicione amerikane në Jordani, ndërsa një sulm në korrik kishte shkaktuar vdekjen e të paktën dy pjesëtarëve të ushtrisë amerikane.
Përshkallëzimi është shtrirë edhe në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Edhe
SHBA-ja godet disa cisterna iraniane pranë ishullit Kharg
Garda Revolucionare deklaroi se kishte sulmuar 10 anije, mes tyre dy anije amerikane dhe tetë cisterna nafte, të cilat po përpiqeshin të kalonin në një zonë të shpallur nga Irani si “e ndaluar dhe e pasigurt”.
Ngushtica është kthyer në një pikë kyç të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit. SHBA-ja po përpiqet të mbajë të hapur rrugët e transportit të naftës drejt tregjeve botërore, ndërsa në të njëjtën kohë synon të kufizojë eksportet iraniane përmes një bllokade.
Tensionet në Hormuz kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në tregjet energjetike. Çmimi i naftës Brent u rrit sërish gjatë tregtimit të së mërkurës dhe iu afrua nivelit prej 100 dollarësh për fuçi.