Kulturë

Anton Çetta, figurë uniteti ndër shqiptarët

Perurohet shtatorja e Anton Cettes ne kampusin e UP-se per 28 Nentor

Në nderim të veprës së tij, të hënën më 28 Nëntor është përuruar shtatorja e Çettës përballë Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Është vlerësuar si figurë e unitetit ndër shqiptarë. Në prani të udhëheqësve institucionalë të Kosovës e të Shqipërisë, vajzat e Çettës, Donia dhe Agata bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, kanë zbuluar shtatoren e punuar nga skulptori Agon Qosa. Me këtë rast edhe i është dhënë fund sagës që e ka shoqëruar procesin e prirë nga Riza Krasniqi, bashkëpunëtor i Çettës e pjesë e Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores

Jo larg hapësirës ku i është vendosur shtatorja, Anton Çetta kishte vendin e punës për një kohë të gjatë. Por në ditë të vështira, i ishte dashur që t’i linte zyrat e Institutit Albanologjik të Prishtinës, për t’iu rrekur regjioneve të ndryshme të Kosovës. Kësaj radhe jo për të mbledhur e dokumentuar tradita e folklor, por për një tjetër mision: atë të pajtimit të shqiptarëve. “Plaku i urtë” është veç një prej epiteteve që ai do të merrte në fillim të viteve ’90 kur mbi një mijë familje falen gjakun e familjareve të tyre me ndërmjetësimin e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve që i printe Çetta.

Në nderim të veprës së tij, të hënën me 28 nëntor është përuruar shtatorja e Çettës përballë Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Është vlerësuar si figurë e unitetit ndër shqiptarë. Në prani të udhëheqësve institucionalë të Kosovës e të Shqipërisë, vajzat e Çettës, Donia dhe Agata bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, kanë zbuluar shtatoren e punuar nga skulptori Agon Qosa. Me këtë rast edhe i është dhënë fund sagës që ka shoqëruar procesin e prirë nga Riza Krasniqi, bashkëpunëtor i Çettës e pjesë e Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores.

Historiani e profesori universitar, Jahja Drançolli, ka thënë se figura e Çettës tejkalon kriteret partiake e politike.

“Kjo shtatore nuk është ngritur me kriteret partiake apo politike, por ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindje të fortë njerëzore që vepra e profesor Çettës bart vlera që nderojnë çdo shqiptarë kudo që është”, ka thënë ai. Sipas Drançollit, profesor Çetta nxori disa breza studiuesish dhe profesorësh të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

“Në vitin 1990 në tubimin te Verrat e Llukës për herë të parë në historinë e shqiptarëve u mblodhën në një vend mbi 500 mijë njerëz, kjo ngjarje mund të inkuadrohet në radhën e kuvendeve të historisë sonë siç ishte ai Kuvendi i Lezhës dhe ai i Prizrenit”, ka thënë ai.

Poshtë shtatores, pos emrit të Çettës, gjendet edhe mbishkrimi me fjalët e tij “Obligimet ndaj atdheut nuk kanë kufij”.

Bashkëpunëtori i Çettës, Riza Krasniqi ka përmendur këtë fjali bashkë me kontekstin në të cilin është thënë. Ka treguar se në një rast të shtëpisë nuk pranonte ta falte gjakun me arsyetimin se familja e tij kanë dhënë shumë për atdheun dhe se arsyetimi që të falet për çështje kombëtare nuk zinte shumë vend. “Në këtë rast të gjithë prisnim se çfarë do të thoshte profesori Çetta. Dhe ai tha: ‘Oda ku jemi ka kufij, fshati ku jemi ka kufij, Kosova ka kufij, bota po ashtu ka kufij, por obligimet ndaj atdheut nuk kanë kufij’”, ka kujtuar Krasniqi. Më pas ishte shtrirë dora e pajtimit. Krasniqi ka falënderuar krejt ata që kanë falur gjaqet, duke thënë se ata janë heronjtë e vërtetë.

“Gjaqet u falën për çështjen kombëtare, sepse pas çdo falje e pajtimi ne ishim të fort dhe liria ishte një hap më afër. Kur flasim për profesorin virtyti i tij i parë ishte ndershmëria e tij. Edhe e udhëhoqi lëvizjen ndershëm. Dihet se kur lideri është i ndershëm edhe populli është i ndershëm”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një fjalim të gjatë para të pranishmëve duke përmendur krejt veprimtarinë e Çettës si studiues e mbledhës i folklorit deri te Lëvizja për faljen e gjaqeve.

“Profesor Anton Çetta vërtet i veçantë ishte, të gjithë ia njohim punën e palodhshme dhe të jashtëzakonshme që e kreu në punën e pa lodhshme që e kreu me punën e prozës popullore. Profesor Çetta themeloi dhe udhëhoqi komunitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi traditën shekullore të vëlla vrasjes duke pajtuar rreth 1800 gjaqe rreth 30 mijë ngatërrime”, ka thënë midis të tjerash ai.

Janë dashur katër vjet që të marrë epilog zyrtar vendimi për hapësirën ku do të vendosej shtatorja. Kuvendi Komunal i Prishtinës në nëntor të vitit 2020 kishte vendosur që shtatorja e Çettës të vihej në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor

E financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, shtatorja ka kushtuar 60 mijë e 800 euro.

Paraprakisht, në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.

Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit 2019, gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.

Në nëntor të vitit 2020 i ishte dhënë jetë edhe një tjetër projekti. Më në fund qe botuar kompleti i veprave të Çettës

Në janar të vitit të kaluar Ipeshkvia e Kosovës kishte vendosur që ta vendoste një tjetër shtatore të mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë bashkë me një shtatore të presidentit Ibrahim Rugova. Familja Çetta nuk ishte pajtuar. Kishte reaguar publikisht.

“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhet në reagimin e familjes. Sipas familjes, “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës”, pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. “Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, kishin vlerësuar vajzat e tij.

Pas reagimit të vajzave të pajtimtarit Çetta, Ipeshkvia ishte tërhequr nga vendimi edhe për gjoja “padenjësinë sakramentale” të Çettës.

Gjatë ditës së hënë është hapur po ashtu ekspozita për jetën dhe veprën e Çettës në Bibliotekën Kombëtare. Aty nëpërmjet imazheve e përshkrimeve nxirret në pah veprimtaria familjare prej gjyshit të tij e më pas.