Objekti, dikur qendër e jetës artistike dhe shoqërore në kryeqytet, tash i lënë në harresë, i mbyllur dhe i tjetërsuar, kulmin e brutalitetit e pati me djegien e fundit, një vit më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit kishte ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka një plan për ndërhyrje emergjente, por s’ka raport për dëme. Azbesti në kulm shihet si telashe për intervenim. E largimi i azbestit ngelet punë që s’e ka kush në plan
Ish-“Kino Rinia” në lagjen “Qafa” në Prishtinë, e lënë pas dore prej kohësh, ka imazhin e njëjtë edhe kur kanë kaluar më shumë se një vit prej zjarrit që e kaploi më 7 shkurt të vitit të kaluar. E vetmja masë e ndërmarrë qe rrethimi për shkaqe sigurie si rrjedhojë e gjendjes së rëndë fizike të objektit të mbrojtur në letër nga shteti si aset i trashëgimisë kulturore. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka bërë me dije se ka plan për ndërhyrje emergjente derisa ende nuk ka raport për vlerësim të dëmeve.
Objekti, dikur qendër e jetës artistike dhe shoqërore në kryeqytet, tash i lënë në harresë, i mbyllur dhe i tjetërsuar, kulmin e brutalitetit e pati me djegien e fundit, një vit më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit kishte ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. QRTK-së dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve u ishte rekomanduar të bëjnë vlerësim të dëmeve nga zjarri.
Nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kanë bërë me dije se ky raport nuk është hartuar.
“Raporti përfundimtar për vlerësimin e dëmeve ende nuk ka mundur të hartohet, pasi paraprakisht duhet të përfundojë procesi i largimit të mbulesës së kulmit që përmban material asbesti”, thuhet në përgjigjen e tyre për KOHËN.
Sipas QRTK-së, materialin duhet hequr një kompani e specializuar.
Edhe
Ish-“Kino Rinia” 69 ditë pas zjarrit, objekt i rrezikshëm pa vlerësim dëmesh
“Vetëm pas trajtimit dhe largimit të këtij materiali të rrezikshëm nga një kompani e specializuar, ekipet profesionale do të mund të kryejnë inspektimin e plotë dhe vlerësimin e saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri”, thuhet më tej në përgjigje.
Prej kohësh godina kishte shenja të theksuara degradimi. Shkatërrimi fizik i saj është edhe zhdukje e një pjese të memories urbane e të identitetit kulturor të komunitetit. Prej vitesh, s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë. Madje duke dhënë edhe afate. Zjarri i fundit ishte rikonfirmim i gjendjes së mjerueshme. Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim. E një vit pas zjarrit të fundit institucioni lokal, s’ka përgjigje se si do të veprohet.
Objekti në lagjen “Qafa” në kryeqytet u fut në Listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në tetor të vitit 2021. Një vit më pas, në korrik të vitit 2022, kur Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim një gjë të tillë e konsideroi si fitore të një beteje të gjatë ligjore.
Po në ditën që e bëri të ditur këtë lajm, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte paralajmëruar se do të niste plani i rivitalizimit të objektit.
“Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”, kishte shkruar ai në rrjete sociale.
I vetmi hap që është marrë aty është rrethimi i pjesës së hyrjes në mënyrë që askush të mos ketë qasje në të. Sipas QRTK-së në Prishtinë, heqja e azbestit në kulmin e objektit u hap rrugë hapave të tjerë për ndërhyrje në ndërtesë.
Edhe
Ish-shtypshkronja “Rilindja” e kapluar nga zjarri pret vlerësimin e dëmeve
“Ndërkohë, masat për sigurimin e ndërtesës janë propozuar dhe miratuar nga institucionet kompetente, ku një pjesë e tyre tashmë është realizuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës. Po ashtu, ekziston një Plan për Ndërhyrje Emergjente, i cili parasheh fillimisht largimin e asbestit, e më pas vazhdimin me vlerësimin teknik dhe përcaktimin e hapave të mëtejmë për ndërhyrje në ndërtesë”, shkruhet në përgjigjen e tyre.
Ka qenë “Shtatëmbëdhjetë”, organizata e cila për një ditë, në fund të prillit të vitit 2023, ia dha funksionin kulturor “Kino Rinisë” me promovimin e librit “Kino Rinia – Zërat paralel” dhe premierës së dokumentarit “Parallel Voices”. Në 12 minuta sa zgjaste dokumentari me autor Gazmend Bajrin, “ekrani” i ish-“Kino Rinisë” dokumentonte gjendjen e mëparshme të vetë institucionit të dikurshëm. Libri nga grup autorësh është dokumentim i rrënjësishëm i kësaj kinemaje ikonë.
Zjarri i 7 shkurtit të vitit të kaluar s’është i pari për këtë objekt. Gjatë viteve ’60, ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si kinema edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët. Ka qenë 6 shkurti i vitit 1952, kur aty për herë të parë u ndez projektori.
Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.

Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe Gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 në ish-objektin e “Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.
Në qershorin e vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës ishin në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.
Edhe
Qytetarët kërkojnë vlerësim e kompensim për shtëpitë e shembura në Rrugën A
Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.
Përkohësisht funksionin e dikurshëm të “Kino Rinisë” e ngjalli edhe bienalja “Manifesta 14” me edicionin e saj në Prishtinë në verën e vitit 2022 që kishte për koncept rikthimin e hapësirave të braktisura. Qe një nga 25 lokacionet e Bienales Nomade Evropiane. “Kino Rinia” e dikurshme u ringjall me veprën “Sometimes It Was Beautiful” të artistit Christian Nyampeta, me të cilën u realizua rikthimi i përkohshëm i kinemasë. Shfaqje filmi, audio e karrige kishte qenë përbërja e instalacionit të artistit nga Ruanda.