Kulturë

Një muzikant përballë një dëgjuesi në festivalin “DAM”

Ndryshe nga sallat koncertale, dhoma në hyrje të galerisë “Paper” për afro tri orë ishte vendtakim i instrumentistes me publikun.

Edicioni tektonik i festivalit “DAM”, në kuadër të projektit “Afër”, ka përballur një dëgjues me një instrumentist. Hapësira mes tyre është mbushur me tinguj.

“Another Noise” është interpretuar për njëmbëdhjetë herë nga flautistja Nina Shala. Në secilin interpretim për secilin dëgjues, ajo ka marrë një emocion ndryshe.

Vepra “Another Noise”, që zbërthehet nëpërmjet flautit dhe elektronikës, sjell tinguj që janë vazhdimisht në transformim.

Edicioni i 15-të i festivalit “DAM”, përmes aktiviteteve të vazhdueshme, është përpjekur ta ruajë lidhjen me publikun.

Një performancë të ngjashme me atë të flautistes Nina Shala dëgjuesit mund ta përjetojnë edhe më 26 nëntor dhe 3 dhjetor në dhomën e parë të galerisë “Paper”, e cila do të jetë një hapësirë për realizimin e projekteve të ndryshme artistike.