Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” – ura letrare e Ag Apollonit me lexuesin slloven

Përkthyer nga përkthyesi i njohur, Nikollë Berishaj, në sllovenisht vepra merr titullin “Iskra upanja, iskra vžigalice”, botuar nga shtëpia botuese “KUD Sodobnost”.

Përkthyer nga përkthyesi i njohur, Nikollë Berishaj, në sllovenisht vepra merr titullin “Iskra upanja, iskra vžigalice”, botuar nga shtëpia botuese “KUD Sodobnost”.

Doku-romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni dhe rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë, e ka tërhequr kaherë “fijen” e përkthimeve të veprave të Ag Apollonit. Për këtë vit e ka nisur që në muajin e parë. Sllovenishtja është gjuha e radhës e kësaj vepre e cila deri më tash flet edhe në holandisht, anglisht, gjermanisht, malazezisht, rumanisht, frëngjisht, pret botimin në anglisht dhe në gjuhë të tjera

Një prej veprave më domethënëse të letërsisë bashkëkohore shqipe e shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apolloni, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e ndërkombëtarizon edhe më tej historinë e sakrificës dhe të vetëflijimit. Mbi të gjitha të dhimbjes e pasojave të luftës në Kosovë. Reflektimi i Apollonit mbi jetën, kujtesën, dhimbjen dhe shpresën njerëzore, për herë të parë flet edhe në sllovenisht.

Përkthyer nga përkthyesi i njohur Nikollë Berishaj, në sllovenisht vepra merr titullin “Iskra upanja, iskra vžigalice”, botuar nga shtëpia botuese “KUD Sodobnost”.

Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se secili përkthim në një gjuhë tjetër e zgjeron rrethin e lexuesve.

“Kështu që, më vjen mirë që tashmë ky roman është edhe në gjuhën sllovene. ‘KUD Sodobnost’ paraprakisht e pati botuar një pjesë të romanit në revistën e vet, dhe tani e ka botuar edhe si libër”, është shprehur ai në një përgjigje për KOHËN.

Kjo është vepra e parë e tij e përkthyer në gjuhën sllovene.

E shkrimtari Apolloni ka bërë me dije se së shpejti një tjetër vepër e tij do të përkthehet në një gjuhë të huaj, ndërsa “Një fije shprese, një fije shkrepëse” pret të flasë edhe në gjuhë të tjera.

“Ky roman tashmë është përkthyer edhe në bullgarisht dhe është në proces në disa gjuhë të tjera, për të cilat besoj që nga shtëpia botuese ‘Bard Books’ do t’ju njoftojnë me kohë. Ndërkohë që së shpejti në gjuhën angleze do të dalë edhe romani ‘Ulurima e ujkut’”, ka treguar Ag Apolloni, autor i shumë veprave të tjera të vlerësuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe të përkthyera në gjuhë të ndryshme.

“KUD Sodobnost” bën me dije në ueb-faqen e vet se drejtojnë ambiciet e tyre drejt teksteve të zgjedhura me kujdes dhe me cilësi të lartë nga autorë vendas dhe të huaj. Në kuadër të saj është edhe revista “Sodobnost”, më e vjetra në Slloveni për letërsi dhe kulturë. Është midis katër revistave letrare më të vjetra në Evropë. Në vitin 2024, kjo revistë pati botuar një pjesë të romanit “Një fije shprese…”.

Përkthimi i veprës në gjuhën sllovene nuk është thjesht një transferim gjuhësor i veprës, por edhe akt kulturor përmes të cilit lexuesi slloven mund të njihet me përvojat historike, emocionale e shpirtërore që përshkruajnë realitetin shqiptar.

Pos lexuesve sllovenë, në rafte e kanë edhe ata holandezë, anglezë, gjermanë, malazezë, rumunë e francezë. Romani dokumentar është botuar në shqip në vitin 2020 dhe deri tash është përkthyer në shtatë gjuhë.

“Një fije...” – që ka marrë çmimin e Ministrisë së Kulturë për romanin e vitit më 2020 – e ka tërhequr kaherë “fijen” e përkthimeve të veprave të Apollonit. Për këtë vit e ka nisur që në muajin e parë.

Doku-romani i shkruar me një stil të veçantë, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni, rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Teksa ndërlidhet me një sërë faktesh e statistikash reale, romani rrëfen edhe vuajtjet e dy nënave, të cilave ua kishin vrarë djemtë në luftë; atë të Ferdonije Qerkezit dhe Pashkë Markut.

Vitin e kaluar e pati përkthimin e fundit të kësaj vepre, po në janar. “Një fije shprese…” u përkthye në rumanisht nga Marius Dobrescu, i cili njihet për përkthimin e dhjetëra librave të Kadaresë në gjuhën rumune.

Po atëherë Apolloni pati paralajmëruar se doku-romani i tij do të përkthehet në sllovenisht dhe në dy gjuhë të tjera.

“Një pjesë është botuar në një revistë sllovene, ndërsa romani është në fazën përgatitore të botimit”, pati thënë Apolloni, i cili përveç poezive, dramave dhe studimeve, ka botuar edhe disa libra të tjerë në prozë, si: “Ulurima e Ujkut” (2013), “Zazen (2014), Mesjeta ime (2019), Kësulëkuqja, përrallë për të rritur (2022) dhe “Sikur t’isha djall” (2024), e siç shkruhet në biografinë e tij, “prej disa vjetësh e prezanton letërsinë shqipe nëpër vende të ndryshme të Evropës”. Së fundmi edhe në Universitetin e Harvardit.

“Një fije...” nuk i është dashur shumë kohë që të kapërcejë kufijtë në shtatë gjuhë. Pos kritikës vendore, ai është çmuar edhe nga ajo ndërkombëtare.

Ky sukses i radhës i romanit dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit dëshmon se fjala e fuqishme letrare mbetet gjithmonë një fije shprese dhe një shkrepëse që ndrit mendjen e shpirtin e lexuesve.