Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” rikthehet për të mos harruar

Në esencë, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dokumenton një kapitull nga ngjarjet e luftës, me historinë e Pashke Markajt dhe Ferdonije Qerkezit, por sa herë që rivjen te lexuesi, si jehonë ka ngulimin për të mos harruar historinë e tyre e të luftës së fundit në Kosovë. Njësoj ka qenë edhe përurimi i sërishëm i këtij romani – thirrje jo për veprën, por për rileximin e asaj që trajton, e që rrezikohet nga harresa

Ka kohë që është botuar, kritika për të janë shkruar gjithandej, është shpërblyer tashmë, është ribotuar tri herë dhe përurimi i sërishëm i “Një fije “Një fije shprese, një fije shkrepëse” duket në fakt si paralele me esencën e tij: të mos harrohet ajo që trajton.

Tingujt e lehtë dhe melankolik të poezisë “Les Feuilles Mortes” (Gjethet e vdekuna) të Zhak Prevert, të recituara dhe kënduara nga Yves Montad, kanë qenë intro e përurimit, jo të zakonshëm, që më shumë i ka ngjarë një mbrëmjeje ku autori e miqtë e tij kanë bashkëbiseduar jo vetëm për romanin që i ka mbledhur të premten mbrëma në librarinë “Bardhi” në Prishtinë, por për letërsinë e misionin e saj.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i botuar për herë në nëntor të vitit 2020 nga “Bard Books”, është dokuroman, i cili flet për luftën e fundit të Kosovës në përgjithësi dhe historinë e dy nënave, Pashkes dhe Ferdonijes, të cilat lufta i kishte lënë me humbje të mëdha, duke ia marrë njërës dy djemtë e vegjël dhe tjetrës katër djem dhe burrin. Përfshin dokumentime nga një kapitull, por që universalizohet si dëshmi e realitetit të 1998/1999 në Kosovë.

Ag Apolloni ka folur për zhanrin, si dhe dilemat e lexuesve për atë se çfarë e shtyri autorin të shkruajë një roman me një ndërthurje të tillë.

“Dokuromani, si zhanër, si kategori është sfidues në kuptimin që nuk mundesh t’u largohesh asnjë moment fakteve. Ai ka të mirat e veta në ofrimin e materialeve, teksteve të ndryshme, por i ka edhe disa kufizime në aspektin se nuk mund ta lëshosh veten në imagjinatë. Sikur romani të ishte trillim, fiksion i pastër, sigurisht se do të dilte më i bukur për lexim, por nuk do të dilte kaq i prekshëm. E vërteta prek më shumë se fiksioni”, ka thënë Apolloni, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Edhe Fijet e rrëfimeve tragjike të dy nënave të Kosovës lidhen edhe në New York Kulturë Fijet e rrëfimeve tragjike të dy nënave të Kosovës lidhen edhe në New York

Sipas Apollonit, lexuesi sot është më i interesuar të lexojë diçka që lidhet me realitetin që e rrethon, për dallim nga dekadat e kaluara kur letërsia ofronte tema të reja, të shpikura dhe pothuajse komplet fiksionale.

“Romanet që luajnë me dokumentaren dhe fiksionin, që i bëjnë bashkë të dyja është zhanri më i kërkuar i viteve të fundit. Pra është një zhanër i cili siç duket po i përmbush kërkesat e lexuesit të shekullit XXI, sepse secili shekull ka në njëfarë mënyre ato dominantet e veta”, ka thënë Apolloni në rolin e shkrimtarit, por edhe të studiuesit të teorive letrare.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” nis me dy rreshtat e dramës së humbur të Eskilit, Niobës: “Ulur mbi varret e tyre, ajo i vajtoi fëmijët e saj të vdekur”. Nisur prej tyre, Apolloni krijon Niobën kosovare të portretizuar nëpërmjet përmes figurës së Ferdonije Qerkezit, e cila tash e 20 vjet ka mbetur e vetme.

Por, përveç këtij krahasimi, Apolloni tenton ta universalizojë luftën e Kosovës duke e bërë një krahasim me atë të hebrenjve, të Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet shkrimtarit me prejardhje hebre, Elie Wiesel, i cili si fëmijë i kishte përjetuar vetë ngjarjet e Holokaustit, ndërsa si shkrimtar, në moshë të rritur, kishte punuar në pengimin e gjenocidit që po zhvillohej gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në njërën anë është tragjedia jetësore, në anën tjetër është tragjedia në aspektin teorik. Domethënë lidhet ajo se çfarë thotë Aristoteli për tragjedinë dhe asaj se çfarë ndodhi në Kosovë. Lidhja e dy kohëve ndërmjet Elie Wiesel është bërë për të parë se si tragjedia përsëritet nëpër kohë, që njerëzit nuk mbushen mend, që luftërat bëhen pothuajse për të njëjtën arsye, duke sjellë tragjedi të tilla”, ka thënë Apolloni.

Sipas tij, por edhe sipas dokuromanit të tij, shkrimtari insiston në ngjashmërinë e luftës së viteve 98/99 në Kosovë me atë të hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ngjashmërinë ai e sheh veçmas te ideja kryesore që çoi në kryerjen e këtyre krimeve nga nazistët – racizmin.

Edhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” – ura letrare e Ag Apollonit me lexuesin slloven Kulturë “Një fije shprese, një fije shkrepëse” – ura letrare e Ag Apollonit me lexuesin slloven

“Edhe lufta midis shqiptarëve dhe serbëve kur ka nisur ka qenë luftë me një fillim racist. Serbët kanë menduar se janë superior ndaj nesh e ata janë hyjnor. Se ne jemi qytetarë të dorës së dytë dhe me këta qytetarë të dorës së dytë mund të bësh çfarë të duash. Dhe unë i jap format, ashtu si i kanë trajtuar këta të dorës së dytë. Pra, është një racizëm i pastër, si në kohën e Hitlerit”, ka thënë Apolloni.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, mes të tjerave, tregon edhe historinë e nënës Pashke, e cila shpreson se djemtë e humbur një ditë do t’i kthehen të gjallë, por kur asaj i kthehen trupat e tyre të vdekur, ia vë vetes flakën. Akademik Muahmedin Kullashi, tragjedinë e këtij dokuromani, më shumë se çdo kund tjetër, e gjen mu te nëna Pashke, e cila, sipas tij, refuzon të krahasohet me ndokënd.

“Tragjedia e nënës Pashke duket më e theksuar në roman, meqenëse ajo i ka ikur krahasimit. Ajo është fokusuar ekskluzivisht te djemtë e vet, te tragjedia e djemve të vet, një prirje që brenda vetes përfshin edhe egoizëm edhe narcizëm, por edhe altruizëm edhe humanizëm e të tjera. Por aspekti tragjik më së shumti lidhet me faktin se nëna Pashke e ka refuzuar krahasimin. Edhe të tjerët kanë vdekur, janë vrarë, por ajo në vend të mbylljes brenda kësaj dhimbjeje shumë të fortë, shkon deri në vetëvrasje, meqenëse nuk e gjen pistën e krahasimit, e cila do t’ia bënte të mundur të shohë përpara”, ka thënë filozofi i njohur, ish-diplomat, ambasadori i parë i Kosovës në Francë.

Duke u nisur nga aspekti historik, por edhe letrar, historiani Ylber Hysa ka tërhequr paralele midis kësaj vepre dhe një vepre të tillë, të ngjashme, e cila shumë shpejt mund të prodhohet nga lufta që po ndodh në Ukrainë.

“Romani ‘Një fije shprese një fije shkrepëse’ tërheq shumë paralele të cilat ndërlidhen dhe ajo që fatkeqësisht e bën romanin aktual është fakti se jemi koshientë që një roman të tillë mund ta shkruajë shpejt dikush në Ukrainë. Sjellja e një romani të tillë aq sa është e mirë për të treguar se çfarë ka ndodhur në Kosovë, për të tjerët, besoj se është e mirë edhe si një refleksion për atë që më duket se e kemi harruar edhe ne, për të lexuar për atë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hysa.

Rëndësinë e ekzistencës së dokuromaneve apo romaneve të cilët dokumentojnë të vërtetat e një shoqërie, në mënyrë që këto të vërteta të mos harrohen e ka potencuar edhe publicisti e studiuesi Blerim Shala.

Edhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” për dhimbjen e Kosovës edhe në rumanisht Kulturë “Një fije shprese, një fije shkrepëse” për dhimbjen e Kosovës edhe në rumanisht

“Tërësia e romanit ‘Një fije shprese një fije shkrepëse është rrumbullakim i krejt asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet gjatë luftës. Agu në këtë roman përpiqet, pos tjerash, ta humanizojë kujtesën. Dhe me këtë roman, Apolloni ka bërë një punë të madhe që të mos harrojmë, sepse neve na rrezikon një harresë e madhe e atyre viteve, veçanërisht brezi i ri i cili mbamendjen për ato ngjarje e ka të ndërlidhur me fjalimet politike dhe, sipas mendimit tim, kjo është tepër e rrezikshme”, ka thënë Shala.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i cili së shpejti do të përkthehet në çekisht, e autori Apolloni për disa ditë do të udhëtojë për në Pragë, ku do ta prezantojë edhe këtë vepër, vitin e kaluar mori çmimin letrar “Anton Pashku” për veprën më të mirë në prozë, përderisa në fillim të këtij viti, ndër të tjera, u prezantua edhe në Hamburg të Gjermanisë, e në nëntorin e vitit 2020 pati prezantimin e parë para lexuesit në Prishtinë.