Kulturë

Një copë muri nga Bregu Perëndimor vihet në ankand

Në vitin 2005, artisti Banksy mori një copë nga barriera izraelite në Bregun Perëndimor dhe e përdori atë për “ndjekje thesaresh”. Kjo copëz, e quajtur Spike, është gjetur në Palestinë dhe që prej atëherë ka kaluar disa herë nga dorë në dorë. Tani ajo është duke rrugëtuar drejt ankandit, jo si send fizik, por si NFT (Non-fungible token – diçka që është unike e nuk mund të zëvendësohet me diçka tjetër – v.j).

“Valuart”, një platformë e re e NFT-së, tashmë e ka shpallur ankandin për “Spike” duke qenë i hapur deri më 30 korrik. Por ajo çka bie në sy është se artisti i rrugës nuk do të jetë i përfshirë në shitjen e kësaj vepre. Është këngëtari italian i operave, Vittorio Grigolo, që ka në pronësi “Spike” dhe e ka bashkëthemeluar këtë platformë, ai i cili ka punuar për të krijuar këtë NFT.

Banksy, identiteti i vërtetë i të cilit vazhdon të jetë i panjohur, zakonisht është i prirë për të komentuar veprat e tij nëpër media sociale. Por deri më tani ai nuk ka afishuar diçka në lidhje me shitjen që mëtohet të bëhet në “Valuart”.

Pesëdhjetë për qind e vlerës së shitjes do të dhurohet për bamirësi të ndryshme, veçmas për ata që kanë përjetuar konflikte të dhunshme. Bamirësia e parë që do të përfitojë është Mjekët pa Kufij, që vepron në tokat palestineze.

“Spike” nuk ka qenë hera e parë ku Banksy ka adresuar konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Ai ka punuar në këtë rajon prej thuajse 20 vjetësh, duke e bërë edhe një mural në tokat palestineze më 2003.

Marrë nga “artnews.com”. Përktheu: Salih Mehmeti