Kulturë

“Newborn” me adrenalinën e “Kolektivit zero38”

Grupi i skejterëve të Prishtinës të quajtur “Kolektivi zero38” ka prezantuar për herë të parë filmin e vet që përthekohet me xhirimet amatore. Të enjten mbrëma në “Kino Armata” është shfaqur projekti filmik prej tridhjetë minutash.

Pa skenar dhe me copëza të xhiruara nga qendrat e ndryshme të Kosovës është përmbajtja filmit të titulluar “Newborn”. Lëvizjet krejt spontane të të rinjve me anë të “skive me rrota” mbi beton të shesheve të Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Tiranës janë të përmbledhura në këtë film të ideuar nga Loren Jupolli. Ai me shokët e tij e kanë ideuar këtë projekt filmik të cilin kanë synim ta prezantojnë edhe në ekranet e festivaleve ndërkombëtare të filmit.

“Kur isha në Amerikë para dy vjetësh e bleva një kamerë dhe nga aty vendosa të marr xhirime duke ‘skate’ me ‘dosta’. Tani erdha në Prishtinë dhe duke vizituar vende të tjera, ne bënim lëvizje me skirollera dhe ato i xhironim e që më pas, i kemi montuar për t’i shfaqur në film”, ka thënë disenjatori grafik, Loren Jupolli, i cili e ka finalizuar këtë projekt të shkurtër filmik.

Disa “skaterë” nga Stambolli me ekzibicionet e tyre janë përfshirë në filmin “Newborn”. Ata janë shokët e anëtarëve të “Kolektivit zero38”.

“Ne kemi shoqëri edhe në Turqi dhe vendosëm t’i përfshijmë më xhirime edhe ata në film. Në verën e dy vjetëve më parë i kemi realizuar pamjet amatore dhe i kemi seleksionuar më pas për këtë video. Unë i kam pasion lëvizjet me skirrollera dhe ka më shumë se tetë vjet që merremi me këtë aktivitet plot adrenalinë. Është hera e parë që prezantohet një film i tillë në vendin tonë”, shtoi Jupolli.

Eduard Novobërdaliu nga “Kolektivi zero38”, thotë se krejt xhirimet kanë nisur spontanisht, por rrugës së krijimit të videove e kanë ndarë mendjen t’i shndërrojnë pamjet në një film.

“Fillimisht ja nisëm si për hajgare kësaj pune. Duke xhiruar në vazhdimësi vendosëm që ta bëjmë një film të shkurtër. Unë ka që nëntë vjet që merrem me skirollera. Ideja për t’i përmbledhur pamjet në një film më ka pëlqyer shumë dhe aty ka momente shumë qesharake dhe të mira”, ka thënë Novobërdaliu teksa është ankuar për mungesë të hapësirave në Prishtinë, ku mund të zhvillohet ky sport rekreativ.

“Jemi munduar t’u përshtatemi hapësirave që t’i xhirojmë pamjet më të mira për film. Hapësirat këtu të ne në qytetet e Kosovës nuk janë të adekuate për ‘skateboard’. Mirëpo, ne e kemi bërë më të mirën që të sjellim pamje atraktive nga vendet ku kemi ‘skejtirat’”, deklaroi i riu nga Prishtina, Novobërdaliu.

Pas prezantimit në “Kino Armata”, filmi “Newborn” do të shfaqet në kuadër të një aktivitet të organizuar nga grupi i njohur i skejterëve në Shkup që mban titullin “Error kolektiv”.