Me 23 nëntor 2017, në orën 19:00, në Galerinë “Qafa” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës do të hapet ekspozita e artistes Emiranda Beka, bën të ditur kjo ministri.
“Pikturat e artistes së re janë një vallëzim ngjyrash të pastra të krijuara nga spontaniteti, dhe shtrihen mbi një spektër të gjerë dhe të kontrollueshëm nga talenti i saj. Të gjitha objektet përcjellin emocion, sfidë dhe ndërmjet tyre e pamundura, e parritura përplasen mbi abstrakten dhe bëhen objektive...”, shprehet kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi.
Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.
Ekspozita “Ndërmjet pamundurës dhe paarritshmes” do të qëndrojë e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës , në kompleksin “Qafa”, në Prishtinë.
