Filmi nga Kosova “Nëntor i ftohtë” e rrëmbeu çmimin e audiencës në Zurich Film Festival, ku prezent në premierë ishin regjisori Ismet Sijarina dhe producenti e aktori Fatmir Spahiu.
“Selektimi në konkurrencë zyrtare është verifikim për vlerën artistike të filmit, por shpërblimi i publikut është riverifikim se audienca e gjerë bashkndien me rrëfimin tonë. Ndihem i nderuar dhe i falënderoj të gjithë ata që e pëlqyen dhe votuan filmin tonë. Përjetësisht mirënjohës”, u shpreh Sijarina.
Ndërsa producenti Spahiu tha që: “Ky çmim është i veçantë për shumë arsye, e para është çmimi i parë për filmin, i pari për mua si producent, dhe krejt në fund vjen nga një audiencë e kombinuar shqiptaro-zvicerane të cilët në mënyrë të barabartë e bashkëndienë filmin. Faleminderit të gjithëve që votuat”.
Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillimviteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.
Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “AUDIOHAUS” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.
Në rolet kryesor paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie: Sevdije Kastrati. Montazher: Vladimir Pavlovski. Muzika: Jericho. Producent: Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Paskal Semini, Valon Bajgora. Regjia: Ismet Sijarina.
-
“Nëntor i ftohtë” hap dyer të reja me çmimin e audiencës në festivalin zviceran
-
Ismet Sijarina foli për suksesin e fundit të filmit “Nëntor i ftohtë”
-
“Nëntor i ftohtë” pas çmimit në Gjermani, niset për në Austri
-
Mirëpritet në San Sebastian premiera botërore e filmit “Nëntor i ftohtë”
-
“Nëntor i ftohtë” në Zvicër garon mes filmave të dëshmuar