Kulturë

“Nëntor i ftohtë” thyen akullin në “Netflix”

Pikërisht në nëntor, filmi “Nëntor i ftohtë” ka shpërndarë alamet lajmi. Është përfshirë në gjigantin “Netflix” dhe aty do të jetë pesë vjet. “Për ne është shumë e rëndësishme, ngase ‘Netflix’ është platforma më e madhe dhe më me ndikim në botë. Uroj që sa më shumë projekte shqiptare të shihen në këtë platformë”, ka thënë për KOHËN regjisori i filmit, Ismet Sijarina

Katër vjet pas premierës botërore, filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina ka hapur një tjetër kapitull që shënjon edhe kinematografinë e Kosovës, duke thyer akullin në platformën gjigante botërore. Të shtunën i është bashkuar “Netflixit”. Aty do të jetë për pesë vjet.

“Të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se duke filluar nga sot, më 26 nëntor, dhe për pesë vitet e ardhshme, do të keni mundësi të shihni filmin tonë ‘Nëntori i ftohtë’ në ‘Netflix International’ dhe ‘Netflix Europe’”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Pavarësisht se zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje u bë tek tash, palët ishin dakorduar qysh në gusht të vitit të kaluar.

“Marrëveshja me ‘Netflix’ ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Gjatë gjithë verës 2021 kemi punuar intensivisht në këtë marrëveshje dhe e kemi nënshkruar në fund të gushtit 2021, por nuk kemi guxuar ta publikojmë deri në ditën e premierës në ‘Netflix’”, ka thënë Sijarina për KOHËN. Jo pa sfida ka qenë arritja marrëveshjes.

“Së pari ka qenë dashur të rieditohen disa pjesë të projektit, në parametra teknikë. Pra, nuk është e lehtë të shfaqësh filmin në këtë platformë ngase përveç parametrave artistikë, filmi duhet praktikisht të ribëhet edhe një herë në fazën e post-produksionit”, ka shpjeguar Sijarina.

Procesi qe nismuar që agjencia e filmit, “Idea Media Sales” nga Italia, e kishte prezantuar projektin para përfaqësuesve të “Netflix”, në këtë rast, “Capital Motion në Canada”.

“Për ne është shumë e rëndësishme, ngase ‘Netflix’ është platforma më e madhe dhe më me ndikim në botë. Uroj që sa më shumë projekte shqiptare të shihen në këtë platformë”, ka thënë Sijarina.

{gallery}

Me statistika të shtatorit të sivjetmë, “Netflix” kishte 222 milionë abonentë në mbarë botën, duke përfshirë 73.3 milionë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, 73 milionë në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, 39.6 milionë në Amerikën Latine dhe 34.8 milionë në rajonin Azi-Paqësor.

Përfshirja në “Netflix” e ka gëzuar edhe Fatmir Spahiun, i cili, përveçse aktor, është edhe bashkëproducent i filmit.

“Një lajm i mirë për mua dhe për të gjithë: regjisorin, bashkëpunëtorët, bashkëproducentët. Një projekt i prodhuar disa vjet më parë, me shumë mund e sakrificë. Projekt i cili pasqyroi saktë dramën njerëzore të një njeriu i cili ndodhej në mes dy zgjidhjesh, të dyja të gabuara. Projekt ky që mijëra shikuesve nëpër botë ua bëri të qartë vitet e fillimit të aparteidit kosovar. Film ky që na bëri krenarë në shumë festivale botërore, duke nisur nga San Sebastian Film Festival, Zürich Film Festival, e deri te Selaniku, e kështu me radhë”, ka shkruar Spahiu në profilin e tij në Facebook.

“Nëntor i ftohtë” sjell një histori familjare, bazuar në ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt të fillimviteve ‘90 në Kosovë. Me zbatimin e masave jashtëzakonisht të ashpra të autoriteteve serbe në të gjithë aspektet e jetës, punëtorët shqiptarë u detyruan të firmosnin një përbetim, ku e pranonin Serbinë si shtetin e tyre. Në vend të kësaj, të gjithë ata që firmosën u privuan nga puna e tyre, humbën vendin e punës, sigurimet shëndetësore, fondet për fëmijët e tyre, pasuritë e tyre të patundshme.

Me skenar të Ismet Sijarinës dhe Arian Krasniqit, premiera e “Nëntorit të ftohtë” ishte dhënë në San Sebastian në vitin 2018. Ai është prodhim i “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në tetorin e vitit 2018, “Nëntor i ftohtë” kishte fituar Çmimin e Audiencës në Zürich Film Festival, ndërsa në vitin 2020, aktorja e këtij filmi, Adriana Matoshi, kishte fituar Çmimin Aktorja më e Mirë, në Festivalin e Francës, “See a Paris 2020”. Në film luajnë gjithashtu Kushtrim Hoxha, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic Lum Veseli e të tjerë.