Janë katër festivale me nam ku “Clara me mustaqe” do të shfaqet gjatë këtij muaji. Regjisori dhe ekipi i filmit shpresojnë që përmes shfaqjeve të përçohet mesazhi i filmit, vetëdijesimi për kujdesin që duhet treguar ndaj fëmijëve, pasi që ai u kushtohet fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna
Animacioni i Ilir Blakçorit, destinacion për këtë muaj i ka katër festivale të ndryshme ndërkombëtare. Rrugëtimi veç ka nisur. Filmi është shfaqur në “Spark animation” në Vankuver të Kanadasë. Ndalesa e radhës është në Itali në “Piccolo Festival Dell 'Animazione”. Pas kësaj filmi i shkurtër do të shfaqet në një nga festivalet me të mëdha të animacionit në vend, në “London International Animation Festival”. Udhëtimi i nëntorit përfundon në Lubjanë në festivalin “Animateka”.
Edicionin e tij të 13-të, “Spark Animation” - që është i vetmi festival kualifikues për “Oscars” në Kolumbinë britanike – e ka mbajtur në formatin online. Ka bërë bashkë filma nga e gjithë bota. Edicioni i sivjetmë u mbajt nga 28 tetori deri më 7 nëntor. “Ishte një nder i vërtetë pjesëmarrja në këtë festival”, ka thënë Blakçori për KOHËN.
Në anën tjetër, edicioni i 14-të i “Piccolo Festival Dell 'Animazione” do të mbahet nga 20 nëntor deri më 27 dhe “Clara me mustaqe” është pjesë e programit “Panorama”. Sivjet në total 100 filma janë pjesë e Festivalit, që do të shtrihet në disa lokacione në komunën San Vito al Tagliamento, që gjendet 80 kilometra në veriperëndim të qytetit italian Trieste.
Animacioni i bazuar në realitetin e Kosovës, por që shumë lehtë aty-këtu gjen lidhshmëri me situata të ngjashme në botë, për herë të parë do të shfaqet në Mbretërinë e Bashkuar. Është në garë për filmin më të mirë ndërkombëtar në “London Interantional Animation Festival” që do të mbahet nga 26 nëntori deri më 5 dhjetor.
Festivali kishte pranuar rreth 2 mijë e 400 filma dhe vetëm 94 prej tyre ka përzgjedhur për edicionin e 18-të, që bën bashkë filma nga 31 vende të ndryshme në 9 kategoritë garuese. “Clara me mustaqe” është pjesë e programit “Into the Dark”. “London Interantional Animation Festival” është festivali i animacionit me traditë më të gjatë në Britaninë e Madhe dhe veçohet për një program energjik dhe të larmishëm.
Blakçori ka thënë se pjesëmarrja në këto festivale është jashtëzakonisht e rëndësishme, si për filmin ashtu edhe për ekipin punues. “Festivalet janë një vendtakim i bukur ku shpërfaqen puna dhe pasioni ynë”, ka thënë ai.
Në fokus të animacionit 10-minutësh, me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit, është kartëmonedha 100 marka, ku vërehet portreti i bukur i kompozitores Clara Schuman. Kartëmonedha mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme. Në çdo skutë të re ajo shpërfaq një rrëfim më vete.
Filmi po ashtu është ftuar që të shfaqet në festivalin ndërkombëtar të animacionit “Animateka” në Lubjanë, që mban edicionin e 18-të nga 19 nëntori deri më 5 dhjetor. Animacioni kosovar nuk është në garë, në këtë festival mundohet të sjellë diversitetin e artit të animacionit të publiku i tyre.
“Clara me mustaqe” shfaqet në këtë festival me ftesë speciale pas shpërblimit në festivalin francez të kategorisë A në qershor të këtij viti. Triumfoi në “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri ndër festivalet më të mëdha të animacionit në botë, duke marrë “Çmimin e qytetit Annecy” (City of Annecy Award).
Filmi u kushtohet fëmijëve në të gjithë botën, të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna.
“Clara me mustaqe” është realizuar me qëllim të ngritjes së vetëdijes kolektive për një temë të caktuat, në një kohë të caktuar, që është zhvilluar në Kosovë. Ky qëllim si i tillë mund të arrihet më së miri përmes shfaqjes nëpër festivale botërore. Filmi shërben si një dritare për publikun ndërkombëtar për t’u njohur me historinë dhe kulturën tonë. Pa dyshim se njohja dhe vlerësimi i punës sonë nga festivalet ndërkombëtare janë të mirëseardhur. Kjo është një shenjë shumë e mirë që kinematografia e Kosovës po vazhdon të ecë përpara”, ka thënë Blakçori.
Sipas tij, pjesëmarrja në këto festivale është kontribuues që ekipi të punojë tutje, gjithnjë me shpresë se do të jenë frymëzim edhe për gjeneratat e reja në Kosovë.
Animacioni mori vlerësime pozitive që nga premiera në edicionin e 36-të të “Santa Barbara International Film Festival”, që u mbajt prej 31 marsit deri më 10 prill.