Animacioni i bazuar në realitetin e Kosovës, por që shumë lehtë aty-këtu gjen lidhshmëri me situata të ngjashme në botë, është shpërblyer në “Annecy International Animation Film Festival”, një ndër festivalet më të rëndësishme të animacionit në botë. Pos njohjes së vlerave, ky sukses për ekipin e filmit ka kuptim më të gjerë. “Të nderohesh në festivalin më unik dhe prestigjioz të filmave të animuar në botë është një inspirim për një të ardhme shumë premtuese për filmin e animuar kosovar”, ka thënë për KOHËN skenaristi e regjisori i animacionit, Ilir Blakçori. Ka pasur edhe një mesazh që e ka lidhur me ekipin e filmit, dikur fëmijë refugjatë. “Me fitoren e këtij çmimi ne duam të japim një shpresë për këta fëmijë refugjatë, që sot mund të ndihen të vetmuar dhe të harruar nga bota”
Animacioni nga Kosova që rrugëtimin e ka nisur furishëm në alamet festivalesh tashmë ka marrë edhe trofeun e parë. “Clara me mustaqe” të premten mbrëma është shpërblyer në festivalin francez të kategorisë A. Ka triumfuar në “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri ndër festivalet më të mëdha të animacionit në botë, tek ka marrë “Çmimin e qytetit Annecy” (City of Annecy Award). Animacioni ishte pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition”, në kuadër të edicionit të 60-të që u mbajt në formatin hibrid.
Në fokus të animacionit 10-minutësh, me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit, është kartëmonedha 100 marka, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Kartëmonedha mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme. Në çdo skutë të re ajo shpërfaq një rrëfim në vete.
Regjisori Blakçori ka thënë për KOHËN se filmi, duke pasur inspirim luftën e fundit në Kosovë, u është dedikuar 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën, të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna.
“Ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe dikur edhe ata ishin refugjatë të kësaj bote. Me fitoren e këtij çmimi ne duam të japim një shpresë për këta fëmijë refugjatë, që sot mund të ndihen të vetmuar dhe të harruar nga bota. Por, ne u themi që të mos i ndalin ëndrrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë. E mira gjithmonë në fund fiton”, ka thënë ai.
Sipas tij, fakti që ky çmim bën që një animacion kosovar të shpërblehet për herë të parë në një festival të tillë, i ka bërë të lumtur dhe krenarë.
“Të nderohesh në festivalin më unik dhe prestigjioz të filmave të animuar në botë është një inspirim për një të ardhme shumë premtuese për filmin e animuar kosovar”, ka thënë ai. Ka shtuar se ky lajm për ekipin e filmit është një aprovim dhe shpërblim maksimal i punës së palodhshme që kanë bërë. Në festival filmi është përzgjedhur nga një konkurrencë prej 2850 aplikuesish nga 95 shtete të botës.
Edicioni i sivjetmë i “Annecy International Animation Film Festival” nisi më 14 qershor dhe zyrtarisht mbyllet të shtunën e 19 qershorit. Festivali është themeluar në vitin 1960 dhe mbahet në Annecy të Francës. Fillimisht mbahej çdo dy vjet e prej 1998-s u bë i përvitshëm në qytetin që njihet si “Perla e Alpeve Franceze”.
Regjisori Ilir Blakçori, për këtë film të animuar të metrazhit të shkurtër, është frymëzuar nga lufta e fundit në Kosovë.
“Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet e autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyjave është paraja”, ka thënë ai. Sipas tij, që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane.
“Për këtë arsye, atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre 1998-1999”, ka thënë ai.
Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni.
Animacioni mori vlerësime pozitive nga premiera në edicionin e 36-të të “Santa Barbara International Film Festival”, që u mbajt prej 31 marsit deri më 10 prill. Në një artikull në portalin spanjoll kushtuar animacionit, “Animacion para adultos”, është shkruar se ka dy aspekte veçanërisht interesante të “Clara me mustaqe”. I pari, sipas tyre, është se Ilir Blakçori përdor fiksionin shkencor për ta denoncuar tmerrin e luftës në Kosovë gjatë periudhës 1998 – 1999, ku u vranë 13 mijë e 517 njerëz, përfshirë edhe 1 mijë e 24 fëmijë.
“Një ndodhi që regjisori dhe ekipi i filmit e njohin mirë pasi kur ishin fëmijë u ishte dashur t’i linin shtëpitë e tyre. Këtu, drama e luftës ilustrohet me një seri makinerish që vrasin, keqtrajtojnë dhe ndajnë fëmijët nga nënat e tyre. Kjo skenë është e fuqishme dhe artistikisht më e mira”, është shkruar aty. Po ashtu, tregohet se narracioni merr formë përmes kartëmonedhës që kalon nga një dorë në tjetrën. “Kështu që ne shohim se si është njollosur me gjak, si përdoret për t’u dhënë ryshfet oficerëve, etj...”, është shkruar aty. Po ashtu, janë vlerësuar qasja regjisoriale e animacionit si dhe kolona zanore e përzgjedhur për filmin. Muzika që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vetë kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.
Pas premierës botërore, stacione të “Clarës...” qenë po ashtu festivale të njohura. Vazhdoi në edicionin e 45-të të “Cleveland Film Festival” në Ohio, që u mbajt online prej 7 deri më 20 prill, e më pas edhe në Festivalin e Filmit në Krakow, edicioni i 61-të i të cilit u mbajt po ashtu online, prej 30 majit deri më 6 qershor.
Në “Annecy International Animation Film Festival”, përveç animacionit kosovar, janë shpërblyer edhe filma të tjerë si animacioni nga Kili “Bestia > Beast”, nën regji të Hugo Covarrubias, që mori çmimin “Festivals Connexion Award”, “Junior Jury Award for a Short Film” e mori animacioni gjerman “People in Motion” nën regji të Christoph Lauenstein dhe Wolfgang Lauenstein, “Junior Jury Award for a Graduation Film” e mori animacioni francez “My Friend Who Shines in the Night” nën regji të Grégoire De Bernouis, Jawed Boudaoud, Simon Cadilhac dhe Hélène Ledevin. Çmimin “Young Audience Award” e mori produksioni francez-zviceran “Kiko and the Animals”, nën regji të Yawen Zheng.