Animacioni “Clara me mustaqe”, me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit, prej 1 shtatorit ka filluar të shfaqet online në kuadër të festivalit “Shorts Mexico”, në platformën online, ndërsa në kinema do të nisë të shfaqet prej 7 shtatorit. Për dhjetë minuta, në fokus është kartëmonedha prej 100 markash gjermane, ku vërehet portreti i bukur i kompozitores dhe mësueses së pianos, Clara Schuman. Në esencë ka fëmijët në të gjithë botën, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna. Është kryekëput i bazuar në realitetin e Kosovës
Animacioni i shkurtër “Clara me mustaqe”, me regji dhe skenar të Ilir Blakçorit, ka lënë gjurmë në festivalet ndërkombëtare me nam e së fundmi po zgjerohet edhe në Amerikën Latine me premierë në Meksikë, në edicionin e 17-të të festivalin ndërkombëtar të filmave të shkurtër “Shorts Mexico”. Filmi u kushtohet fëmijëve më të gjithë botën, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna dhe është kryekëput i bazuar në realitetin e Kosovës.
Në fokus të animacionit prej dhjetë minutash është kartëmonedha prej 100 markash gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Kartëmonedha mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme, duke zbuluar kështu rrëfimin që fshihet prapa animacionit që shpërfaq një rrëfim më vete në çdo pjesë të udhëtimit të saj.
Shfaqja e filmit ka filluar online që prej 1 shtatori në platformën online të “Short Mexico”, ndërsa në kinema do të shfaqet më 7 shtator. Festivali mbahet prej 1 deri më 30 shtator dhe inkurajon rritjen dhe zhvillimin e filmave të shkurtër. Animacioni është kategori e veçantë e Festivalit, ndërkohë që programi i tij përfshin edhe filmat dokumentarë, artistikë, fanta-shkencë, eksperimentalë e videomuzikorë.
Këtë vit, deri më tash, filmi i animuar “Clara me mustaqe” ka marrë pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Shkurtër dhe të Animuar, “Mecal Barcelona”, në edicionin e 24-të të tij.
Regjisori dhe skenaristi i filmit, Ilir Blakçori, ka thënë për KOHËN se filmi është i bazuar në luftën dhe pasojat e saj, por që është ndërtuar dhe është shpalosur nëpërmjet imagjinatës fëmijërore. Animacionin e ka përshkruar si mjetin më të mirë për ta bërë atë edhe më të përshtatshme dhe interesante në formatin e saj.
Edhe
Nëntori e gjen “Clarën me mustaqe” në katër festivale ndërkombëtare
“Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në mbarë botën, të cilët edhe sot vuajnë nga lufta dhe dhuna; sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mesazhi për këta fëmijë është që ëndrrat dhe shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë nuk duhet t’i zbehin asnjëherë”, ka thënë Blakçori.
Pjesëmarrja në Festivalin meksikan e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme. Në përgjithësi ato i ka cilësuar si mbledhim i bukur përmes të cilit udhëton puna dhe pasioni i ekipit punues për filmin.
“‘Clara with a Mustache’ është krijuar dhe realizuar me qëllimin e ngritjes së vetëdijes kolektive për një temë të caktuar, në një kohë të caktuar, që është zhvilluar në Kosovë. Ky qëllim, si i tillë, mund të arrihet më së miri përmes një rrugëtimi shfaqjeje nëpër festivalet botërore. Për më shumë, filmi shërben si një dritare për publikun ndërkombëtar për t’u njohur me historinë dhe kulturën tonë”, ka thënë autori, regjisori dhe producenti i filmit, Ilir Blakçori.
“Është e vetmja hapësirë e dedikuar ekskluzivisht për filmat e shkurtër në të gjithë Meksikën, me seli në Mexico City, duke arritur në 16 komunat që e përbëjnë atë, përveçse ka një turne kombëtar dhe ndërkombëtar. Në edicionet e tij të fundit ka pasur më shumë se 20,000 spektatorë gjatë festivalit në më shumë se 30 ambiente, pa llogaritur audiencën në turneun kombëtar dhe ndërkombëtar ku mbërrin festivali (virtualisht dhe personalisht)”, thuhet ndër të tjera në uebfaqen e Festivalit.
Në komunikatën për shtyp bëhet e ditur se “gjithsej do të shfaqen 1055 filma, 879 filma të shkurtër meksikanë, 176 filma të shkurtër iberianë dhe ndërkombëtarë. Pjesëmarrja e 65 vendeve (rekord). Në këtë edicion do të konkurrojnë 13 seksione kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Edhe
Portreti që shpëtoi jetë në luftë, në katër festivale brenda muajit
Suksesin më të madh në rrugëtimin e tij, filmi “Clara me mustaqe” e kishte arritur në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, ku edhe rrëmbeu çmimin kryesor “City of Annecy Award”. Animacioni ishte pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition”, në kuadër të edicionit të 60-të Festivalit të Filmit. Pas suksesit në Francë, filmi u bë pjesë e garës së ngushtë në “Holly Shorts Film Festival” në edicionin e nëntë të tij. “Clara me mustaqe” ishte ftuar për shfaqje në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit në Londër, ku edhe kishte fituar çmimin e audiencës në kategorinë “Into the Dark” për filmat e shkurtër ndërkombëtarë. Rrugëtimin e kishte vazhduar edhe në “Piccolo Festival” të Italisë dhe në “Animaze Montreal International Animation Film Festival” në Kanada e në “Animateka International Animated Film Festival” në Slloveni.
Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është kompozim i vetë kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjell në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.