Kulturë

Animacioni kosovar vazhdon rrugëtimin në festivalin kualifikues për “Oscar”

Pas shpërblimit në festivalin e kategorisë A, “Annecy International Animation Film Festival”, animacioni “Clara me mustaqe” është pjesë e garës zyrtare në “HollyShorts Film Festival” që njëherësh njihet si njëri nga festivalet më të rëndësishme dedikuar filmave të shkurtër. Festivali përgjatë këtyre 17 vjetëve ka mirëpritur filmbërës e talente të njohura si Anthony Russo, Debra Messing, Oscar Isaac, Cee-Lo Green, Patton Osëalt e Effie Brown

Animacioni i bazuar në realitetin e Kosovës, por që shumë lehtë aty-këtu gjen lidhshmëri me situata të ngjashme në botë, po vazhdon rrugëtimin nëpër festivale të rëndësishme në botë. “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit është pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit me zë në Hollywood, “HollyShorts Film Festival”.

Organizatorët e edicionit të 17-të të Festivalit kualifikues për Oscar, kanë bërë të ditur filmat selektues të këtij edicioni. Mes tyre është edhe animacioni kosovar. “Clara me mustaqe” do të garojë për çmimet kryesore të “HollyShorts Film Festival” që njëherësh njihet si njëri nga festivalet me të rëndësishme dedikuar filmave të shkurtër. Festivali përgjatë këtyre 17 vjetëve ka mirëpritur filmbërës e talente të njohura si Anthony Russo, Debra Messing, Oscar Isaac, Cee-Lo Green, Patton Oswalt e Effie Brown. Këtë vit, Festivali do të ndezë ekranin më 23 shtator për ta përmbyllur këtë edicion më 1 tetor.

Në fokus të animacionit 10-minutësh, me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit, është kartëmonedha prej 100 markash, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos ishte një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme. Në çdo skutë të re ajo shpërfaq një rrëfim në vete.

Regjisori Blakçori ka thënë për KOHË-n se filmi, duke pasur inspirim luftën e fundit në Kosovë, u është dedikuar 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën, të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna. Sipas tij, kartëmonedha mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.

“Pjesëmarrja edhe në një festival që jep mundësinë për kualifikim në ‘Oscars’, si ‘HollyShorts’, na gëzon shumë dhe na bën krenarë për punën që kemi bërë, dhe na jep edhe më shumë vullnet e energji që të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Ardhmëria e filmit të animuar kosovar, duket shumë e ndritur, jemi entuziastë për projektet tona të reja”, ka thënë ai.

Filmi në qershor të këtij viti ishte shpërblyer në “Annecy International Animation Film Festival”, një ndër festivalet më të rëndësishme të animacionit në botë. Në festivalin francez të kategorisë A, ka marrë “Çmimin e qytetit Annecy” (City of Annecy Award). Animacioni ishte pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition”, në kuadër të edicionit të 60-të që u mbajt në formatin hibrid.

Animacioni mori vlerësime pozitive nga premiera në edicionin e 36-të të “Santa Barbara International Film Festival”, që u mbajt prej 31 marsit deri më 10 prill. Në një artikull në portalin spanjoll kushtuar animacionit, “Animacion para adultos”, është shkruar se ka dy aspekte veçanërisht interesante të “Clara me mustaqe”. I pari, sipas tyre, është se Ilir Blakçori përdor fiksionin shkencor për ta denoncuar tmerrin e luftës në Kosovë gjatë periudhës 1998 – 1999, ku u vranë 13 mijë e 517 njerëz, përfshirë edhe 1 mijë e 24 fëmijë.

“Një ndodhi që regjisori dhe ekipi i filmit e njohin mirë pasi kur ishin fëmijë u ishte dashur t’i linin shtëpitë e tyre. Këtu, drama e luftës ilustrohet me një seri makinerish që vrasin, keqtrajtojnë dhe ndajnë fëmijët nga nënat e tyre. Kjo skenë është e fuqishme dhe artistikisht më e mira”, është shkruar aty. Po ashtu, tregohet se narracioni merr formë përmes kartëmonedhës që kalon nga një dorë në tjetrën. “Kështu që ne shohim se si është njollosur me gjak, si përdoret për t’u dhënë ryshfet oficerëve, etj...”, është shkruar aty. Filmi po ashtu deri më tani është shfaqur edhe në “Cleveland International Film Festival”, “Krakow Film Festival” dhe “LA Shorts International Film Festival”.

Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni.