Kulturë

“Negotiating Peace” kthehet në Itali pas krizave të reja në botë

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Shfaqja “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, që satirizon negociata diplomatike në zona të krizave, është duke gjetur kontekst kohor çdo ditë e më shumë. “Pas dhjetëra shfaqjeve anekënd Evropës, muajin e kaluar shfaqjen e luajtëm në Firence e tani po e luajmë në Milano. E siç duket, jeta e kësaj shfaqjeje nuk do të ndërpritet këtu”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj

Një vatër e re krize me potencial lufte është ndezur këto ditë në botë. Përtej luftës midis Rusisë e Ukrainës dhe konfliktit në Gazë, sulmet e nisura nga Izraeli në drejtim të Iranit kanë plotësuar një triptik të ndezjes së barotit. Shfaqja e “Qendrës Multimedia”, “Negotiating Peace” (Të negociosh paqen) është duke gjetur kontekst kohor çdo ditë e më shumë. Produksioni teatror që satirizon negociata diplomatike në zona të krizave do të kthehet këtë javë në Milano. Shfaqja me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt do të jepet në Milano në kuadër të festivalit ndërkombëtar “LIFE 2025 – Theatre Arts Media Festival”. Do të shfaqet në “Teatro Out Off” të premten dhe të shtunën. 

“Këto prezantime në Milano vijnë pas një varg prezantimesh të suksesshme të shfaqjes ‘Të negociosh paqen’ në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Hamburg, Münster, Leipzig, Zagreb, Oslo, Pragë, Cividale del Friuli, Firence e të tjera”, shkruhet në njoftimin e “Qendrës Multimedia”. Aty bëhet e ditur se po rikthehen në Itali në një festival që feston teatrin bashkëkohor që frymëzohet nga ngjarje të ditëve të sotme dhe duke i marrë ato për pikënisje, u hap rrugë debateve shoqërore kohërisht relevante.

“Festivali ‘LIFE’ i organizuar nga ‘Zona K’ në Milano të Italisë propozon një teatër që vëzhgon dhe interpreton të tashmen, merr të dhëna reale dhe i rikthen ato në shfaqje teatrore. Marrëdhënia me realitetin bëhet objekt dhe mjet i një hulumtimi që përzien narrativat dhe gjuhët, rishqyrton konceptin dhe  riformulon kriteret e përjetimit dhe të përvetësimit të hapësirës duke hapur lidhje të drejtpërdrejta me sociologjinë, urbanistikën, statistikën, historinë, ekonominë dhe teknologjinë”, shkruhet në njoftim. 

“Negotiating Peace” ka ardhur si frymëzim nga libri i Richard Holbrooke, “To End a War” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Projekti artistik tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikët dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes, si dhe diskuton tema të rëndësishme, si atë se kush mund të negociojë paqen. Shfaqja që qe dhënë premierë në tetor të vitit 2023, në teatrin “Oda” në Prishtinë, kthehet në Itali pas një muaji, kur u dha në Firence në Teatrin e Pergolas. E vjet në korrik qe dhënë në festivalin “Mittelfest” në Cividale del Friuli. Tash Shkumbin Istrefi, Meli Qena, Ema Andrea, Dukagjin Podrimaj e aktorë të tjerë do të prezantohen në Milano. 

Një komedi si kjo e ballafaqon publikun me sfidat, frikën dhe shpresën që i shoqërojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Në mënyrë satirike dhe politike, shfaqja prek negociatat e paqes pas luftërave të mëdha, përfshirë rastin e Kosovës, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Irlandës së Veriut e vendeve të tjera. 
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili edhe udhëheq me “Qendrën Multimedia”, ka thënë se “LIFE” është festival i saponisur në Milano të Italisë, megjithatë nga programi duket një festival jashtëzakonisht mirë i kuruar. 

“Programi i tij ishte vërtet impresiv, me shfaqje nga vende të ndryshme të botës e me emra të rëndësishëm nga skena teatrore e Evropës dhe përtej. Prandaj, po, ndihemi të nderuar dhe krenarë të jemi prezent aty me shfaqjen tonë”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, krizat e vatrat e reja të konflikteve anembanë globit, i kanë dhënë peshë edhe më shumë shfaqjes, dhe disi e kanë bërë edhe më relevante. 

“Pas dhjetëra shfaqjeve anekënd Evropës, muajin e kaluar shfaqjen e luajtëm në Firence e tani po e luajmë në Milano. E siç duket, jeta e kësaj shfaqjeje nuk do të ndërpritet këtu”, ka thënë ai. 
Pjesë e edicionit të vitit 2025 të “Festivalit LIFE”, i cili ka nisur më 7 maj dhe do të zgjasë deri më 21 qershor, kanë qenë edhe shumë shfaqje nga vende të ndryshme, përfshirë Spanjën, Gjermaninë, Holandën, Italinë, Francën, Zvicrën, Belgjikën, Palestinën, Mbretërinë e Bashkuar, Libanin dhe Bjellorusinë.

Në prill qe bërë e ditur se aktorja shqiptare, Ema Andrea, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace” është vlerësuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”. 
Tradicionalisht prej vitit 1998, sipas “Qendrës Multimedia”, “Soroptimist International d’Italia - Club Cividale del Friuli” ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten ose artistin më të mirë të edicionit paraprak të festivalit “Mittelfest”. Ky çmim mban emrin dhe ndahet në nderim të aktores Adelaide Ristori, e cila u lind më 29 janar 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX.

“Negotiating Peace” është prodhim i “Qendrës Multimedia”, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas në Itali, festivalin “Euro-scene” në Leipzig, teatrot e qytetit në Pragë, atë “R.A.A.A.M” në Estoni, festivalin “Mittelfest” në Itali, “Kontakt” në Bosnjë-Hercegovinë, “Black Box Teater” në Norvegji dhe “My Balkans”, që funksionon në SHBA dhe Serbi. 

Në ditët e sotme diplomatët janë në aksion në zona të ndryshme konfliktesh. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje. Krejt në fillim një gjeneral në mot të vranët e me korba që sillen sipër, vihet në kërkim të eshtrave të ushtarëve të vdekur. Është ai gjenerali i moçëm, personazh i Ismail Kadaresë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Aty eshtrat janë thjesht mbetje mortore që pas luftës shkëmbehen me diçka. Jepet një numër i caktuar kufomash në shkëmbim. Me skenografi të thjeshtë, shfaqja merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar. Pos librit të diplomatit amerikan, Nezirajt për këtë dramë i kishte hyrë në punë edhe Marrëveshja e Daytonit e vitit 1995, kur përfundoi lufta frontale midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.