Kulturë

Në Hamamin e Prishtinës planifikohet të investohen edhe një milion euro

Në bazë të projektit të ri për konservimin dhe restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, në këtë monument do të investohen edhe rreth 1 milion euro. Këtë planifikojnë ta bëjnë Komuna e Prishtinës dhe agjencia turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA. Para gati një dekade, për një tjetër projekt pikërisht për këtë ndërtesë të trashëgimisë kulturore – të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV – ishin investuar rreth 800 mijë euro. Por ai proces kishte përfunduar me konstatime se Hamami nuk është restauruar, por dëmtuar.

Planet e reja janë që punimet të nisin në vitin 2021. Bazë për këtë është një memorandum i nënshkruar më 24 prill të vitit 2018 midis Komunës së Prishtinës, TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës. Marrëveshja dyfaqëshe ishte lidhur pesë vjet pasi u ndërprenë punimet në këtë monument, tek u konstatua se ai që u quajt restaurim ia ka humbur autenticitetin. Prej marrëveshjes së fundit kanë kaluar më shumë se dy vjet pa u bërë asnjë hap konkret.

TIKA nëpërmjet përgjigjeve me shkrim i ka thënë KOHËS se procesi i projektimit ka përfunduar, si dhe projekti në fjalë është aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por, sipas kësaj agjencie, tash duhet një memorandum i ri.

“Projekti në fjalë është në procesin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, me anë të së cilës planifikohet që projekti në fjalë të implementohet në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me Komunën e Prishtinës. Po ashtu, jemi në fazën e tenderimit për punët zbatuese, e cila sipas planifikimeve tona punimet do të fillojnë gjatë vitit 2021”, shkruhet në përgjigjet e TIKA-s. Kjo agjenci e ka konsideruar joetike të japë informata për koston e projektit, përderisa ende nuk ka përfunduar procesi i tenderimit.

“Fatkeqësisht pa u përmbyllur edhe marrëveshja për bashkëfinancim me Komunën e Prishtinës nuk mund të spekulojmë në lidhje me shumën, e cila do të ndahet si kontribut i Komunës së Prishtinës, por si bartëse e projektit pjesa më e madhe e financimit do t’i takojë TIKA-s”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nëpërmjet postës elektronike.

Por kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është vlerësuar kostoja e projektit. Sipas tij, nëse ndahet kostoja midis Komunës dhe TIKA-s, atëherë agjencia turke do të tenderojë në nëntor projektin për Hamamin e Madh, bashkë me dy projekte të tjera.

“Në shumicën e projekteve ne kemi bashkëfinancuar 50 me 50 për qind me TIKA-n. Restaurimi i Hamamit vlerësohet të kushtojë rreth një milion euro, kostoja totale”, ka thënë Ahmeti. Sipas tij, Komunës i bie që të bashkëfinancojë me rreth 500 mijë euro.

“Për Hamamin po mundohemi sivjet me e përfundu financimin nga bashkëfinancimet që i kemi në buxhet”, ka thënë ai.

Në marrëveshjen që Komuna dhe Ministria e Kulturës kishin nënshkruar me TIKA-n në prill të vitit 2018, shkruhet se qëllimi i Memorandumit është zhvillimi i bashkëpunimit në kuadër të hartimit të projektit zbatues dhe zbatimin e projektit të restaurimit dhe rregullimit të oborrit të Hamamit të Madh, aset i mbrojtur sipas Ligjit për trashëgimi kulturore.

“Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet TIKA-s, MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës do të hartohet projekti i restaurimit për ndërtesën e Hamamit të Madh, si dhe projekti për rregullimin e oborrit”, shkruhet në pikën e 3-të të Memorandumit. Në dokumentin që ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit ceket se MKRS-ja dhe Komuna do t’i sigurojnë lejet dhe aprovimet e nevojshme për hartimin e projektit zbatues dhe zbatimin e projektit. Po ashtu, këto dy institucione do të sigurojnë lehtësimet e duhura në zgjidhjen e problemeve të mundshme që mund të lindin në fazën e hartimit të projektit zbatues. Në asnjë nen nuk ceket ndonjë afat kohor apo ndonjë kosto financiare për punët që do të kryhen. Marrëveshja ishte kritikuar si e mangët.

Sali Shoshi, udhëheqës i degës në Kosovë i organizatës suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij” (CHwB), kishte thënë se duket që Memorandumi nuk është marrë seriozisht pasi nuk janë caktuar afatet kohore.

“Një punë pos qëllimeve i ka edhe afatet. Sikur të kishte vullnet të mirë kjo punë do të lëvizte, por duket se nuk ka vullnet. Më duket si veprim i momentit, por jo diçka e menduar më gjatë, e elaboruar me kohë, financa e elemente të tjera”, kishte thënë Shoshi.

Për Hamamin e Prishtinës, gjatë viteve 2007-2009, ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit - fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore - kaltër e verdh.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Hamamit të Prishtinës, autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe kishte thënë se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

“Trashëgimia kulturore pa kufij” ishte tërhequr nga projekti për restaurimin e Hamamit tre muaj pasi kishte nisur puna. Sali Shoshi kishte thënë se kur kanë parë që nuk ka seriozitet në proces, kanë vendosur të tërhiqen.

“Komuna në atë kohë filloi që të angazhojë kompani që nuk kishin lidhje me këtë punë. I lajmëruam institucionet dhe u tërhoqëm. Në fund u dëshmua që gjërat nuk ishin në rregull”, kishte thënë Shoshi vitin e kaluar.