Komuna e Prishtinës dhe Agjencia Turke për Zhvillim dhe Rindërtim – TIKA, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi që ta bashkëfinancojnë restaurimin e Hamamit të Madh.
Nisja e punimeve në këtë monument të kryeqytetit do ta kthente atë në punishte, gati një dekadë pasi aty u ndërpre puna, me konstatimin se restaurimi po e shkatërronte objektin e trashëgimisë kulturore. Nënshkrimi i memorandumit është bërë të mërkurën, midis kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe koordinatorit të TIKA-s për Kosovë, Cihan Dinçer.
“Pas lodrave në Parkun e Qytetit, intervenimeve në disa shkolla, Qendrën për Autizëm dhe Sindromën Down, tashmë pas kërkesës që i kemi bërë vitin e kaluar për 3 projekte, sot e nënshkruam projektin e dytë për Hamamin e Prishtinës. Në vitin 2015 kanë ardhur ekspertë turq të trashëgimisë kulturore dhe pas ekspertizës që i është bërë projektit i cili do të kushtojë diku 1 milion euro”, ka thënë Ahmeti.
E, Cihan Dinçer ka thënë se e ndien veten me fat që bashkë me ekipin e tij po punojnë shumë për t’i shtyrë para të gjitha projektet.
“Turqia, prej pavarësisë para dhe pas saj, do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në të gjitha platformat”, ka thënë ai.
Në bazë të projektit të ri për konservimin dhe restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, në këtë monument do të investohen edhe rreth 1 milion euro. Bazë për këtë është një memorandum i nënshkruar më 24 prill të vitit 2018, midis Komunës së Prishtinës, TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës.
Tentimi për restaurim para gati një dekade kishte dështuar. Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013 dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.
