Kalaja e Libohovës ka marrë tjetër pamje gjatë mbrëmjeve. Ndriçimi i saj nxjerr në pah madhështinë e këtij monumenti ikonik të bashkisë që i takon Qarkut të Gjirokastrës. E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, konstrukti i ngurtë tashmë edhe gjatë natës ofron pamje që janë dëshmi e historisë së asaj ane.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka thënë se për festa e kanë ndriçuar “edhe të bukurën Kala të Libohovës, ose siç quhet ndryshe Kalaja e Shanishasë, duke marrë emrin e motrës së Ali Pashait, i cili ia bëri dhuratë për martesën me pinjollin e familjes Libohova”.
Ky është një ndër projektet prioritare të Bashkisë Libohovë, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së qytetit dhe promovimit të turizmit në zonë. Projekti përfshiu instalimin e ndriçimit të jashtëm në muret e saj. Ky ndriçim i jep një pamje të bukur dhe tërheqëse për turistët që e vizitojnë Kalanë historike të Libohovës. Punimet u kryen nga Agjencia e Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes dhe pritet të përfundojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Me ndriçimin e realizuar, Kalaja e Libohovës do të jetë një atraksion turistik dhe pritet që turizmi në zonë të rritet e të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit.
Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796–1798. Ali Pashë Tepelena urdhëroi ndërtimin e saj, për t’ia dhuruar më pas motrës së tij, Shanisha, e martuar në Libohovë. Ajo është e pozicionuar në një pikë dominuese mbi qytetin e sotëm të Libohovës dhe dikur kontrollonte gjithë luginën e Drinos. Brenda Kalasë, që sot është e zbrazët, dikur ndodhej rezidenca feudale. Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër këndet e saj dhe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme.
Ky monument është i miratuar si trashëgimi kulturore me numër “1886 i datës 10.06.1973”.
Është objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e apasionuar pas historisë. Kalaja është një fortesë me përmasa të konsiderueshme. Kalaja kishte një pozicion strategjik. Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore në të cilat burojnë ujërat të ftohta të burimeve të Zhepes, të Lozes e të tjera. Në qendër të qytetit ndodhet Rrapi i Libohovës me një vjetërsi e cila llogaritet të jetë mbi 560-vjeçarare, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrape të tjera.