“Qyteti i tretë për nga madhësia në Shqipëri, Vlora, ka shumë për të ofruar. Zbuloni plazhet e mrekullueshme, historinë e mahnitshme dhe shihni kompleksin e ri të marinës atje, pa e parë e tërë bota. Vlora ka magjepsur vizitorët vendas që nga ditët e Homerit. Ejani për bregdetin, rrini për kulturën. Vlora dhe Shqipëria jugore janë të bekuara me disa lokalitete të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore”, shkruan revista prestigjioze “National Geographic”
E rrethuar nga e kaltra dhe jeshillëqet, me detin blu dhe Malet e Vetëtimës të mbështjella me pisha nga ana tjetër, Vlora ka magjepsur vizitorët vendas që nga ditët e Homerit. Por vetëm tani, pasi Shqipëria po bëhet një nga destinacionet turistike me rritje më të shpejtë në Evropë, më në fund po merr vëmendje më të gjerë. Me motin e saj të lavdishëm, brigjet e gjata me rërë, historinë e lashtë dhe atraksionet e reja intriguese – duke përfshirë një zhvillim modern bregdetar që po ndërtohet – Vlora ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për t’u bërë arratisja tjetër e madhe mesdhetare. Këtu janë pesë arsye për të mposhtur turmat dhe për ta vizituar Vlorën.
Eksplorimi i bregdetit mahnitës

Ndiqni shëtitoren nga Marina e Vlorës dhe së shpejti do ta gjeni veten duke shkelur në plazh në vend të rrugës së shtruar. Kjo shtrirje e gjatë e rërës së artë është një forcë tërheqëse e madhe për vizitorët në zonë – dhe ka shumë mundësi për ta vlerësuar atë, pasi qyteti gëzon më shumë se 300 ditë në vit plot diell. Merrni një kajak ose skaf në gji për të parë brigjet mahnitëse shkëmbore dhe shpellat misterioze të Gadishullit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit. Ose eksploroni qarkun më të gjerë të Vlorës, i cili është shtëpi e shumë plazheve të bukura, si Dhërmiu, Gjipe, Radhimë, Jalë ose Palasa — të gjitha lehtësisht të arritshme në një udhëtim ditor nga qyteti.
Bekimi me trashëgimi kulturore
Ejani për bregdetin, rrini për kulturën. Vlora dhe Shqipëria jugore janë të bekuara me disa lokalitete të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore. Pasi të keni vizituar pjesën e vjetër të qytetit dhe Kalanë e Kaninës, nisuni për në jug në Orikum, dikur një bastion i Cezarit, e tash një park arkeologjik.

Vizitorët mund të vizitojnë dhe Apolloninë, një qytezë në kodër që ka rrënoja romake dhe greke. Pak më tutje janë dhe destinacionet e famshme nën mbrojtje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, Gjirokastra dhe Berati. I pari është një qytet tipik osman me shtëpi të shpërndara në një kodër dhe i fundit është një qytet ku përzihen influencat ilire, bizantine dhe romake, shtëpi e shumë kishave e xhamive.
Një marinë krejt të re
Bregu i detit të qytetit po shndërrohet aktualisht në një projekt zhvillimor të larmishëm që quhet “Vlora Marina”. Kjo zonë do të ofrojë mundësi të shkëlqyera akomodimi, duke përfshirë një hotel me pesë yje dhe apartamente elegante me pamje nga deti. E shtrirë në juglindje nga Vlora Marina, shtrihet edhe një shëtitore e gjatë e mbushur me restorante, kafene, bare dhe dyqane.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shëtisin përgjatë anijeve ponton që ofrojnë mundësi ankorimi për më shumë se 400 jahte dhe mega-jahte, duke parë velat e tyre të gjata të bardha që lëkunden butësisht në erë, duke reflektuar mbi ujërat e qelqtë poshtë. Do të ketë shumë vende për kafe, gelato italiane dhe blerje luksoze, përpara se të pushoni në një nga spa-të luksoze të resortit ose në baret buzë detit.

Kuzhina mesdhetare
Ju mund ta shijoni Mesdheun në Vlorë. Rendi i ditës këtu janë ushqimet e detit, me çdo gjë, nga levreku dhe barbuni e deri te kalamari dhe sepjet në meny, të cilat më së miri shërbehen me një shtrydhje limoni ose pak hudhër. Mund të shijohen edhe ushqime të tjera shqiptare dhe ballkanike, si byrek – pastë e shijshme e mbushur me mish, spinaq ose djathë – mish i pjekur në skarë, qofte dhe tavë kosi – një pjatë e ngjashme me quiche me mish qengji. Mos humbisni djathin kaçkavall, i cili është i pëlqyer nga vizitorët – një djathë tradicional shqiptar gjysmë i fortë – dhe, për ëmbëlsirë, bakllava të shijshme. Shoqëroni ushqimin tuaj me një gotë verë, rakinë e zjarrtë – një pije alkoolike tradicionale e prodhuar në Shqipëri – apo edhe një dhallë – pije e njohur me bazë kosi me erëza.
Zbulimi i peizazhit natyror
Vlora është ideale për ata që kërkojnë ta eksplorojnë natyrën, me kodra dhe male të thepisura që përqafojnë qytetin. Për jetën e mahnitshme të shpendëve, shkoni pak në veri të Vlorës në Lagunën e Nartës, një zonë ligatine e mbrojtur, e njohur për biodiversitetin e saj të pasur. Nëse pyjet e gjelbra të dendura dhe faqet vertikale të shkëmbinjve janë më të pëlqyera për ju, drejtohuni rreth 30 kilometra larg në jug të Vlorës për në Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon. Ose, për një aventurë njëditore, udhëtoni drejt kufirit grek te liqenet dhe kënetat e bukura të Parkut Kombëtar të Butrintit të listuar në UNESCO.
Marrë nga “National Geograhic”