Venla, Henli dhe Antti janë një grup të rinjsh nga Finlanda që kanë ardhur për pushime në Shqipëri.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë e befasuar. Plazhet janë shumë të bukura, ushqimi i shkëlqyer dhe njerëzit tepër miqësorë”, thotë për A2 CNN, Venla, turiste nga Finlanda.
“Kam udhëtuar në disa vende të Ballkanit, por këtu ndihem më lirshëm. Çmimet janë të mira dhe natyra është shumë e pastër”, thotë për A2 CNN, Henli, turiste nga Finlanda.
“Unë jam i apasionuar pas historisë dhe i vizitova disa vende arkeologjike. Shqipëria ka shumë kulturë dhe potencial për turizëm, do t’ua rekomandoja miqve të mi”, thotë për A2 CNN, Antti, turist nga Finlanda.
Janë gati 6.6 milionë turistë që kanë hyrë në Shqipëri deri në korrik. Numri i të huajve që kanë ardhur kryesisht për pushime është zgjeruar me 4 për qind, krahasuar me janar-korrikun e vitit të shkuar.
Pjesa më e madhe e tyre, mbi 6.2 milionë, janë turistë nga vendet evropiane, ndjekur nga ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia Lindore dhe Afrika.
“Këtë verë e kemi pasur një rritje të ndjeshme të turistëve nga vende të ndryshme të Evropës dhe madje edhe nga Kanadaja. Krahasuar me një vit më parë, numri i prenotimeve është rritur ndjeshëm dhe sezoni po zgjatet më shumë. Turistët e vlerësojnë mikpritjen shqiptare, çmimet e arsyeshme dhe bukurinë natyrore që e ofron vendi ynë”, thotë për A2 CNN, Albulen Ndrepepaj, menaxher resorti.
Megjithatë, ritmet e zgjerimit të turizmit nuk po janë më ato të njëjtat me vitet e shkuara. Muajin e shkuar, në vend erdhën rreth 1.8 milionë të huaj, 0.4 për qind më tepër se korrikun e një viti më parë. (A2 Televizion)