Opera e Verdit “Nabucco” do ta pushtojë këtë verë edhe kalanë mesjetare në Festivalin e Operës në Savolinna të Finlandës me 102 vjet histori. Është sopranoja e shquar, Marigona Qerkezi, që do t’i japë zë Abigailës, njërit prej dy roleve kryesore. Për të është debutim i dyfishtë: në rol dhe në Finlandë. “Është nder i madh të debutoj në Finlandë në festivalin më prestigjioz operistik siç është ‘Savonlinna Opera Festival’. Jo veç në Finlandë, por është një ndër më të veçuarit në mbarë botën”, ka thënë Qerkezi për KOHËN
Skenat botërore tashmë janë të zakonta për sopranon Marigona Qerkezi, por në gjeografinë e stacioneve të saj, zgjerohet përditë e më shumë, njashtu sikurse edhe repertori i saj. Finlanda është njëri prej stacioneve të këtij viti, ku këngëtarja lirike nga Kosova do të interpretojë për herë të parë dhe pesha i rritet edhe më, pasi debuton si Abigaila e “Nabuccos” së Verdit. Veçohet edhe për një tjetër fakt. Inskenohet në Festivalit e Operës në Savonlinna që sivjet në verë shënon 102-vjetorin. Pushton kalanë mesjetare të Olavinlinna të ndërtuar më 1475.
“Është nder i madh të debutoj në Finlandë në festivalin më prestigjioz operistik siç është ‘Savonlinna Opera Festival’. Jo veç në Finlandë, por është një ndër më të veçuarit në mbarë botën”, ka thënë Qerkezi për KOHËN, në një bisedë telefonike të premten, kur tashmë është bërë publik lajmi për debutimin e saj.
Në “Nabucco” ajo do të ndërtojë narrativën për njërin nga dy rolet kryesore, Abigailen, vajzën e kryepersonazhit Nabucco, mbretit të Babilonisë Karakteri kompleks i Abigailës do të sillet nëpërmjet vokalit mahnitës të Qerkezit. Njëra prej kryeveprave botërore që buron nga vendi ku lindi opera, në Savonlinna do të shfaqet tetë herë gjatë korrikut. Premierën do ta ketë në ditën e gjashtë të atij muaji. Sopranoja e cila ka ngjitur skenat operistike në çdo cep të botës, e ka vlerësuar sfidues rolin e Abigailes, për shkak të karakterit të natyrës komplekse.
“’Nabucco’ e Verdit është një prej operave më të njohura dhe më të interpretuara gjithashtu. Ndërsa roli i Abigailes është me të vërtetë rol shumë sfidues, qoftë nga pikëpamja vokale, interpretative, por edhe dramaturgjike. Pikërisht për shkak të ngjarjes. Është rol më ndryshe nga të tjerët, por gjithsesi që është lidhje me vokalitetin dhe rolet paraprake që i kam interpretuar”, ka thënë Qerkezi. Repertori i saj përfshin kryevepra botërore, libreti i të cilave është i gjuhëve të ndryshme. Është shprehur e lumtur që vokali i saj u besohet kryeveprave operistike italiane.
“Kam pasur rast të interpretoj në gjuhë të ndryshme dhe secila vepër në çfarëdo lloj gjuhe që është e kompozuar e ka veçantinë e vet dhe duhet të mëshirohesh me të, qoftë me pjesën e libretit dhe me rolin në përgjithësi. Baza dhe pikënisja e operës është në Itali dhe jam e lumtur që vokalin tim ua besojnë kryeveprave operistike italiane. Është kënaqësi e dyfishtë t’i interpretoj ato”, ka thënë sopranoja.
Hiç më larg se në përmbyllje të vitit të kaluar, ajo luajti si Mimi në operën “La Boheme” të italianit Giacomo Puccini. Në “Teatro Lirico di Cagliari” në Itali kishte luajtur shfaqjen lirike në katër akte. Kritika e kishte vlerësuar lart interpretimin e saj në këtë operë derisa ishte edhe protagoniste në faqet e gazetave italiane.
Në Finlandë Qerkezi do të luajë përkrah figurave të shquara operistike. Baritonët italianë Gabriele Viviani dhe Devid Cecconi do ta luajnë Naboccon ndërsa pos sopranos nga Kosova, Abigeilen do ta luajë edhe sopranoja ukrainase Oksana Dyka. Në role të tjera do të jenë basi finlandez, Mika Kares, basi armeno-gjerman Vazgen Gazaryan, tenori italian, Anthony Ciaramitaro, tenori finlandez, Johan Krogius, bas-baritoni finlandez, Henri Uusitalo, e të tjerë.
Qerkezi është e lidhur me skenën operistike. Të shpeshta janë paraqitjet e saj në role debutuese, sikurse ai i Abigeilës.
Roli i saj nis me hyrjen në tempull me ushtarët babilonas. E dashuruar në njërin prej personazheve, Ismaelein, e kërcënon se do ta akuzojë për tradhti nëse nuk do të jetë me të. Derisa zhvillohet drama, Abigeila zbulon një dokument që vërteton se ajo nuk është vajza e vërtetë e Nabuccos, por e skllevërve. Kryeprifti, njëri prej personazheve planifikon që Abigeila të bëhet sundimtare e Babilonisë pasi ka hapur zërat se Nabucco ka vdekur në betejë.
Kur ajo vije në krye të fronit, kryeprifi i paraqet asaj urdhërarrest me vdekje për izraelitët. Vajza biologjike e tij, Fenena është njëra prej atyre që po shkon drejt ekzekutimit.
“Nabucco” konsiderohet si vepra që i ka dhënë reputacion permanent italianit Giuseppe Verdi në botën operistike. Ajo shfaq hebrenjtë në gjendje të vështirë derisa sulmohen, pushtohen e më pas dëbohen nga atdheu i tyre nga mbreti babilonas. Në shpjegimin për veprën bëhet e ditur se ngjarjet historike në operë përdoren si sfond për një komplot romantik dhe politik.
Prej premierës më 1842 në Itali, “Nabucco” është pjesë e repertorit operistik në gjithë botën. Jo veç për sopranon Qerkezi, por “Nabucco” do të jetë prodhim i ri edhe për vetë ngjarjen.
“Ngjarja për sezonin veror të operës së vitit 2024 është portretizim i fuqishëm i epshit për pushtet dhe lirisë së humbur. Kur pyesim se çfarë duam të shohim, ‘Nabucco’ vjen gjithmonë në rend të parë”, shkruhet në uebfaqen e festivalit për operën “Nabucco”. Ky produksion do të drejtohet nga regjisorja greke Rodula Gaitanou.
“Ndryshimi i klimës është lufta më serioze e kohës sonë dhe po zhvillohet kundër natyrës. Versioni ynë është një manifest ekologjik”, citohet nga Festivali regjisorja Gaitanou që jeton e vepron ndërmjet Francës e Britanisë së Madhe.
Edicioni i parë i “Savonlinna Opera Festival” u mbajt në verën e vitit 1912, sipas të dhënave të ngjarjes. Ishin interpretuar pesë opera, të gjitha ishin të kompozitorëve finlandezë. Këtë traditë e kishte ruajtur Festivali deri në vitin 1930, kur ishte vënë në skenë “Fausti” i francezit Charles Gounod.
Marigona Qerkezi u diplomua në nivelin master në Akademinë e Arteve në Prishtinë në flaut dhe këndim. Performancën e parë e dha në moshën 6-vjeçare në Lubjanë të Sllovenisë. Edhe debutimin profesional operistik e ka pasur në moshë të re. Ka ngjitur skenat në Slloveni, Itali, Britani të Madhe, Holandë, Kroaci, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Shqipëri, Zvicër, Turqi, Mal të Zi, Oman, Japoni e Shtetet e Bashkuara. Finlanda i shtohet tashmë listës së gjatë. Por deri atëherë e presin skena të shumta. Në prill e pret një tjetër paraqitje. Ai në rolin e Normës nga opera “Norma” e Bellinit që do të jepet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 5 deri më 7 prill si dhe ai i Gulnaras nga opera “Il Corsaro” e Verdit që do të jepet në “Teatro Carlo Felice” në qytetin e Gjenovës.
Në pauzë provash, e ka vlerësuar rolin e Normës si mbretëreshë të këndimit të bukur.
“Jashtëzakonisht mirë po shkojnë. Është një rol madhështor, është një mbretëreshë e ‘bel cantos’ do të thosha. Një nga operat më të vështira të repertorit, kështu që jam e lumtur që më është besuar dhe e lumtur ta bëj debutimin tim, pikërisht me Norman si rol komplet, pasi më parë kam interpretuar pjesë të veçanta të operës”, ka thënë sopranoja e suksesshme në skenën ndërkombëtare.
Për sukseset e Qerkezit, vitin e kaluar dëshmoi magazina “OperaWire” e cila e renditi emrin e saj në mesin e top-dhjetë yjeve në ngritje për vitin 2023. Dëshmi për profesionalizëm në skenë ka qenë edhe nominimi për Këngëtaren më të Mirë të Re nga “The International Opera Awards” në muajin tetor.