Kulturë

Sopranoja nga Kosova e mbyll vitin e sukseseve me “La Boheme” në Itali

Rolet e sopranos Marigona Qerkezi janë të rregullta në vendin ku opera u lind, në Itali. Shumë prej emrave nga Kosova janë kryepersonazhe të repertorit klasik që ndërthur këngën me aktrimin. Së fundmi për katër net radhazi Marigona Qerkezi ka portretizuar Mimin, karakterin kryesor të operës “La Boheme” të Puccinit

Zërat operistikë të Kosovës ndër vite kanë jehuar, ani pse në vend tek në verën e vitit të kaluar është realizuar produksioni i parë. Skenat ndërkombëtare kanë qenë adresa për shumë emra. Rolet e sopranos Marigona Qerkezi janë të rregullta në vendin ku opera u lind, në Itali. Shumë prej emrave nga Kosova janë kryepersonazhe të repertorit klasik që ndërthur këngën me aktrimin. Së fundmi, për katër net radhazi Marigona Qerkezi ka portretizuar Mimin, karakterin kryesor të operës “La Boheme” të Puccinit.

Të dielën Qerkezi ka pasur paraqitjen e fundit për sivjet në skenën e operës. Në “Teatro Lirico di Cagliari” (Teatri Lirik në Cagliari) në Itali, ajo ka interpretuar njërën prej kryeveprave botërore të italianit Giacomo Puccini. Me këtë shfaqje edhe Teatri e ka mbyllur programin për sivjet, gjersa “La Boheme” ka qenë festa me publikun për fundvit.

Shfaqja lirike me katër akte “çon” publikun në Paris, duke kthyer kohën prapa për më shumë së një shekull. Së pari herë u shfaq në Torino në vitin 1896 dhe që atëherë është pjesë e pashmangshme e repertorit operistik. Është një prej veprave më të luajtura në botë.

Roli i Qerkezit përcjell historinë e dashurisë, por edhe tragjedinë që i ngjan në rini. Për dy orë e tridhjetë minuta, prezenca në skenë e Qerkezit si Mimi është në qendër bashkë me protagonistin tjetër Rudolfo, që e ka luajtur tenori italian Francesco Demuro.

Sopranoja Qerkezi ka thënë se operën “La Boheme” të Puccinit e karakterizojnë “subtiliteti dhe ndjeshmëria e vajzës shëndetligë e cila vuan nga tuberkulozi”. Për të ka qenë roli i parë nga repertori i kompozitorit italian. Jo veçse e njeh mirë skenën e publikun italian, por është e lidhur fort edhe me teatrin madhështor “Teatro Lirico di Cagliari”. Ka thënë se është vend i dashur për të. Një prej projekteve të para në karrierë e ka luajtur aty në operën “Lucia di Lammermoor” të italianit Donizetti.

Gjithsesi roli i Mimit ka qenë sfidues si çdo rol tjetër dhe tejet prekës.

“Roli i Mimit bart më vete shumë sfida si kërkesat nga ana muzikore duke filluar nga zhvillimi i madh dinamik i interpretimit të rolit deri tek ato aktoreske të cilat të shpien buzë vdekjes, e cila nuk lë askënd pa e prekur emocionalisht. Në fund të operës Mimi vdes e re, fatkeqësisht nga sëmundja”, ka thënë Qerkezi në një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Libreti i operës “La Boheme” përqendrohet në marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj. Vlerësohet se bazohet në romanin “Scenes de la vie de boheme” të Henri Murger të vitit 1851. Në tekstin shpjegues për operën shkruhet se sidomos akti i parë dhe ai i katërt ndjekin krejtësisht historinë e romanit.

“Skenat e fundit në veprat një dhe katër, skenat me Rodolfo dhe Mimi, ngjajnë si me dramën, ashtu edhe me librin. Historia e takimit të tyre ndjek nga afër kapitullin e 18-të të librit, në të cilin dy të dashuruarit që jetojnë në garret nuk janë aspak Rodolphe dhe Mimi, por përkundrazi Jacques dhe Francine. Historia e vdekjes së Mimit në operë vjen nga dy kapituj të ndryshëm të librit, njëri që ka të bëjë me vdekjen e Francinës dhe tjetri që lidhet me atë të Mimit”, shkruhet në një përmbledhje për operën “La Boheme”.

Kritika e ka vlerësuar lart interpretimin e Qerkezit në këtë operë, derisa ajo ka qenë edhe protagoniste në faqet e gazetave italiane.

“Të enjten e debutova rolin e Mimit duke përjetuar ovacione në skenë si dhe duke u vlerësuar shumë lart nga kritika. Jam shumë e lumtur dhe e përmbushur”, ka thënë sopranoja e shquar kosovare e lindur dhe rritur në Zagreb.

Ajo u diplomua në nivelin master në Akademinë e Arteve në Prishtinë në Flaut dhe Këndim. Performancën e parë e dha në moshën 6-vjeçare në Lubjanë të Sllovenisë. Edhe debutimin profesional operistik e ka pasur në moshë të re. Ka ngjitur skenat në Slloveni, Itali, Britani të Madhe, Holandë, Kroaci, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Shqipëri, Zvicër, Turqi, Mal të Zi, Oman, Japoni e Shtetet e Bashkuara.

Ky vit për të ka qenë një seri e përmbylljeve dhe nisjeve të projekteve të reja. Në fund të janarit ka luajtur Elvirën nga opera “Ernani” e Verdit në Spanjë, në shkurt është shfaqur në teatrin kombëtar të operës dhe baletit në Lituani në operën “Anna Bolena” të Donizettit si Anna Bolena, ndërsa në “Teatri Carlo Felice” në Gjenovë të Italisë ka luajtur si Lucrezia Contarini në operën “I due Foscari” të Verdit të cilën në tetor e ka interpretuar edhe në Venecia të Italisë.

Në shtator është shfaqur si Aida në operën “Aida” të Verdit në Spanjë, në nëntor ka interpretuar në “Messa da Requiem”, po ashtu të Verdit në Belgjikë. Është shfaqur edhe si soliste në organizime të tjera.

“Viti që po e lëmë tani për mua solli katër debutime të roleve të ndryshme nga Donizetti, Verdi si dhe nga Puccini. Ndërsa në skenën koncertale gjithashtu interpretova shumë koncerte solistike, si dhe vepra madhore vokalo-instrumentale, siç është ‘Requiem’ i Verdit si dhe Simfonia e 9-të e Beethovenit. Vit jashtëzakonisht i suksesshëm dhe dinamik”, është shprehur sopranoja e suksesshme në skenën ndërkombëtare.

Ka thënë se me dëshirë do t’i bashkohej Operës së Kosovës për produksionet e vitit në ardhje. “Jam gjithmonë e hapur për ftesa për interpretime për publikun tim të dashur”, është shprehur ajo.

Derisa ka qenë duke u bërë gati për paraqitjen e saj në skenë për operën “La Boheme”, Qerkezi ka thënë se secili prej projekteve në të cilat ka marrë pjesë e ka rëndësinë dhe veçantinë e tyre. “Nuk do doja t’i veçoja… por po shtoj që jam e lumtur dhe po punoj fort në vazhdimësi për projektet e radhës”.

Vitin e ardhshëm e pret roli i Normës nga opera “Norma” e Bellinit që do të jepet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 5 deri më 7 prill si dhe ai i Gulnara-s nga opera “Il Corsaro” e Verdit që jepet në “Teatro Carlo Felice” në qytetin e Gjenovës.

Për sukseset e Qerkezit këtë vit dëshmoi edhe magazina “OperaWire” e cila e renditi emrin e saj në mesin e top dhjetë yjeve në ngritje për vitin 2023.

“Kur Marigona Qerkezi këndoi ‘Il Trovatore’ në Festivalin e Verdit në vitin 2022, ‘OperaWire’ u fokusua në zërin e saj duke vënë në dukje se ajo ‘ka një soprano pelushi me një rrumbullakësi nga lart në pjesët e poshtme të zërit’. Ajo u lavdërua edhe për ‘praninë e saj komanduese në skenë’ “, shkruhet në vlerësimin e “OperaWire” për Qerkezin.

Aty mes të tjerësh janë edhe sopranoja italiane Anastasia Bartoli, ajo kubano-amerikane Elena Villalon, mexosopranoja franceze Eugenie Joneau e basi korean Stephano Park.

Qerkezi ka thënë se ky vlerësim është motivim drejt profesionit e pasionit të saj.

“E vlerësoj jashtë mase, sepse është vlerësim global dhe shumë i rëndësishëm gjithashtu, sikur edhe nominimi nga ‘International Opera Aëards’, përsëri në top dhjetëshen globale. Natyrisht më jep shumë shtytje dhe motivim për rrugën që kam zgjedhur”, është shprehur Qerkezi.

Dëshmi për profesionalizëm në skenë ka qenë edhe nominimi për Këngëtaren më të Mirë të Re nga “The International Opera Awards” në muajin tetor.

Me një konkurrencë që përfshinte interpretues nga e gjithë bota, emri i saj u përfshi në listën e ngushtë prej 10 kandidatësh.

Vlerësimet, bashkë me rolet që i besohen janë rezultate të zërit të saj të fuqishëm dhe paraqitjes dinjitoze me çka po mahnit publikun kudo, ku gjuhë e përbashkët në skenë është interpretimi operistik. Sopranoja Marigona Qerkezi premton shumë edhe për një vit tjetër në ardhje.